Ish- zv.kryeministri i Berishës: Që Basha i PD të jetë i besueshëm për “kryeministrin vetëm dy mandate”

Nga Bashkim Kopliku*

Mbreme, dt. 28.05.2020, z. Lulzim Basha, kryetari i Partisë Demokratike, sapo deklaroi publikisht se sapo të mbarojnë zgjedhjet e ardhshme, të cilat ai do t’i fitojë, do të përpiqet që të vendoset që kryeministri i Shqipërisë të mos mund të rrijë në post më tepër se dy mandate.

Unë mendoj se, që të jetë i besueshëm, z. Basha duhet të veprojë si vijon:

E para, të mbledhë konferencën e jashtëzakonshme të PD, dhe të ndryshojnë statutin e partisë, duke rivendosur rregullin statutor që PD e kishte deri 1993: kryetari i PD të mos lejohet të rrijë në post më shumë se dy mandate!

Të gjendet mënyra ligjore që të garantohet se këtë rregull statutor, PD nuk do ta ndryshojë menjëherë sa të vijë në pushtet, siç e bëri në vitin 1993. (Kujtesë: atëherë, statuti u pat ndryshuar, me propozim të z. Berisha, me votim të hapur, për t’i zgjatur qëndrimin në post z. Selami— vetëm 7-8 vetë patën pasur guximin të mos ngrinin dorën për miratim!!!).

E dyta, në programin elektoral të PD-së të përfshihet angazhimi se PD do të përpiqet të krijojnë shumicën e nevojshme në Kuvend, ose do të organizojë referendum, për të ndryshuar Kushtetutën, duke kërkuar që kryeministri të mos lejohet të rrijë në post më shumë se dy mandate.

Kjo është rruga demokratike, joautokratike, dhe ligjore, për të bërë të mundur që z. Basha të mund të jetë i besueshëm për sa deklaroi.

*Ish-zv-kryeministër në qeverisjen e PD

Back to top button
LAJMET E FUNDIT