Bashkimi kombëtar i shqiptarëve është i pashmangshëm

Rreth veprës “ARBËRIT E JONIT” të Prof. Pëllumb Xhufit (II)

 Vëzhgimet, analizat dhe vlerësimet sistematike të zhvillimeve në Botën shqiptare dhe përtej saj, studimi profesional i historisë dhe prirjeve të perspektivës së saj e kanë çuar historianin Pëllumb Xhufi në konkluzionin e madh se bashkimi kombëtar i shqiptarëve është i pashmangshëm, sepse shqiptarët e Shqipërisë kanë një gjak, një histori dhe një kulturë me shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët e tjerë

 

Prof. Ksenofon KRISAFI*

 (Vijon nga numri i kaluar)

            Në trajtimin e ngjarjeve që përshkuan shekujt XV-XVII, në hapësirën prej Vlorës deri në Prevezë, ku përfshiheshin edhe qytete e krahina gjithë lavdi si Labëria, Himara, Delvina, Saranda, Gjirokastra dhe Çamëria, Xhufi ndalet posaçërisht te Himara, e cila atij i rezulton, ashtu siç ka qenë e siç është, një krahinë që ka pasur gjithnjë vetëm banorë shqiptarë. Për ta plotësuar gjithë të vërtetën e sulmuar vazhdimisht nga lloj-lloj shovinistësh, ai tregon të vërtetën e kishës së Shën Thanasit në Dhërmi, vërteton se Dionis Filozofi ishte shqiptar, se Shën Kozmai i Etolit i ardhur me qëllime të caktuara në trojet shqiptare, shembi një kishë për të ndërtuar një shkollë greke.

Përforcohet me dokumente autentike se himarjotët janë shqiptarë madje ndër shqiptarët e angazhuar kurdoherë në qëndresën anti-osmane. Patën meritën se ruajtën lidhjet që kishte Shqipëria para pushtimit osman me perëndimin, veçanërisht me mbretërinë e Napolit dhe me republikën e Venedikut. Xhufi flet gjerësisht për historikun e Himarës, shtrirjen, kuptimin gjeografik dhe administrativ të saj në shekuj, rolin e luajtur dhe rëndësinë që ajo ka pasur për atdheun e vet, Shqipërinë. Burimet arkivore venedikase konfirmojnë të vërtetën e pakontestueshme se Himara në Shqipërinë e Poshtme ka pasur statusin e njësisë “politike”, “territorit të lire” shqiptar në marrëdhëniet me të huajt, madje edhe në raportet me Shqipërinë e sunduar nga të huajt. Për të “mbuluar” me liri një hapësirë sa më të madhe, drejtuesit e saj përfshinin në shtrirjen e saj gjeografike 52 fshatra nga Labëria, e madje edhe nga Toskëria. Himariotët e fituan statusin e territorit të lirë në sajë të luftrave të pareshtura kundër pushtuesve, veçanërisht kundër pushtuesit osman. Madje rezistenca ndaj osmanëve në fundin e shek XIV, ndikoi në krijimin e imazhit të Shqipërisë si ledhi mbrojtës i krishtërimit europian. Përsa iu përket disa spekulimeve, që ndeshen ngandonjëherë edhe në ditët tona, autori citon një dokument të vitit 1500, ku thuhet shprehimisht se “banorët e Himarës janë ilirë, që sot quhen arbërorë, megjithëse përdorin diçka edhe gjuhën greke, po e përdorin atë si jo grekë”. Në varësi të statusit politik të Shqipërisë, kjo shfaqet në burime herë si Shqipëri “veneciane”, herë si Shqipëri “turke” dhe doemos si Shqipëri “shqiptare”. Ai sjell gjithashtu një tjetër dokument të vitit 1532 me domethënie të veçantë. Përpiluesi i tij, një francez, thekson se kjo “Shqipëri e shqiptarëve” aktualisht njehsohet me një vend të Shqipërisë që quhet Himarë. Në aspektin administrativ, Kostandinopoja e konsideronte Himarën pjesë e nahijes së Kurveleshit, ndërsa Perëndimi e konsideronte vend të njohur nga koha e Homerit dhe Jul Cezarit, si vitrinë e gjithë Arbërit.” Vetë himariotët, në komunikimet me papët në Vatikan, gjithashtu me mbretërit e Napolit në shek. XVI-XVII apo me careshën e Rusisë, në vitin 1756, e konsideronin Himarë gjithë Labërinë (Arbërin). Himariotët ishin dhe mbetën shqiptarë në gen e në vetdije edhe gjatë shekujve në vijim, siç del edhe nga libri i prof. Xhufit.

