U rikthyem në pikën ZERO!

Nga Dr. Pajtim Lutaj

Pamjet e rrugëve dhe tregjeve të Tiranës me turma që lëviznin pa zbatuar as rregullat më minimale të mbrojtjes nga Virusi SARS-CoV-2 konsiderohen shumë shqetësuese.

Po aq i pakuptueshëm më duket edhe mosreagimi i kolegëve të mi anëtarë të task-forcës shtetërore, drejtuesve politikë që bëjnë be e rrufe në ekrane dhe selfie, facebook-istëve dhe portalistëve që u ngjirën duke bërë gjithollogun.

Mbyllin sytë përpara turmave që mbjellin virusin dhe ngrenë shpatën para një pensionist që ka dalë pa leje?! Ku është policia që me zell të madh la në të ftohtë jashtë kufirit qytetarët e vet dhe nuk gjen forca të kufizojë shëtitjen e ndaluar?

Hapja e organizuar në këtë mënyrë mohon izolimin 45 ditor shumë rezultativ për ndërprerjen e hallkave të transmentimit të virusit, dhe përhapjen e epidemisë. Shqipëria, popullata e Tiranës sot u kthye në pikën ZERO, mundi dhe sakrifica që bënë personeli shëndetësor u përdhos, kurajo që popullata tregoi 45 ditë e izoluar duke braktisur punën, biznesin, të afërmit, sot u hodh në det nga papërgjegjshmëria e vendimmarrësve, të cilët prej 45 ditësh, edhe pse përdorën filozofinë e diktatit në vend të asaj pedagogjike, ia arritën deri sot të ruajnë rregullat e karantinës.

Ky weekend që sapo lamë pas, celebroi paaftësinë e tyre, ky weekend e degradon Shqipërinë nga vendi “fanar ndriçues” në luftën kundër CoViD-19 në një vend me një masë të madhe njerëzish me mungesë të theksuar të përgjegjësisë civile dhe sigurisht me drejtues politik të paaftë.

Ku shkoi gjithë ai angazhim, gjithë ato premtime, gjithë ato ligje. Kush është përgjegjësi i këtij lëshimi vrasës. Shpresojë që kolegët e mi të mos jenë autorë të këtij lëshimi.

Fatkeqësisht frytet e hidhura të kësaj hapje të pa menduar do i marrim pas 2 javësh. Asnjë shkencëtar infeksionist apo epidemiologjist nuk e përjashton rifillimin e epidemisë pas një situate të ngjashme. Budallallëk që mund të paguhet shtrenjtë.

Ndoshta na ndihmon fati, një fije shprese, o Zot, mos vallë virusi po dobësohet nga ndikimi i klimës ngrohtë dhe ka ulur virulencën. Dy jave pritje të.tjera, ok, por urgjentisht të ndalohet kjo batërdi.

Stop, Stop, Stop!

Mbyllja ishte e detyruar, por hapja duhet bërë e mirëmenduar. Prej dy javësh, që kur kurba e epidemisë filloi të përkulet, të gjitha vendet filluan të mendojnë dhe punojnë për modalitetet e hapjes. Nëse çdo qeveri objektin kryesor ka ruajtjen e kurbës së epidemisë në nivele sa më të ulëta po tashme në kushte të tjera: të hapjes , të lëvizjes së lirë, të rifillimit të ekonomisë, qeveria e vendit tim nuk po më le këtë përshtypje.

Pas një vetëkënaqje të panevojshme për efikasitetin e izolimit dha orientime për hapje kaotike, e cila mund të përfundojë me kosto të lartë. Orientimet e OBSh dhe këshillat e specialisteve me të mirë të botës janë të qarta: “Nuk mund të mendohet për hapje pa siguruar, minimalisht maska për gjithë popullatën dhe testime masive diagnostikuese”.

Përderisa nuk ka një mjekim të validuar dhe as vaksinë, na duhet të mësohemi të jetojmë me virusin. Vendet tona fqinje si Italia, por edhe Franca, Gjermania etj po praktikojnë modele hapje të tjera. Synimi është që masat mbrojtëse në “kohë hapje” ta mbrojnë popullatën pothuajse si “në kohe izolimi”. Qëllimi është një dhe vetëm një; të kontrollojmë shpejtësinë e përhapjes se virusit (R0). Vetëm kjo ruan atë pak sistem spitalor që kemi, që ne e dimë si e kemi.

Data e hapjes duhet të jetë data kur të jenë gati të gjitha rrethanat e domosdoshme të mësipërme. Konkretisht, sigurimi i maskave për gjithë popullatën, testime, testime, testime diagnostikimi për çdo person që paraqet qoftë edhe shenjat me minimale të CoViD-19, te personat me risk të lartë, te personat e kontaktit, te personeli shëndetësor.

Para hapjes duhet adaptimi i masave mbrojtëse të distancimit fizik në çdo vend publik apo privat (rregullimi i tavolinave në restorante e bare, në shkolla, bllokimi i 1/2 vendeve në autobuza, trena) adaptimi i tregjeve, magazinave, matje temperature, solucion hidroalkolik, doreza për çdo klient.

Epidemia nuk ka kaluar! Ky virus me patologjinë që shkakton ka shumë të panjohura dhe shumë të papritura, çdo veprim i pamenduar mund të bëhet fatal. Ne dimë vetëm se duhet të ruajmë R0 në shifra të pranueshme për kapacitetin tonë spitalor dhe të diagnostikojmë sa më shumë pacientë duke i trajtuar dhe izoluar rastet CoViD-+ .

Në fund do të shtoja se bota po punon fort, po investon shumë për Vaksinën dhe gjetjen e një mjekimi alternativë nga dy studime Discovery dhe Solidarity Trial 1. Respekto shkencën dhe ushtro përgjegjësi civile.

*****

Botuar në DITA. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa citimin korrekt dhe të dukshëm të burimit

Back to top button
LAJMET E FUNDIT