Veton Surroi: Nuk do të ketë qeveri të re në Kosovë, aventurë shumë e keqe dhe e rrezikshme e atyre që e kanë nisur

Politikani dhe publicisti i njohur Veton Surroi, thotë se në Kosovë nuk do të ketë asnjë qeveri të re. Ndërkohë, sot AAK e Ramush Haradinaj ka konfirmuar se është dakordësuar me LDK e Isa Mustafës për krijimin e qeverisë së re.
Në një intervistë për RTV Ora, Surroi ka thënë se tentativa për të krijuar qeveri të re do të dështojë pasi duhet të shprehet më parë Gjykata Kushtetuese.
“Përpjekja është të krijohet një realitet i ri pa prononcimin e Gjykatës Kushtetuese. Nëse është e vërtetë do të përballemi me dy qeveri, njëra që është ndërtuar në bazë të një procedurë kushtetuese dhe tjetra e cila synon të marrë shumicën e votave në parlament dhe ndoshta mund ti sigurojë, por është ndërtuar jashtë procesit kushtetues. Kjo gjendje që tani po krijon një fërkim të panevojshëm politik, imagjino si do të reflektohet nëse me të vërtetë realizohet”, ka thënë Surroi.
Më tej, publicisti ka shtuar se qeveria e re sipas tij nuk do të formohet fare sepse është antikushtetuese.
“Mendoj se nuk do të formohet fare. Do të ketë përpjekje, por ky kontrabandim është antikushtetues dhe nuk ka legalitet dhe nuk do të ketë as legjitimitet popullor. Është një aventurë shumë e keqe, e rrezikshme dhe e panevojshme kryesisht për ata aktorë që i janë futur kësaj”, është shprehur Veton Surroi.