Koronavirusi/ 52 shtete anulojnë zgjedhjet, Shqipëria nuk i ndal as to të universiteteve

Situata e krijuar nga koronavirusi ka pezulluar një pjesë të aktiviteteve, por edhe në arsim, duke mos lejuar zhvillimin e mësimeve. Vendi jonë pritet të nisë pjesërisht mësimin në shkollat mesme dhe në universitete. Kufizimet lidhen me rrezikun e përhapjes së pandemisë së Covid-19.
Por me hapjen graduale të universiteteve, ministria e Arsimit ka udhëzuar dhe nisjen e procesit të zgjedhjes së drejtuesve të institucioneve të larta arsimore. Në këtë kohë pandemie procesi për zgjedhjen e rektorëve dhe dekanëve po kontestohet nga një pjesë e botës akademike, por edhe nga opozita. Partia Demokratike ka kërkuar shtyrjen e këtij procesi, pasi rrezikohet sipas tyre në një garë farse dhe të kontrolluar nga qeveria.
Kryetari i FRPD-së, Belind Këlliçi ka dhënë edhe disa shembuj në shtete të ndryshme, ku janë anuluar zgjedhjet në universitete. Ai ka postuar një listë me 52 shtete që kanë shtyrë zgjedhjet politike ose lokale në të gjithë botën gjatë këtij viti, për shkak te Covid-19!
“Vetëm Shqipëria nuk shtyn dot zgjedhjet në universitete! Pyetja është: A janë zgjedhjet në universitet më të rëndësishme se të gjitha zgjedhjet që do të mbaheshin në këto 52 shtete?! Sigurisht që jo, por çdo vend ka prioritet e tij! Këto 52 vende kanë prioritet shëndetin dhe jetën e qytetarëve, ndërkohë që qeveria e Edi Ramës ka prioritet vënien nën kontroll dhe kapjen e universiteteve. Atë që nuk beri dot me Shullazin, kërkon ta bëjë me koronavirusin!”, shprehet Këlliçi.