Dita Botërore e Infermierit, politika trëndafila dhe mesazhe falenderimi për heronjtë e shëndetësisë

Mjekët dhe infermierët janë kthyer në heronj të vërtetë këto ditë që bota po përballet me pandeminë e koronavirusit. Në fakt, kjo kohë u dha atyre meritat dhe rolin e merituar në çdo kohë.
E sot është pikërisht dita e infermierëve, ditë që nuk ka qenë kurrë kaq ndërkombëtare. Politika e ka nisur ditën pikërisht, me mesazhe falenderimi kushtuar infermierëve. Nuk munguan as trëndafilat.
Rama: Infermierët na mësuan se hero të bën sakrifica
Kryeministri Edi Rama, përmes një statusi në facebook, shkruan se infermierët që kemi parë këto muaj si luftëtarë të pamposhtur me COVID-19 na mësuan se hero të bën sakrifica.
“Kurrë nuk ka qenë kaq ndërkombëtare dita e tyre! Infermierët që kemi parë me sy të trishtuar, me vragat në fytyrë prej turneve të gjata si luftëtarët e pamposhtur me Covid-19, na mësuan se hero të bën sakrifica. Mirënjohje çdo infermieri në Shqipëri. #RESPEKT#DitaNdërkombëtareeInfermierëve”, shkruan kryeministri Rama.
Meta: Krenar për ju dhe përherë mirënjohës
Presidenti Ilir Meta ka kërkuar më shumë vëmendje nga shteti për infermierët, ndërsa thotë se vlerësimi duhet të jetë i përhershëm dhe jo vetëm në një ditë.
“Dita Ndërkombëtare e Infermierëve, na kujton sot se mirënjohja e thellë, falenderimi dhe përkujdesja për heronjtë e ditëve tona, nuk duhet të shprehet vetëm në një ditë.
Shoqëria jonë dhe institucionet shtetërore duhet të tregojnë kujdes maksimal për trajtimin dhe vlerësimin e merituar të infermierëve, të cilët me përkushtimin, profesionalizmin, sakrificat dhe dashurinë për jetën, shkëlqyen në vijën e parë të përballjes me COVID-19, duke rrezikuar jetën e tyre dhe të familjeve të tyre për të mbrojtur shëndetin e të gjithëve ne. Krenar për ju dhe përherë mirënjohës!”, shkruan Meta.
Kuvendi shpërndan 375 trendafila
Edhe Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, përshendeti sot infermieret dhe infermierët e Shqipërisë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Infermierit. Ruçi shprehet në mesazhin e tij se Shqipëria u shpreh mirënjohjen 13 mijë luftëtareve dhe luftëtarëve në vijën e parë të luftës kundër koronavirusit, kundër pandemisë që ka izoluar miliarda njerëz në botë.
“Asnjëherë kombi nuk është zgjuar me kaq mirënjohje sa sot, për ju, motra dhe vëllezër infermierë të Shqipërisë. Sepse sot ju nuk jeni thjesht 13 mijë profesionistë që u shërbeni të sëmurëve. Sot Shqipëria u shpreh mireënjohjen 13 mijë luftëtareve dhe luftëtarëve në vijën e parë të luftës kundër koronavirusit, kundër pandemisë që ka izoluar miliarda njerëz në botë. Sot, drejtues të lartë të Kuvendit të Shqipërisë, do t’u dhurojnë nga një karafil 375 infermiereve dhe infermierëve që shërbejnë të Shërbimi Infektiv, Urgjenca Kombëtare dhe Spitali “Shefqet Ndroqi”, në shenjë mirënjohje për vetëmohimin e tyre për mbrojtjen e jetëve njerëzore. Ju e bëtë dhe po e bëni detyrën tuaj. Tani ne duhet të bëjmë detyrën ndaj jush.”, shkruan Kryetari i Ruçi.
Manastirliu: Si ditën e parë të epidemisë, jeni në vijën e parë të betejës me COVID-19
Përmes një postimi në ‘Facebook’, Manastirliu thekson se si ditën e parë të epidemisë, sot e gjithë ditën, infermierët e palodhur të dy spitaleve COVID janë në vijën e parë të betejës me koronavirusin.
Ajo theksoi se ka falënderim të përzemërt për secilin prej tyre, por edhe për çdo infermier të shërbimit shëndetësor.
“Si ditën e parë të epidemisë, sot e gjithë ditën, infermierët e palodhur të dy spitaleve COVID janë në vijën e parë të betejës me koronavirusin. Kam një falenderim të përzemërt për secilin prej tyre, por edhe për çdo infermier të shërbimit shëndetësor, nga urgjenca kombëtare, në qendrat shëndetësore, poliklinikat e specialiteteve dhe spitalet nga veriu në jug, që shërbejnë me përkushtim çdo ditë të vitit. Infemierët e sistemit tonë shëndetësor!”, shkruan Manastirliu.
Xhaçka falenderon mjekët ushtarakë
120 mjekë e infermierë të specialiteteve të ndryshme, pjesë e Forcave të Armatosura kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në këto kohë pandemie. Të angazhuar pranë Spitalit të Traumës, mjekët dhe infermierët ushtarakë kanë qenë në vijën e parë të luftës kundër COVID-19, duke evidentuar rastet e reja të infektuara. Minsitrja Olta Xhaçka ka falenderuar infermierët ushtarakë.
“Falënderim dhe një përgëzim gjithësecilit për punën e jashtëzakonshme që keni bërë. Falë punës tuaj dhe bluzave të bardha në të gjitha strukturat shëndetësore janë parandaluar probleme që mund të ishin shkaktuar si pasojë e pandemisë.
E di që nuk ka qenë e lehtë, por edhe vëmendja jonë, e qeverisë, e Ministrisë së Mbrojtjes dhe e Ministrisë së Shëndetësisë ka qene tek marrja e të gjitha masave, për trajtimin dhe për kushtet në mjedisin tuaj të punës dhe fatmirësisht nuk kemi pasur probleme. Një gjë është e sigurt, që më punën tuaj të jashtëzakonshme me kurajon dhe profesionalizmin që karakterizon gjithësecilin, ia keni dalë më së miri të parandalojmë probleme të tjera që mund të kishim pasur, nga çadrat e triazhit e deri brenda në spital ku vijon i gjithë procesi”- u shpreh ministrja Xhaçka.