Kryebashkiaku i Sarandës bën dy premtime për qytetarët: Çfarë do ndryshojë këtë sezon

Kryebashkiaku i Sarandës Ardian Gurma ka premtuar se këtë sezon veror do të ketë çmime të ulëta në Sarandë. Në një intervistë ai ka thënë se lajmi i rëndësishëm është se vija bregdetare e qytetit që nis nga porti detar deri tek ish hotel Butrinti do të jetë falas për gjithë qytetarët, pra pa pagesë, dhe ku mund të vendosësh çadra dhe shezlong sipas dëshirës. Një vendim i tillë, siç ka sqaruar Gurma, ka ardhur si pasojë e ankesave të njëpasnjëshme të qytetarëve.
“Vija bregdetare e tradicionale e qytetit, do të jetë e lirë për qytetarët. Duke patur eksperiencën e vitit të kaluar nga ankesat e qytetarëve, sidomos atyre rezidentë, që nga porti detar deri te ish- hotel Butrinti me një pjesë të shëtitores nuk është kontraktuar nga operatorët, por nga Bashkia me një çmim minimal, këtë vit e gjitha do të jetë falas, pa asnjë lloj pagese”.
I pyetur se kur do nisë sezoni turistik ai tha se nuk do të jetë e largët:
“Nëse do ishte në dëshirën tonë donim që sezoni të hapej në 15 ditëshin e parë të majit, patjetër që jemi në një situatë që nuk varet nga dëshirat tonë, mendojmë se të paktën kjo ditë nuk do jetë e largët, kjo edhe pse jemi në zonën e gjelbër”.
Gurma ka treguar gjithashtu se ndryshe nga vitet e kaluara, për herë të parë operatorët do të funksionojnë me paketa turistike.
“Me gjithë dëshirën e mirë për të maksimalizuar fitimet e tyre, se sezoni do jetë më i shkurtër, hyn në lojë edhe pushteti lokal. Ne kemi marrë një farë miratimi, por kemi luajtur edhe rolin e këshilluesit, është më mirë që të operojnë me çmime më të lira se një vit më pra, se kjo i shërbente turistëve vendas, se duke pasur çmime më të lira do të ketë një aksesim më të lartë nga pushuesit. Hotelierët më kanë dhënë të drejtën që ta parashtroj si objektiv që në të gjitha hotele, paketa do të jetë 20% më e lirë se vitet e tjera. Nisur edhe nga fakti që lëvizja e shteteve fqinje është në pikëpyetje, ne jemi duke orientuar drejt paketave vendase, dhe të gjithë operatorët kanë marrë nismën që të funksionojnë me paketa, ndryshe nga vite më parë”.