Basha e akuzon Ramën se është peng i krimit, Kryemadhi sugjeron mosbindje civile

Kryetari i PD-së Lulzim Basha, i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama që tha se nuk pranon nga opozita që t’i vendosë vija të kuqe.
“Rama nuk e sheh më vizën e korrupsionit dhe as vizën e dhunës. Ai është peng i krimit, dhe sillet si kriminel me njerëzit. Është peng i oligarkëve dhe punon vetëm për ta. Ai vjedh përditë, shkatërron dhe varfëron shqiptarët.
Ai shfrytëzoi edhe pandeminë për të vjedhur, për të shkatërruar teatrin, për të grabitur pasuritë publike dhe i la njerëzit pa asnjë ndihmë. Prandaj, Shqipëria do të shpëtojë prej këtij hajduti ordiner që bën vetëm keq: gjithë njerëzit e ndershëm ia kanë hequr vizën!”, shkroi Basha në Twitter.
Kurse kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi citoi një thënie të babait të pavarësisë së Indisë, Mahatma Gandhi.
“Mosbindja civile kthehet në një detyrë të shenjtë kur shteti bëhet i paligjshëm ose i korruptuar. Dhe një qytetar që pajtohet me një shtet të tillë, bëhet pjesë e korrupsionit dhe paligjshmërisë së tij.”.