 

***

Arbëria Joniane ashtu si gjithë trevat e tjera shqiptare të asaj kohe, dallohej, veç të tjerave edhe nga përdorimi i gjuhës shqipe, si element identifikues dhe përbashkues i pazëvendësueshëm. Ajo flitej dhe përdorej si gjuha amëtare nga të gjithë shqiptarët, përfshirë natyrisht edhe Arbërit e Jonit, habitatin e të cilëve prof. Xhufi na e ka dhënë të rindërtuar pothuajse të plotë, në të gjithë hapësirën e vet etnike. Ky është një tjetër kontribut shumë i rëndësishëm që sjell libri Arbërit e Jonit.

Zhvillimet dinamike me rëndësi historike të shekujve XV-XVII në tokat shqiptare, në atë që është quajtur edhe Shqipëria joniane ose Shqipëria e Poshtme, ku përfshiheshin sanxhaqet e Vlorës, Delvinës e Janinës, Xhufi i sheh edhe nën optikën e marrëdhënieve turbulente të Perandorisë osmane me Europën Perëndimore. Me këtë spektër vështrimi ka mundur të sjellë kontribute të çmuara për ndriçimin e historisë së Shqipërisë së kësaj periudhe. Trojet shqiptare, që përshkoheshin kohë pas kohe nga lëvizjet e vazhdueshme të popullsive vendase për çlirim dhe shkëputje nga perandoria, ishin shndërruar gjithashtu në fushëbeteja të ekspeditave osmane drejt gadishullit apenin. Aty përplasej edhe furia e koalicioneve ushtarake të fuqive europiane, të organizuara dhe drejtuara nga Papati, që synonin diversionin ndaj Perandorisë nëpërmjet periferive shqiptare.

Arbërit e Jonit plotëson për herë të parë shpërpjesëtimin e trashëguar në historiografinë shqiptare, e cila siç shprehet vetë Xhufi, në tallazet e tranzicionit të gjatë ka pësuar më shumë, sepse kush nuk ka futur duart në të: politika, diletantë edhe spekulantë të ndryshëm. Duke kapërcyer me objektivitet mbi kufizimet e të kaluarës ai saktëson në jo pak raste të vërteta konceptuale të historisë së mesjetës shqiptare dhe të arbërve të nën-Vjosës. Përgjithësisht në studimet albanologjike shqiptare dhe të huaja, interesimi për historinë mesjetare të arbërve ka ndaluar në bregun verior të lumit Vjosa. Kështu kanë vepruar edhe autoritete me emra të përveçëm dhe me kontribute të pamohueshme si Milan Sufflay, Constantin Jireçek, Ludwig Thaloczy, Lucia Nadin, Alain Ducellier etj. Xhufi e “kapërceu Vjosën” dhe zbuloi të dhëna e zhvillime me vlera të mëdha.

Vepra e prof. Xhufit Arbërit e Jonit nuk është një histori e zakonshme politike, por histori e përgjithshme që përfshin gjithë spektrin e jetës njerëzore në trojet e arbërve të Jonit. Nuk i kanë shpëtuar lupës së tij edhe zhvillime të tilla si zia e bukës dhe epidemitë e murtajës që goditën vendin në Mesjetë. Ato vlerësohen si faktorë të rëndësishëm të historisë mesjetare, sepse ngandonjëherë pasojat e tyre ishin edhe më të rënda se vetë luftrat. Ishin fatkeqësi gjëmëzeza, me përmasa dramatike për njerëzimin, të cilat përshkuan botën e asaj kohe dhe iu morën jetën miliona njërëzve.

Xhufi, i ngarkuar me argumente shkencore të nxjerra nga dokumentacioni që solli nga Venediku, nuk nguron të shprehet edhe për ndonjë manipulim të karakterit romantik, të mbështetur mbi frymëzime nacionalisto – folklorike.

