Virusi mund të ketë hyrë edhe në burgun 302 në Tiranë, por si?

13 mostra për testin e koronavirus janë marrë nga të burgosurit në burgun 302 të Tiranës. Lajmi është bërë me dije nga burime jozyrtare të Drejtorisë së Burgjeve.
Gazetarja Klodiana Lala nga pranë burgut 302, ka treguar se 13 personat e dyshuar se mund të jenë infektar janë dërguar për siguri në një ambient të veçantë të burgut, ku do qëndrojnë të karantinuar për të mos infektuar të dënuarit e tjerë, nëse rezultojnë pozitivë.
Gazetarja Lala tha: Bëhet fjalë konkretisht për sektorin numër 2 ku janë marë gjithë tamponet.
Disa nga të paraburgosurit kanë përjetuar simptoma të Covid-19, por nuk dihet ende a ka të konfirmuar të infektuar që me gjasë do zbulohet ditën e nesërme nga ISHP. Lala thotë se drejtori i Burgjeve nuk ka pranuar të përgjigjet për situatën.
Por si mund të ketë mbërritur infeksioni në burgun 302?
Dyshohet se të burgosurit mund të jenë infektuar pasi janë shoqëruar në disa seanca procesesh gjyqësore, para se ato të mbylleshin. Disa prej të pandehurve nga burgu 313 në Tiranë kanë qënë në seancë. Aktualisht në burgun 313 janë 19 të infektuar. ISHP ka njoftuar se gjendja e tyre është e stabilizuar.