Covid 19/ Qeveria, e fundit në rajon për mbështetjen ndaj qytetarëve, shkak borxhi i lartë

Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë marrë masa mbrojtëse për menaxhimin e krizës që krijoi pandemia COVID, duke siguruar mbështetje direkte, me fonde për bizneset dhe qytetarët.

Instrumentet e përdorura janë të ngjashme dhe përfshijnë programe të subvencionimit të interesave të kredive, shtyrje të afatit të pagesave të taksave dhe kredive ose subvencionimi i pagave për bizneset e prekura. Planet e masave zënë nga 1 deri në 7% të PBB-së në secilin nga gjashtë vendet.

Por nga pagesat direkte, në llogaritë e qytetarëve dhe bizneseve tregojnë se Serbia ofroi mbështetjen më të madhe për bizneset dhe qytetarët e saj, ndërsa Shqipëria më të ulëtën.

Sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, fondet direkte, si pagesa te shtresat në nevojë dhe qytetarët që humbën punën si dhe bizneset që rrezikuan falimentin në Shqipëri ishin sa 0.86% e PBB-së në vend, rreth 11 miliardë lekë (97 milionë euro).

Kjo shumë u shpërnda nëpërmjet dy paketave. Në paketën e parë do të përfitonin pagë minimale 26 mijë lekë, rreth 60 mijë persona që humbën punën nga kriza. Nga paketa e dytë do të përfitojnë një pagesë të vetme 40 mijë lekë, 176 mijë punonjës, kryesisht të bizneseve të mëdha.

Mbështetjen direkte më të madhe e dha Serbia me 3,2% të PBB, teksa e gjitha paketa, duke përfshirë garancitë për kredi të bizneseve dhe shtyrjet e taksave ishte mbi 6% e PBB-së. Në Bosnjë, mbështetja direkte arriti në 1.5% të PBB-së dhe në Maqedoni 1,2% të PBB-së.

Hisen Xhemaili, ministër për Çështjet Vendore në Maqedoni, tha se, paketa e mbështetjes direkte është 200 milionë euro. Kjo shumë, sipas tij, është shpërndarë në rreth 250 mijë të punësuar, duke kompensuar pagën minimale prej 230 eurosh. Xhemaili tha se pjesa më e madhe e paketës ka shkuar për mbështetje direkte, ndërsa shtoi se, rreth 95 milionë euro janë garanci që qeveria i ofron ndaj bankave që të kreditojnë biznesin me interesa jo më shumë se 1.5%.

Në raport me PBB-në e saj, Kosova dha një paketë të konsiderueshme ndihme, prej 170 milionë eurosh, e cila pothuajse shkoi si pagesa direkte në llogaritë e punonjësve që humbën punën dhe shtresat në nevojë. Kjo shumë ishte sa 2.5% e PBB-së së Kosovës. Pjesa më e madhe shkoi si pagesa shtesë në vlerë prej 30 euro në muaj për të gjithë përfituesit e skemave sociale dhe pensionale, të cilët marrin pagesë mujore në vlerë më të ulët se 100 euro, për muajin prill, maj dhe qershor.

Gjithashtu fondet u përdorën për mbulimin e shpenzimeve të pagave mujore të punonjësve, në vlerë prej 170 eurosh, për muajin prill dhe maj. Mirëpo Kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi, vlerësoi se ekonomia e Kosovës do të pësojë dëme të mëdha nga koronavirusi. Ai mendon se Kosovës i duhen rreth 1 miliard euro për të rimëkëmbur ekonominë pas pandemisë. Gjithashtu, Bosnja dha fonde për pagesa direkte rreth 1,5% të PBB-së, ndërsa e gjithë paketa e ndihmës ishte 2,3% e PBB-së.

Përgjithësisht, vendet e rajonit pjesën e ndihmës direkte që shkoi në llogaritë e qytetarëve e kishin më të madhe se mbështetjet indirekte që përfshinë shtyrje të taksave dhe garancitë sovrane. Kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka, tha se, paketa shqiptare anti-COVID ka mbështetje të kufizuar me fonde të drejtpërdrejta, duke qenë se vendi ynë ka rendimet të ulët fiskal në raport me vendet e tjera dhe një nivel më të lartë borxhi.

Grumbullimi i të ardhurave buxhetore në rreth 27% të PBB dhe një borxh publik më i lartë se 65% e PBB-së para krizës, nuk i krijojnë hapësira për mbështetje direkte qeverisë shqiptare në raport me rajonin. Por Jaka tha se, bizneset shqiptare nuk po mund të përfitojnë as nga garancia sovrane, nga frika e përballjes me konfiskimin në rast se nuk shlyhen kreditë.

Garancia sovrane e papreferuar

Paketa e Shqipërisë, e cila dominohet nga garancitë sovrane më shumë se 200 milionë euro, nuk po rezulton shumë efektive për shkak të ngurrimit që kanë bizneset për t’u ngarkuar me kredi që nuk mund t’i shlyejnë. Për më tepër, masa e konfiskimit, në rast se kreditë e garantuara nga qeveria nuk shlyhen, ka krijuar ngurrim te bizneset shqiptare për të përfituar nga këto fonde.

Arben Shkodra, nga Shoqata e Prodhuesve, tha se mekanizimi i garancisë sovrane nuk është i qartë dhe bizneset nga shoqata e tij nuk kanë aplikuar për të përfituar nga instrument, pasi i tremben dhe marrjes së aksioneve nga shteti, në rast mospagese. Edhe bankat presin që bizneset të shfrytëzojnë rreth 30% të fondit për shkak të hezitimit të tyre për të rritur ngarkesën me borxh në një situatë ku e ardhmja është e pasigurt.

Paketa e Shqipërisë, mbështetja direkte 0,86% e PBB-së

Fondi Monetar Ndërkombëtar analizoi së fundmi paketat e ndihmës për secilin nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
Qeveria e Shqipërisë ka miratuar dy paketa mbështetëse për njerëzit dhe bizneset e prekura nga pandemia e COVID-19, me një madhësi të kombinuar prej 45 miliardë lekësh (2.8% e PBB-së) që konsiston në shpenzime buxhetore, garanci sovrane dhe shtyrje të taksave, analizoi Fondi Monetar Ndërkombëtar. Paketa e parë, e miratuar më 19 mars, përmes një akti normativ kishte masa mbështetëse prej 23 miliardë lekësh (1.4% të PBB-së) përmes një kombinimi të rialokimeve të shpenzimeve, rritjeve të shpenzimeve dhe garancive sovrane për të mbështetur bizneset e prekura.

Masat kryesore janë:

-fonde shtesë për sektorin e shëndetësisë në vlerë prej 3.5 miliardë lekësh

-6.5 miliardë lekë për mbështetjen e bizneseve të vogla / të vetëpunësuarve që u detyruan të mbyllin aktivitetet për shkak të pandemisë COVID-19, duke u paguar atyre pagat minimale (deri në dy në rastin e bizneseve familjare me familjarë të papaguar), dyfishim të përfitimeve të papunësisë dhe formave të ndihmës sociale.

-2 miliardë lekë ishin shpenzime për skemat e mbrojtjes sociale

-11 miliardë lekë (0.6% e PBB-së) fondi i garancisë sovrane për kompanitë që nëpërmjet sistemit bankar të paguanin pagat për punonjësit e tyre deri në 3 muaj, me një normë interesi maksimumi 2.85%, për një maturim deri në 2 vjet.

Duke filluar nga prilli, ministrat e kabinetit dhe ligjvënësit do të marrin gjysmën e pagave të tyre për tre muajt e ardhshëm dhe kursimet do të shkojnë në fondin e mbështetjes sociale anti-COVID-19.

Paketa e dytë e ndihmës përfshin fondin 7 miliardë lekë (0.4% të PBB-së) për të paguar një transferim të njëhershëm prej 40,000 lekësh për punonjësit e bizneseve të vogla të prekura nga pandemia që nuk përfshihet në paketën e parë. Paketa e dytë miratoi gjithashtu një garanci sovrane prej 15 miliardë lekësh (0.9% e PBB-së) për të siguruar kredi për kapital qarkullues për sektorin e turizmit, si dhe kompani eksportuese. Qeveria do të përballojë kostot e interesit.

Qeveria ka miratuar gjithashtu masa të shtyrjes së taksave, duke lejuar të gjitha kompanitë (përveç bankave, telekomunikacionit, ndërmarrjeve publike dhe kompanive në zinxhirin e furnizimit të mallrave thelbësorë) të shtyjnë pagesën e taksës së fitimit deri pas shtatorit. Turizmi, përpunimi aktiv dhe qendrat call center me qarkullim prej 14 milionë lekësh ose më pak, mund të shtyjnë pagesat e taksës së fitimit për vitin e ardhshëm.

Për të adresuar pengesat e likuiditetit të kompanive dhe individëve, Banka e Shqipërisë njoftoi një ndryshim të përkohshëm të kërkesave të provizionit, efektive nga 12 marsi deri më 31 maj, duke u mundësuar klientëve të kërkojnë nga bankat dhe institucionet e tjera financiare që të shtyjnë këstet e kredisë pa gjobitje. Më 25 mars, Banka e Shqipërisë uli normën e saj kryesore të politikës – repoja javore, me 50 pikë bazë në një minimum të ri historik prej 0.5%. Guvernatori njoftoi se sektori bankar është likuid dhe mjaft i kapitalizuar, dhe banka qendrore është e gatshme të sigurojë likuiditet të pakufizuar për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

Banka e Shqipërisë pezulloi shpërndarjen e dividentëve për vitin 2019 dhe 2020 për bankat deri në fund të qershorit, me qëllim rritjen e kapitalit dhe kreditimit mbështetës gjatë kësaj periudhe. Banka qendrore gjithashtu përgjysmoi pagat e bordit mbikëqyrës dhe menaxhmentit të saj të lartë për kohëzgjatjen e pandemisë.
Për të nxitur përdorimin e bankingut në internet dhe për të zvogëluar numrin e njerëzve që kërkojnë shërbime në ambientet e bankës, banka qendrore gjithashtu hoqi dorë nga komisionet për pagesat në monedhën vendase.

Bosnja, 1,5% e PBB pagesa direkte në llogaritë e qytetarëve

Serbia, 3,2% e PBB pagesa direkte

Maqedonia e Veriut, 1,2% e PBB-së pagesa direkte

Kosova, 2.5% e PBB-së pagesa direkte

Back to top button
LAJMET E FUNDIT