Çfarë ndodh pas vettingut? Spartak Ngjela: Enveri i vrau kundërshtarët me gjyqtarët e Zogut

Spartak Ngjela, për të ilustruar efektet që do të sjellë në vendin tonë përfundimi i reformës në drejtësi bëri një paralelizëm me atë që ndodhi gjatë regjimit komunist dhe theksoi se, pas reformës askush nga gjyqtarët nuk do të guxojë të shkelë ligjin.

“Enver Hoxha i vrau kundërshtarët me gjyqtarët e Zogut. Pse nuk u dhanë pafajësi ata? Po, ata nuk kishin faj sepse i kam takuar disa kur dola nga shkolla.

Spartak, nuk di gjënë kryesore, më thanë, unë jam subjekt i ligjit, nuk e kam bërë unë ligjin. Ligjin e kishte bërë sistemi, ai respektonte ligjin.

Tani vijmë këtu. Këta do të shkelin ligjin? Nuk ka mundësi të shkelet ligji pasi mbaron reforma në drejtësi. Do të më kujtoni”, deklaroi avokati gjatë një interviste në ‘Ilva Now’.

E gjithë gjendja e rëndë e drejtësisë në vend, nënvizoi z. Ngjela, ka ardhur për shkak të një marrëveshjeje të fshehtë mes njerëzve të korruptuar në drejtësi dhe njerëzve të korruptuar në pushtet.

“E dini ju se po të ketë pushtet gjyqësor nuk mund të ketë korrupsion? Nuk ka pushtet gjyqësor dhe ndaj ka korrupsion. Pikë! S’ka  kushtet gjyqësor dhe ndaj ka krim të organizuar. Janë të lidhur.

Njëri i ka thënë vidh shtetin se ne të lëmë, tjetri i ka thënë vidhni popullin se ne u lëmë. Kjo është marrëveshja e tyre. Mos kujtoni se këtë reformë po e bëjnë vetë. Po e bëjnë të huajt dhe po na ndihmojnë”, tha z. Ngjela.

Largimi nga vetingu për korrupsion i anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese që janë në krye të piramidës së sistemit gjyqësor në Shqipëri, shtoi avokati i njohur tregon gjendjen e rëndë ku kemi qenë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT