Fotot/ Inertet nuk po largohen pas tërmetit, problem për sezonin turistik

Inertet e shkaktuara nga tërmeti ende nuk janë larguar dhe ato po ndotin ambientin me sezonin turistik që po afron.
Inertet e shumta tregojnë një ambient të ndotur, për më tepër që janë të rrezikshme, nëse qëndrojnë për një kohë të gjatë larg landfilleve ku duhet të depozitohen, pasi përbërja e tyre ndryshe nga inertet e gropave të ndërtimit ka qelq, dru, porcelan, tekstile, profile hekuri e çeliku, apo profile alumini.
Kjo e rëndon më shumë situatën dhe rreziku i ndotjes është edhe më i madh. Sa më gjatë që ato të qëndrojnë në vendet e depozitimit në mes të qyteteve, aq më i madh është dhe dëmi mjedisor që shkaktojnë.
Nuk kanë qenë të pakta rastet, kur këto inerte kanë përfunduar në duar të individëve të ndryshëm, të cilët kanë nisur shitjen e tyre. Më problematike mbetet situata në qytetin e Shijakut.
Pasi aty janë prishur 13 godina banimi dhe do të prishen edhe 5 të tjera si pasojë e shembjes nga tërmeti. 13 pallatet e para janë ende në trajtën e inerteve në vendet ku kanë qenë të ndërtuara, kjo pasi nuk ka nisur procesi i largimit të tyre.
Zhvendosja e inerteve nuk është e lehtë për tu përballuar pasi ka kosto. Por ato sipas premtimit do të mbulohen nga Ministria e Shtetit për Rindërtim dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Bashkitë të vetme e kanë të pamundur të mbulojnë këtë proces 100%. Pastrimi është një kusht thelbësor dhe i domosdoshëm që sheshet të kthehen në sheshe ndërtimi dhe banorët të kenë sërish shtëpitë e tyre.
Çdo vonesë sjellë probleme të mëdha sociale duke shkaktuar efekt domino, pasi familje të tëra do vazhdojnë të jenë pa shtëpinë e tyre, por dhe ambienti do të ketë një ndotje të madhe.