Kurti thotë se është kërcenuar nga e ashtuquajtura “Garda Vullnetare Shqiptare”

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se është kërcënuar nga ana e një organizate të ashtuquajtur “Garda Vullnetare Shqiptare”.

Sipas Kurtit, ky kërcënim vjen me qëllim të frikësimit të Gjykatës Kushtetuese në pritje të vendimit që pritet të merret me datë 29 maj.

Ai, në këtë reagim thotë po ashtu se “regjimi i vjetër e di se nuk ka shpresë për të. Pasi që kanë harruar sa moti e patën braktisur popullin, tash populli po ua përkujton përditë se edhe ai masivisht i ka braktisur ata”.

Ndër të tjera, Kurti po ashtu përmes një statusi në “Facebook” ka thënë se me shumë kujdes janë duke i ndjekur zhvillimet teksa ndodhen në pritje të vendimit, përcjell “Zëri.info”.

Ndryshe, e ashtuquajtura “Garda Vullnetare Shqiptare”, përmes një komunikate të lëshuar për media, tha se në rast organizimi të protestave, kjo “gardë” nuk do qendrojë duarkqyr.

“Albin Kurti dhe të gjithë udhëheqësit e LVV-së që ndihmojnë në organizimin e kësaj proteste, tani më kanë arsye të shqetësohen për sigurinë e tyre dhe tê familjarëve të tyre nga njësitet e Gardës”, thuhet në komunikatën e të ashtuquajturës “Garda Vullnetare Shqiptare”.

Image

Shkrimi i plotë i Kurtit:

Kërcënimi ndaj meje nga e ashtuquajtura “Garda Vullnetare Shqiptare”, në fakt, nuk është ndaj meje. Ky është kërcënim ndaj Gjykatës Kushtetuese, në veçanti, ndaj Kryetares së Gjykatës, znj. Arta Rama-Hajrizi dhe Gjyqtarit Raportues të çështjes KO 72/20, z. Nexhmi Rexha. Nuk ka shpjegim tjetër.

Regjimi i vjetër e di se nuk ka shpresë për të. Pasi që kanë harruar sa moti e patën braktisur popullin, tash populli po ua përkujton përditë se edhe ai masivisht i ka braktisur ata.

Ata janë të frikësuarit që duan të frikësojnë Gjykatën Kushtetuese dhe jo vetëm. Ata po duan t’i frikësojnë edhe ambasadorët e Quintit me destabilizim nëse kapoja i PRONTO-s, Presidenti i Republikës, e humbet rastin.

Dekreti i Presidentit nuk është amandament kushtetute. Për çka nuk flet Kushtetuta nuk mund të flasë Presidenti. Ai duhet ta respektojë Kushtetutën dhe nuk mund ta shkruajë atë.

Ne jemi duke i ndjekur me kujdes zhvillimet teksa po presim Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Pyetjet e njëanshme që thuhet se janë bërë nga Gjykata Kushtetuese në Forumin e Venedikut shpresojmë se janë lajm i rremë. Ndërkaq, ‘dokumentet’ në 3800 faqe nga koha e shkrimit të Kushtetutës, të humbura për vitin 2014 e të ‘gjetura’ tani, e kanë pasur afatin e skadencës porsi regjimi i vjetër – 6 tetor 2019!Në zgjedhjet e ardhshme do ta thellojmë diferencën si asnjë subjekt tjetër i parë në Kosovën e pasluftës.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT