Biznesi i vogël pas takimit me Bashën: Ja 3 kërkesat tona për qeverinë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaron se qeveria po e çon drejt falimentit biznesin e vogël. Pas takimi me përfaqësues të Shoqatës së Biznesit të Vogël, kryedemokrati Basha tha se vëmendja tani duhet të jetë tek ajo që ai e quajti pandemi ekonomike.
Sipas Bashës, gjendja ku ndodhet tani biznesi, duke mos u ndihmuar nga qeveria është parathënie e krizës ekonomike. “Biznesi i vogël është në vështirësi të mëdha dhe po shtyhet drejt falimentimit. Kjo rrezikon të dalë në rrugë si të papunë qindra të vetëpunësuarve në këtë sektor. Vëmendja e qeverisë është tek oligarkët dhe jo tek biznesi i vogël që përbën motorin e ekonomisë shqiptare. Paratë që ka paguar gjatë viteve sot ka nevojë ti marrë mbrapsht si lehtësi fiskalë. Po ashtu ka nevojë për një paketë të qartë masash të cilat do të ndihmojnë në hapjen graduale sipas protokolleve të sigurisë, por jo hapje që mos të paguajë biznesin”, tha ai.
Sipas tij, biznesi i vogël po vuan edhe masa të tjera arbitrare, siç është masa e faturës afrove e energjisë.
Ndërsa kryetari i shoqatës së biznesit të vogël tha se dy paketat e qeverisë janë lëmosha dhe jo për ti ardhur vërtet në ndihmë.
“Gjendja nuk është e mirë, po kalon drejt një degradimi total. Është një situatë që qeveria ka aprovuar vetëm 2 paketa. Këto nuk janë për ne. Këto janë paketa ndihme sociale. Në luftë siç e quan qeveria nuk paguan askush taksa. Është emergjente. Nuk ka asnjë plan konkret. Këto paketa nuk ndihmojnë biznesin. Përkundrazi po na degradojnë dhe duket sikur duam lëmoshë. Ne nuk duam lëmoshë, ne duam atë që na takon”, tha Abert Naste.
Me tej ai shtoi se për ne si shoqatë, këto nuk janë paketa ndihme për biznesin, janë paketa ndihme sociale. Këto nuk janë as paketa lufte, sepse në luftë nuk paguan asnjë taksë, askush.
“Dhe konfirmojmë se vetëm 44 përqind biznesit i kanë marrë këto paketa. Qeveria nuk ka asnjë plan konkret, asnjë plan ekonomik afatshkurtër, afatmesëm, afatgjatë, të jemi realistë, këto paketa nuk po e ndihmojnë biznesin. Ne nuk duam lëmoshë, ne duam atë që na takon. Ne duan të zbatohet kushtetuta, ku neni 167 thotë se “në rast fatkeqësie natyrore, shteti duhet të dëmshpërblejë qytetarin”, tha Naste.
Bashkitë nuk kanë hequr asnjë taksë apo tarifë lokale. Ne po na faturohet energjia elektrike e 2019-ës, sikur të ishim në punë të plotë. Kjo është e jashtëligjshme. Po shprehim pakënaqësinë tonë, sepse nuk mund të kalohet kriza me 260 mijë lekë të vjetra apo 400 mijë lekë.
Më pas ai paraqiti dhe tre kërkesat: 1. Mbështetje financiare nga qeveria. Të hedhë para në ekonomi për të ndihmuar biznesin, pasi gjendja është shumë e rënduar. Ajo që kemi marrë është e papërfillshme, qesharake, e vonuar, tallëse. Siç e kemi marrë muajin e parë 260 mijë lekëshin, ne kemi paguar taksat dhe tarifat. Jemi me humbje të rënda.
2. Kërkojmë hapjen e plotë të ekonomisë, të paktën për biznesin e vogël me kushtet e duhura të sigurisë për shëndetin. Të jemi të lirë të punojmë. Ne jemi të regjistruar 107 mijë biznese të vogla, që varemi nga konsumi. Nëse qytetarët nuk janë të lirë të lëvizin, nuk ka biznes, nuk ka para. Nëse vazhdon kështu, do të thotë se qëllimi është të na nxjerrë ne nga paketa e ndihmës. Nëse vazhdon kështu, papaunësia do të jetë e paparë.
3. Kryeministri t’u kërkojë anëtarëve të partisë së tij, që drejtojnë pushtetin lokal, të përjashtojnë biznesin e vogël nga taksat dhe tarifat vendore përsa kohë zgjat pandemia.