 

***

DaPritja e lexuesit për Arbërit e Jonit ishte e paparashikueshme, çka u duk në ezaurimin me shpejtësi të të gjithë kontigjentit të botimit të parë, që imponoi botimin e dytë. Dalja e librit të qarkullim dhe disa veprimtari promovuese patën jehonë të gjerë. Ajo u pasqyrua në të gjitha organet e medias së shkruar dhe asaj audio-vizive. Për këto prurje shkencore me rëndësi historike për vendin si dhe për vlerat e tjera të shumta Akademia e Shkencave, në vitin 2017, i dha librit dhe autorit çmimin kombëtar Çabej.

Suksesi i tij shërbeu edhe si shtysë e fuqishme për të përshpejtuar punën dhe ritmet për ta shterur maksimalisht “minierën” burimore venedikase. Ai ka vazhduar inkursionet drejt arkivave në kërkim të thesareve të tjera dokumentare, kësaj here për Arbërit e Veriut. Pas kthimit dhe “ngritjes së kantierit” për fillimin e punës, ai do të deklaronte se “Unë jam i bindur që historia e Shqipërisë nga shek. XV-XVIII do të ribëhej nëse do të kishim mundësi të sillnim ato dokumente. Vetëm në një fond unë arrita të shoh rreth 100 regjistra, ndërkohë që ai fond përmban  plot 1140 regjistra. Dhe fondet me interes për Shqipërinë janë mbi 20 dhe kanë nevojë të shkohet të punohet në mënyrë sistematike, të programuar, me grupe pune, që do të dojë vite”.

            Vlera e jashtëzakonshme e librit Arbërit e Jonit nuk është rastësore. Ai është produkt i një studjuesi serioz, të afirmuar gjerësisht si një ndër historianët më të mirë shqiptarë të kohës sonë. Është produkt i veprimtarisë krijuese të prof. Pëllumb Xhufit, i cili ka një përgatitje të lartë profesionale dhe mjaft cilësore. Ajo e ka zanafillën në shkollën e mesme ku studioi latinishten dhe greqishten klasike, në fakultetin e filologjisë për gjuhët klasike, histori dhe arkeologji të Universitetit “La Sapienza” të Romës, ku u diplomua me rezultatin “shkëlqyeshëm”, në specializimin dhe kualifikimin e mëtejshëm shkencor në fushën e gjuhëve dhe paleografisë në Gjermani, në Greqi etj. Lidhet edhe me fatin e madh që u caktua nën udhëheqjen shkencore të një prej korifejve të historiografisë shqiptare, prof. Aleks Buda. Punoi në departamentin e Mesjetës në Institutin e Historisë të Akademisë së Shkencave, QSA dhe ASA, si dhe ka ndërmarrë kërkime afatgjata në disa arkiva perëndimore. Është pjesëmarrës aktiv në konferenca shkencore të të gjitha niveleve. Veprimtaria e pareshtur kërkimore është konkretizuar në studime me nivel shumë të lartë, në botime e publikime prestigjioze. Kjo karierë brilante shkencore-akademike dhe profesionale e qytetare e ka afirmuar Xhufin si studiuesin shqiptar më kompetent të fushës së tij. Është pranuar si i tillë edhe në mjediset shkencore dhe akademike ndërkombëtare.

Xhufi bën pjesë në një grup të ngushtë studiuesish që talentin, dhuntitë, vlerat, aftësitë profesionale i ka vënë në shërbim të të vërtetave, me të cilat nuk ka bërë kurrë kompromise, i ka vënë në shërbim të atdheut, të kombit, të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Eshtë kjo arsyeja pse ka shkëlqyer jo vetëm në veprat kushtuar zhvillimeve historike të Mesjetës shqiptare, periudhës objekt parësor i kualifikimit të tij, por edhe ngjarjeve e personazheve të periudhave të tjera, madje jo vetëm të kombit shqiptar në tërë hapësirat e tij të hershme dhe të vonshme, por edhe të popujve e shteteve të tjerë përreth Shqipërisë e më tej, në qendrat e politikës dhe diplomacisë euroatlantike.

