Flamuri i Kosovës, në mes të Beogradit

PËRMES BOKSIT

Atë që nuk e bën politika, e bën sporti. Kosova do të marrë pjesë me ekipin e saj të boksit dhe do të përfaqësohet me simbolet e veta kombëtare në mes të Beogradit. Serbia ngriti shumë polemika, pasi nuk donin që boksierët e Kosovës të paraqiten me himnin dhe flamurin e tyre kombëtar.

Por kjo shpresë e serbëve është shuar dhe konfirmimin e pjesëmarrjes së Kosovës, barabartë me të tjerët, e ka bërë me dije zëdhënësi i Federatës së Boksit, Latif Demolli. Ai bëri një shkrim të gjatë në “Facebook” ku sqaronte gjithçka:

“AIBA shpalli Beogradin si qytet pritës të kampionatit botëror të boksit për seniorë në vitin 2021. Kosova do të paraqitet me 3 ose 4 boksierë. Kosova është paraqitur me simbolet e saj edhe në shtete që nuk na kanë njohur, si Armenia, Kazakistani, Azerbajxhani dhe Gjeorgjia. Edhe këtë radhë do të paraqitemi me simbolet tona”, – tha Demolli.

Federata Botërore e Boksit është treguar e qartë që në fillim kur pranoi Kosovën si anëtare të saj se cili shtet nuk njeh simbolet kombëtare të vendeve pjesëmarrëse në aktivitetet ndërkombëtare, atëherë do të anulojë menjëherë eventin. Duket se Serbia nuk ka dashur ta humbë këtë Botëror.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT