Mbyllja e vitit, 3 skenarët si do vlerësohen me notë maturantët

Viti shkollor 2019-2020 për maturantët mbyllet zyrtarisht në datën 5 qershor. E deri në këtë datë, mësimi do të vijojë online për 15 ditët e para të këtij muaji, ndërsa nga data 18 maj maturantët do të rikthehen në shkollë për të zhvilluar vetëm përsëritje për tre provimet e detyruara (matematikë, gjuhë e huaj, gjuhë shqipe dhe letërsi), si dhe lëndën me zgjedhje.

Në urdhrin e miratuar së fundmi nga MASR saktësohet se drejtuesit dhe mësuesit do të hartojnë listën me ndarjen e nxënënsve në grupe të vogla, me të cilat do të vijojnë konsultimet në shkolla në periudhën 18 maj-5 qershor. Mësimi në ccdo rast do të zhvillohet duke respektuar kushtet e higjienës dhe distancimit fizik.

Gjithashtu në këtë urdhër janë përcaktuar edhe skenarët se si do të bëhet vlerësimi me notë vjetore i maturantëve, duke marrë në konsideratë kryesisht vlerësimet gjatë procesit mësimor të zhvilluar në shkollë. Ndërkohë që për periudhën e zhvillimit të mësimit online në kushtet e shtëpisë, mësuesve do u lejohet që të rrisin vlerësimin përfundimtar me një notë më shumë nëse maturantët janë angazhuar në ndjekjen e procesit mësimor dhe kryerjen e detyrave të përcaktuara.

Sa i takon procedurës së vlerësimit të nxënësve të klasave të 12-ta, MASR saktëson në urdhrin e miratuar se: “Mësuesit do të vijojnë të mbajnë shënime në fletoren personale për vlerësimin e detyrave që ka kryer nxënësi, për angazhimin dhe gatishmërinë e tij për të komunikuar me mësuesin dhe për të marrë pjesë në mësimin online në kushtet e shtëpisë, si dhe gjatë kthimit në shkollë”.

Në rastet e veçanta, kur mësuesit gjatë periudhës janar-mars nuk kanë arritur të përfundojnë vlerësimin me test dhe detyrë përmbledhëse, apo vlerësimin e portofolit për shkak të pamundësisë së nxënësve për t’u lidhur online me mësueist në mënyrë të vazhdueshme, atëherë në kolonën e vlerësimit do të shënohet “nuk u krye” dhe kjo notë nuk do të llogaritet në vlerësimin vjetor që maturanti do të marrë.

Më tej në urdhër specifikohet se për periudhën maj-prill nxënësi nuk do të vlerësohet me notë në regjistër për vlerësimin e vazhduar, vlerësimin e portofolit dhe vlerësimin me test, por duke u mbështetur në pjesëmarrjen dhe angazhimin e tij për të marrë pjesë në mësimin online. Në këtë rast mësuesi mund të shtojë një notë në vlerësimin përfundimtar të nxënësit.

Për periudhën maj-prill në kolonën e vlerësimit do të shënohet “nuk u krye” dhe kjo notë nuk do të llogaritet në vlerësimin vjetor për notën e vlerësimit të vazhduar, portofolit dhe testit përmbledhës.

Procedurat e vlerësimit përfundimtar të nxënësve në maturë do të organizohen sipas tre skenarëve.

Skenari 1: Rastet kur mësuesit kanë plotësuar të tria vlerësimet për dy periudha e para të mësimit, shtator-dhjetor, si dhe janar-mars.

Skenari 2: Rastet e veçanta kur mësuesit nuk kanë mundur të kryejnë vlerësimin me test përmbledhës dhe vlerësimin e portofolit për periudhën e dytë janar-mars

Skenari 3: Rastet e veçanta kur mësuesit nuk kanë mundur të kryejnë vetëm vlerësimin me test, ose atë të portofolit për periudhën e dytë janar-mars.

Mësuesi për të nxjerrë vlerësimin përfundimtar të nxënësve të klasës së 12-të, do të marrë në konsideratë arritje e nxënësve nga fillimi i vitit shkollor, dhe do të përqendrohet më shumë në rezultatet e tyre përpara mbylljes së shollës në 9 mars. Kur nxënësi që ka pjesëmarrje të rregullt dhe angazhim të rregullt gjatë periudhës mars maj, ky fakt do të merret në konsideratë nga mësuesi i lëndës dhe do të ketë ndikim pozitiv në vlerësimin përfundimtar. Në këtë rast mësuesi do të shtojë një notë mbi notën përfundimtare të nxënësit. Mësuesi kujdestar në rubrikën “vlerësimi i kompetencave” në regjistër shton dhe argumente për pjesëmarrjen e rregullt dhe angazhimin cilësor të nxënësit në mësimin në kushtet e shtëpisë.

Sa i takon provimeve të këtij viti, më herët është komunikuar se maturantët mund të rrinë të qetë pasi temat që janë zhvilluar gjatë mësimit online nuk do të përfshihen në teste. Ekspertët e Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar kanë rishikuar tashmë programet orientuese të provimeve të Maturës, në të cilat janë reflektuar edhe temat që nuk do të jenë pjesë e provimeve. Gjithashtu konfirmohet se për shkak të vështirësive të hasura në zhvillimin e rregullt të procesit mësimor, testet e maturës do të jenë më të lehta.

Në rregulloren e miratuar më herët nga MASR përcaktohet se provimet e detyruara dhe me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2020 do të fillojnë në orën 10:00 dhe do të zgjasin 2 ore e 30 minuta. Testet e provimeve të detyruara dhe të provimit me zgjedhje do të hartohen, administrohen dhe vlerësohen nga Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA).

Testi për secilin nga provimet e detyruara dhe të provimit me zgjedhje vlerësohet me 60 pikë maksimale, ndërkohë që për të qenë kalues, maturanti duhet të sigurojë detyrimisht 25 për qind të totalit të këtyre pikëve maksimale. Në të kundërt duhet t’i japë sërish provimet në sezonin e vjeshtës, duke humbur kështu të drejtën e konkurimit përgjatë raundit të parë të pranimeve në universitete.

Pranvera Kola\Dita

Back to top button
LAJMET E FUNDIT