Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë mesazh politikës: Reforma Zgjedhore të mbyllet para qershorit, i jepni një sinjal Brukselit

Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë Peter Zingraf, i ka dërguar një mesazh të qartë politikës shqiptare, për të përmbyllur para muajit qershor Reformën Zgjedhore.
Në një intervistë për emisionin “Pa protokoll”, Zingraf ka thënë se Gjermania prej vitit 2018 ka vënë në dispozicion të palës shqiptare ekspertët e saj për të asistuar në hartimin e Reformës Zgjedhore. Sipas ambasadorit, politikanët shqiptarë duhet t’i japin sinjal Brukselit duke e përmbyllur reformën para qershorit.
“Unë shpresoj që të mbërrihet në rezultate konkrete. Ka një program pune të caktuar lidhur me këtë. Gjermania prej vitit 2018 ka vënë në dispozicion ekspertizën e saj pikërisht në funksion të reformës zgjedhore duke pasur parasysh të gjitha rekomandimet e bëra nga OSBE/ODIHR. Ekzistojnë të gjitha mundësitë që të mund të përparohet në këtë drejtim, në mënyrë të tillë që përpara qershorit ti jepet Brukselit një sinjal i rëndësishëm, po kështu edhe qytetarët shqiptarë kanë nevojë për dhënien e këtij sinjali”, ka thënë ambasadori Zingraf.