Me autobus për pushime? 9 rregulla që duhet të zbatojnë pasagjerët dhe shoferi

Jo të gjithë kanë mundësinë e një automjeti personal për të shkuar me pushime apo për të shijuar plazhin. Autobusët dhe furgonët turistikë do të lejohen, ende nuk ka një datë, por duhet që të zbatojnë disa rregulla. Pasagjerët në to apo edhe në anijet turistike duhet të qëndrojnë të ulur në 1 metër distancë nga të tjerët.
“Nëse është e mundur, rekomandohet që udhëtarët të mos ulen direkt pas njëri tjetrit, por në formë diagonale duke e lënë bosh vendin pas secilit”, është një nga rekomandimet e draftit të protokollit të masave. Po ashtu pasagjerët duhet që gjatë udhëtimit të mbajnë maskat.
Rregulla të transportit me autobusë/ furgona turistikë
1. I gjithë mjeti të dezifektohet nga sipërmarrje të licensuara, dhe të pajiset me të gjithë inventarin e pajisjeve të nevojshme anti-Covid19, përshirë këtu edhe kutitë e emergjencës dhe të ndihmës së shpejtë për cdo rast.
2. Sediljet dhe sidomos sipërfaqet që mund të kontaktohen me duar, dhe konsiderohen mbajtëse të mikrobeve, duhet të dezinfektohen rregullisht disa herë në ditë, si dhe të higjenizohen me pajisje pastrimi me përbërje alkooli.
3. Shoferi dhe shoqëruesi i mjetit duhet të mbajnë përgjatë gjithë kohës maska dhe doreza si dhe të respektojnë distancën fizike me pasagjerët. Përgjatë ngarkim-shkarkimit të bagazheve duart duhen dezinfektuar me kujdes.
4. Shoferi dhe shoqëruesi i mjetit duhet të informojnë pasagjerët në gjuhë të kuptueshme për ta, mbi rëndësinë e mbajtjes së distancës fizike me të paktën 1 metër nga njëri-tjetri, si dhe duhet të informojnë pasagjerët mbi protokollet e masave anti-Covid19 në rast të konstatimit të të dyshuarve me simptoma të infeksionit Covid19.
5. Mjeti i transportit turistik të pastrohet me kujdes para dhe pas përdorimit nga vizitorët, si nga jashtë ashtu edhe nga brenda, me kujdes dhe vëmendje të vecantë në krahët e mbështetjes së sediljeve, parmakëve mbështetës, xhamave si dhe dyerve.
6. Rekomandohet të vendoset një mbrojtëse fizike midis sediljes së shoferit dhe pasagjerëve (pleksiglas ose të ngjashme me to). Nëse kjo nuk është e mundur atëherë rreshti i parë i sediljeve pas shoferit të mos përdoret për uljen e pasagjerëve.
7. Rekomandohet që numri dhe rregullimi i pasagjerëve nëpër vendet e mjetit të jetë i tillë që të lejojë distancën prej 1 metri midis tyre. Nëse është e mundur, rekomandohet që udhëtarët të mos ulen direkt pas njëri tjetrit, por në formë diagonale duke e lënë bosh vendin pas secilit
8. Rekomandohet që përgjatë gjithë periudhës së udhëtimit, pasagjerët të përdorin maska mbrojtëse njëpërdorimshe të cilat mund të vihen në dispozicion nga administratori i mjetit turistik.
9. Rekomandohet që ventilimi i mjetit të jetë sa më natyral dhe të evitohen ku është e mundur kondicionimi.