Hapja e kufijve, BE merr vendimin e rëndësishëm: Ja kur do të lëvizim lirshëm

Nga 15 qershori pritet të rinisë lëvizja e lirë mes vendeve të BE. Komisioni Evropian tha se do të propozojë hapjen graduale të kufijve të BE-së, për t’i dhënë shtytje industrisë së turizmit, e cila është goditur rëndë nga pandemia e koronavirusit. Kjo do të thotë se Europa do të hapet plotësisht gjatë sezonit veror, edhe pse po punohet ende mbi detajet.
“Mesazh i yni është se ne do të kemi sezon turistik këtë verë, qoftë me kufizime apo me masa të sigurisë”, tha komisionari për Ekonomi i BE-së, Paolo Gentiloni.
Duke folur në një intervistë për gjashtë gazeta evropiane, Gentiloni tha se industria e turizmit në Evropë përballet me një humbje prej 40% të aktivitetit të saj.
Shtetet veç e veç kanë nisur të rihapin kufijtë. Austria dhe Gjermania kanë vendosur heqjen e kufizimeve në udhëtim. Nga e premtja, në vendkalimet e tyre kufitare do të ketë kontrolle, ndërsa nga 15 qershori do të rinisë lëvizja e lirë.
“Duam t’ua lehtësojmë jetën e përditshme qytetarëve tanë dhe të ndërmarrim një hap tjetër drejt normalizimit”, tha kancelari austriak, Sebastian Kurz.
Deklaratat nga Gjermania
Ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer ka komentuar fazën e re të lehtësimit në lidhje me hapjen e kufijve. Në një deklaratë për mediat vendase, Seehofer u shpreh se të gjitha pikat kufitare me Francën, Zvicrën dhe Austrinë do të hapen nga 15 qershori dhe nuk do të ketë kontrolle të zgjatura në kufi me Francën, Zvicrën dhe Austrinë.