Prapaskenat/ Vangjush Dako “emëron” pasuesin e Varfajt në Bashkinë e Durrësit

Në harkun kohor të pak muajve Durrësi ka shënuar dorëheqje të rëndësishme në pushtetin vendor. Në kulmin e situatës së jashtëzakonshme pas rënies së tërmetit, kryebashkiakja e zgjedhur në 30 qershor të vitit të kaluar Valbona Sako dha dorëheqjen, pas një deklarate që u diskutua shumë në opinionin publik, e që lidhej me një kënaqësi për numrin e viktimave.

Vetë ajo në atë kohë tha se deklarata e saj u nxor nga konteksti. Megjithatë pas dorëheqjes së saj, Zhyljen Varfaj u komandua në krye të Bashkisë. Ajo që bie në sy është se edhe në këto komandime, pas qëndron Vangjush Dako, që nuk u kandidua nga Rama për një tjetër mandat në Durrës.

Vetë Dako nuk duket edhe aq “jashtë loje”, përderisa në drejtim të Bashkisë së Durrësit, qoftë edhe si të komanduar janë sërish individë me lidhje me të forta me të. Varfaj e mbajti detyrën deri pak kohë më parë kur në media doli lajmi se kishte lënë firmën të komanduar tek një tjetër zëvendës, që ka të njëjtin mbiemër si kryetarja e zgjedhur në qershorin e 2019, por që nuk ka lidhje farefisnore me të.

Bëhet fjalë për Emirjana Sakon, të cilës Varfaj i kishte deleguar të drejtën e firmës, por pas dorëheqjes zyrtare nuk dihet nëse do të jetë ajo apo jo, një nga kryetarët e komanduar.

Zyrtarisht Bashkia e Durrësit ka nënkryetarë edhe Arbër Brahon dhe Florian Tahirin, por asnjë prej tyre, sipas burimeve të Këshillit Bashkiak nuk ka mbështetjen e Dakos, që mesa duket ende ka fuqinë për të komanduar Bashkinë.

Ligjërisht, emërimin e një nënkryetari, në rastet e dorëheqjes së një kryetari të mëparshëm të zgjedhur apo të dorëhequr e ka Këshilli Bashkiak. Sot pritet të mblidhet Këshilli Bashkiak i Durrësit, me një rend dite zgjedhjen e atij që përkohësisht do të drejtojë Bashkinë e Durrësit. Zërat flasin për Emirjana Sakon, e njohur për lidhje të ngushta me ish-kryebashkiakun Dako.

Ndërsa djali i deputetit Spartak Braho, Arbri dhe nënkryetari tjetër nuk kanë mbështetje të madhe në radhët e Këshillit Bashkiak, duke qenë kësisoj larg votës “pro” për të qenë qoftë edhe si të komanduar kryetar bashkie. Durrësi është kësisoj një tjetër bashki, e cila zyrtarisht pas Shkodrës dhe Vorës ka përjetuar kriza të forta politike.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT