Arkivat naziste: Listën e arrestimeve në Vlorë e bënin ballistët

Nga Marenglen Kasmi

Duke shfletuar një dosje të arkivit ushtarak të Freiburgut, në të cilën janë mbledhur thirrje të Ballit Kombëtar, trakte e letërkëmbime të FNÇ-së si edhe dëshmi robërish të kapur nga gjermanët, më tërhoqi vëmendjen kjo “KOMUNIKATË ME RENDESI” e Ballit Kombëtar, Qarkori i Vlorës lëshuar më 18 tetor 1943:

“Popull Vlonjat! ‘BALLI KOMBETAR’ kërkon bashkimin dhe vëllazërimin e te gjithë Shqiptarvet, te çdo tendence politike qofshin.

Tmerri dhe vellavranja duhet te marrin funt patjater. Por ne kjofte se vritet ne qytetin e Vlores ndonjë i BALLIT KOMBETAR menjëherë, si hakmarrje, do te hidhen ne ere shtepijat ku hynë dhe dalin kriminelet, dhe do te pushkatohen prej skuadriliave t’ona pjesetaret madhore t’atyre shtepiave.

Ne kiofte se nuk diktohen shtepit, nga ku kriminelet hyjnë dhe dalin, atëherë, neper rruge, o kudo qe te gjenden, do te shtihet kundra atyre qe njihen si komunista. Nga ana e vet ‘BALLI KOMBETAR’ ka urdhëruar ‘Vullnetaret e Lirise’ te pushojnë ç’do vrasje.”

Interesant është fakti se kjo komunikatë bëhet një javë më vonë, pasi në Vlorë gjermanët duke gdhire 10 tetori 1943 kishin arrestuar në gjumë 303 vlonjatë. Sipas gjermanëve, 106 prej tyre ishin komunistë dhe njerëz që gjatë kontrollit u ishte gjetur armatim në shtëpi. Nga 90 persona që komanda gjermane i kishte në listë të evidentuar si komunistë, ata kapën këtë natë 73 prej tyre. Dy komunistë u vranë kur ata tentuan të shpëtonin nga arrestimi. Një listë e plotë me emrat e të arrestuarve gjendet ne Arkivin e Shtetit Shqiptar.

Në raportin e hartuar nga komanda gjermane vendore e Vlorës shkruhet se 60-70% e banorëve të Vlorës ishin të evidentuar si mbështetës të Partisë Komuniste, -çka nënkupton ushtrinë partizane. Qëllimi i këtij aksioni ishte ruajtja e pozitave të ushtrisë gjermane në Vlorë. Ata ishin informuar nga informatorët e tyre vendas, se po përgatitej një sulm ndaj tyre.
Në raportin gjerman shkruhet se në qytet ekzistonte opinioni i përgjithshëm se listat e arrestimit u përgatitën nga ballistët. Në fakt, lista e arrestimeve ishte përgatitur nga Prefekti i Vlorës, Vizhdan Risilia.

Të arrestuarit u dërguan një ditë më vonë në drejtim të Manastrit, për t’u përcjellë prej andej në Kampin e Përqendrimit, në Zemun të Beogradit. Shumica e tyre nuk u kthye më kurrë në atdhe. Dy prej tyre ishin edhe Mihal Koçi, babai i shkrimtarit të njohur Pandeli Koçi (Sazan Goliku) dhe Mahmut Sulo, gjyshi i historianit të mirënjohur, Prof. Pëllumb Xhufi.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT