“Destabilizim shoqëror”, paralajmërimi i Ngjelës: Nëse Kushtetuesja lë në fuqi dekretin e Thaçit, mund ta çojë situatën politike drejt…
Avokat Spartak Ngjela shprehet i bindur që Gjykata Kushtetuese në Kosovë sipas tij do ta rrëzojë dekretin e presidentit Hashim Thaçi, i cili nuk ka dekretuar për kryeministër fituesin e zgjedhjeve të fundit.
“Presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçi, arbitrarisht, ia ka dhënë të drejtën e krijimit të qeverisë jo fituesit të zgjedhjeve të vitit 2019, por partisë së dytë. Kjo është arsyeja që gjithçka sot është në dorë të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Në këtë situatë, kuptohet sak që shumica popullore nuk reflekton politikisht në mazhorancën parlamentare”, shkruan Ngjela.
Sipas tij, nëse Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë kreut të shtetit, “do të bënte një shkelje të rëndë që mund të sjellë destabilizim shoqëror”.
Nga Spartak Ngjela
Gjykatat Kushtetuese nuk janë ngritur për të qenë kukulla, por për të shpëtuar një demokraci nga tirania e një shumice parlamentare. Ky është gjykimi teorik i dalë posaçërisht për krijimin e gjykatës kushtetute në shtetin modern demokratik: që nga kushtetuta e Shteteve të Bashkuara e deri te ato të shteteve që përbëjnë Bashkimin Evropian.
Në konstitucionalizëm kjo quhet Jidicial Review, dhe në thelb është vetë gjykata kushtetuese, e cila teorikisht është vullneti suprem i popullit, i shkruar në një dokument juridik dhe ligjor suprem.
Kushtetuta juridikisht është një ligj suprem i dalë nga vullneti i popullit, vullnet ky që duhet të mbrohet jo nga një shumicë parlamentare, e cila mund të degradojë në tiraninë e mazhorancës parlamentare, por nga 11 juristë të mëdhenj të një gjykatë supreme, e cila merr përgjegjësinë për të mbrojtur të paprekur vullnetin suprem të popullit që formon një shtet – domethënë, kushtetutën e tij.
Ka dhjetra raste që gjykatat kushtetuese kanë shpëtuar shoqërinë e tyre nga tiranitë parlamentare, dhe kanë frenuar deri në shpërbërje mazhorancat agresive që kanë qenë me tendenca tiranike.
Po në Shqipëri?
Në kemi pasur vetëm një rast ku Gjykata Kushtetuese, duke mos anuluar zgjedhjet e manipuluara të vitit 1996, përkrahu tiraninë parlamentarë e dalë me manipulim zgjedhor, dhe e hodhi shoqërinë në kryengritje. Kryengritja rrëzoi tiraninë Berisha dhe, me parlamentin e ri të vitit 1997, dhe me një referendum mbarëpopullor të vitit 1998, solli në Shqipëri kushtetutën e parë demokratike.
Sot është e njëjta situatë në Kosovë: tirania e një mazhorance jokushtetuese por parlamentare, po kërkon të vendosë tiraninë e kësaj lloj shumice. Presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçi, arbitrarisht, ia ka dhënë të drejtën e krijimit të qeverisë jo fituesit të zgjedhjeve të vitit 2019, por partisë së dytë.
Kjo është arsyeja që gjithçka sot është në dorë të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Në këtë situatë, kuptohet sak që shumica popullore nuk reflekton politikisht në mazhorancën parlamentare.
A do ta lejojë Gjykata Kushtetuese këtë anomali ekstraligjore e cila mund ta çojë situatën politike në Kosovë në një kryengritje të mazhorancës popullore kundër një maxhorance parlamentare jokushtetuese?
Gjykata në këtë rast juridikisht do të bënte një shkelje të rëndë që mund të sjellë destabilizim shoqëror.
Prandaj, pikërisht për këtë shkak, në jemi të bindur që ajo Gjykatë do ta rrëzojë dekretin antikushtetues të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, i cili nuk ka dekretuar për kryeministër fituesin e zgjedhjeve të fundit.