Si rrallëkush ka denoncuar haptas politikat antikombëtare dhe antishqiptare të disa prej politikanëve të Tiranës pas viteve ’90 të shekullit të kaluar. Ai shkruan p.sh. se në kohën e tyre “e bukura e dheut” u kthye “në një kosh plehrash për mafien botërore, ku për hir të një pushteti të vjedhur, politika u shkri me krimin dhe nuk hezitoi as edhe të vrasë shqiptarë e të shesë interesat jetike të vendit, të luajë me varret, me kufijtë, me identitetin dhe me historinë e shqiptarëve…”.            Qëndrimet konsekuente, mbështetur mbi faktet dhe dokumentet e kanë lejuar që të pohojë pa hezitim, se Lufta Nacionalçlirimtare mbetet një nga faqet më të ndritura në historinë e shqiptarëve dhe e ka mbrojtur atë me argumente e logjikë të ftohtë. Kjo nuk është rastësi. Pëllumb Xhufi është jo vetëm studiues skrupuloz, serioz, objektiv, i vërtetë, por edhe produkt i një mjedisi të caktuar social dhe familjar. Është bir i dy partizanëve që e kanë mëkuar me respektin dhe vlerësimin objektiv të LANÇ. Xhufi dhe të tjerët si ai, e kanë mësuar historinë e LANÇ-it jo vetëm në libra e dokumente, por bashkë me qumështin e gjirit të nënave të veta partizane dhe nga rrëfimet realiste të baballarëve trima që luftuan pushtuesit e huaj dhe bashkëpunëtorët e tyre. Ky është një nga “sekretet” pse e shkruajnë saktë dhe e mbrojnë me guxim nga zhgarravitësit që duan ta zhdukin. Nën pretekstin se në krye të LANÇ-it ishte Enver Hoxha, këta duan ta baltosin. Abstragojnë nga fakti që në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare u rreshtuan 70 mijë partizanë e partizane, nga të cilët 7000 gra e vajza, u vranë 28 mijë dëshmorë, pati dëme dhe humbje të pallogaritshme. Këtë të vërtetë të madhe nuk mund ta zhbëjë fakti që në periudhën 1944-1990 pati veprime që përbënin shtrëmbërim dhe largim nga idealet e saj, pati edhe krime të patolerueshme.

 

***

Vëzhgimet, analizat dhe vlerësimet sistematike të zhvillimeve në Botën shqiptare dhe përtej saj, studimi profesional i historisë dhe prirjeve të perspektivës së saj e kanë çuar historianin Pëllumb Xhufi në konkluzionin e madh se bashkimi kombëtar i shqiptarëve është i pashmangshëm, sepse shqiptarët e Shqipërisë kanë një gjak, një histori dhe një kulturë me shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët e tjerë. Ai shpreh keqardhje që deri tani, për një varg shkaqesh të brendshme dhe ndërkombëtare, bashkëpunimi shumë i ngushtë mes dy vendeve, i lejuar nga standardet evropianë, akoma nuk është shfrytëzuar sa e si duhet. Prandaj ka kërkuar që qeveritë e të dy vendeve të punojnë për të krijuar sisteme të unifikuara në fushat e industrisë, bujqësisë, të energjisë, të tregtisë, të arsimit, të kulturës dhe të shkencës.

Prof. Xhufi mbetet edhe një personalitet publik, i angazhuar në diskutimet dhe debatet mediatike në lidhje me vlerësimin e ngjarjeve, personazheve dhe epokave historike, ku  është dalluar për qëndrimet objektive, të mbështetura në dokumente dhe metodologjinë bashkëkohore, duke u afirmuar si një autoritet me personalitet të spikatur publik. Ai është dalluar edhe për kontributet e vyera në shërbimin diplomatik si zëvendësministër i punëve të jashtme, ambasador në Itali, deputet i Kuvendit të Shqipërisë etj.

Dua t’i mbyll këto konsiderata për kolegun dhe mikun tim Pëllumb Xhufi, duke u rikthyer sërish te Arbërit e Jonit, që, sipas meje është një histori madhore e arbërve, e gjithanshme, pothuajse e plotë, e shkruar bukur, e shprehur me gjuhë të pasur, të përpunuar me kujdes, ku rrjedh hijshëm mendim i thellë, i kthjellët, i qartë, i fuqishëm. Si e tillë ajo përbën një kontribut të jashtëzkonshëm për studimet historike shqiptare, për davaritjen e mjegullnajave që duan të zbehin dhe zhdukin të vërtetat rreth shqiptarëve, vlerave të tyre dhe kontributeve që ata kanë dhënë për kulturën dhe qytetërimin europian e botëror. Arbërit e Jonit është gjithashtu edhe model i shkëlqyer se si shkruhet historia, shembull që e sjell prof. Pëllumb Xhufi.

*Autori është dekan i Fakultetit të Shkencave Juridike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare

në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë

Back to top button
LAJMET E FUNDIT