Ligji në Parlament/ Dezinfektim për kamionët në dogana, me shpenzimet e tregtarëve, kush refuzon…

Në çdo pikë doganore, tokësore dhe në porte do të kryhet dezinfektimi i kamionëve, mallrave.
Ministria e Shëndetësisë dhe autoritetet doganore do të instalojnë pajisje tunele të përshtatshme për dezinfektimin e mjeteve të transporti ndërkombëtar të mallrave, kabinave të tyre dhe kontejnerëve në pikat e kalimit kufitar tokësor, detaj e ajror për të siguruar parandalimin e hyrjes së sëmundjeve të rrezikshme dhe sipas një protokolli të hartuar nga Instituti i Shëndetit Publik.
Kjo është nisma më e fundit e paraqitur në Parlament nga deputeti i opozitës, Edmond Stojku, i cili kërkon ndryshimin e ligjit “Për parandalimin e sëmundjeve infektive”, duke shtuar detyrime në drejtim të dezinfektimit për transportin ndërkombëtar të mallrave.
Kostoja e shpenzimeve për këtë proces do të duhet të përballohen nga operatori i biznesit përgjegjës për ngarkesën dhe jo nga shteti. Tarifat do të përcaktohen nga Këshilli i Ministrave. Sakaq, projektligji parashikon edhe masa ndëshkuese për ata operatorë tregtarë që nuk i binden këtij detyrimi, duke nisur nga gjoba e deri te mbyllja e aktivitetit.
Kështu, sipas propozimit “refuzimi për vendosjen nën dezinfektim të mjeteve të transportit ndërkombëtar të mallrave, kabinave të tyre dhe kontejnerëve dënohet me 50 mijë lekë për operatorin tregtar objekt i mbikëqyrjes së dezinfektimit dhe 100 mijë lekë për punëdhënësin si subjekt i mbikëqyrjes së dezinfektimit.
Ndërkohë që, në rast përsëritjeje të shkeljeve administrative nga operatori tregtar, masa administrative është mbyllja e aktivitetit. Ndryshimet do të duhet të diskutohen në komisionet parlamentare, ndërkohë që do të jetë seance plenare që do të vendosë nëse ato do të miratohen apo rrëzohen.
