Mustafa Nano: Duhet të hapet ekonomia, entuziasmi i Ramës nuk funksionon

Analisti dhe gazetari Mustafa Nano e sheh të domosdoshme hapjen e plotë, për t’i dhënë frymëmarrje ekonomisë së vendit, e vënë në provë fillimisht nga tëmeti dhe më pas nga koronavirusi. Në një intervistë në studion e lajmeve në TvT, Nano tha se e parë në aspektin ekonomik, kura për koronavirusin, për vendin mund të rezultojë më e dëmshme se vetë sëmundja. Sipas Nanos, pavarësisht përpjekjeve të kryeministrit Rama për ta ngjyrosur me optimiziëm këtë situatë, ajo mbetet problematike.

“Ramën e kam parë të përpëlitet, nga njëra anë mes shqetësimit që duhet të ketë për koronavirusin dhe nga ana tjetër shqetësimit për ekonominë e vendit. Kura që është zgjedhur, karantinimi, mund të rezultojë më e dëmshme se sëmundja. Shqipëria është penalizuar edhe nga koronavirusi edhe nga tërmeti. Vendi ka nevojë për para. Kam përshtypjen se nëse Rama synon të provokojë entuziazëm, nuk ka për të funksionuar. Duhet të hapet ekonomia”, tha Nano.

Analisti Nano komentoi edhe përpjekjet për rinisjen e punës për reformën zgjedhore. Sipas tij, kërkesa për mbështetjen e SHBA-ve vjen për shkak të mosbesimit të palëve në raport me njëra-tjetrën.

“Procesi i negociatave në funksion të rishikimit të Kodit Zgjedhor është i vështirë dhe mesa duket nuk funksionon. Besoj që nuk kanë për t’u marrë vesh dhe kërkojnë praninë e një pale të tretë. Palët kanë vështirësi për të komunikuar me njëra-tjetrën, nuk kanë besim dhe duan praninë e dikujt tjetër. Unë mendoj që këtu opozita ka një detyrë të madhe. Në procesin e përgatitjes së infrastukturës zgjedhore duhet të synojë t’u japë zgjidhje problemeve që ka ngritur vetë. Këtë synim duhet të ketë: zgjidhjen e tyre. Unë e shoh si detyrë të opozitës. Duhet të shkojë urgjentisht në tryezë. Ne dimë që nga PD pëlqehet ky ligj që është. Detyra e opozitës është të shkojë dhe të synojë t’u japë zgjidhje problemeve që ka ngritur për vite me radhë”, tha ai.

Në lidhje me Gjykatën Kushtetuese, në dritën e zhvillimeve të fundit politike në Kosovë, ku kjo gjykatë pati një rol vendimtar, Nano tha se deri tani vakuumi i krijuar nga mungesa e këtij institucioni i ka lënë hapësirë më të fortit.

“Ne nuk kishim nevojë për shembull për ta kuptuar këtë. Të gjithë e kanë theksuar se mungesa e Kushtetueses krijoi një zbrazëti të madhe në sistem. Ka pasur përplasje që janë zgjedhur mbi bazën e logjikës së të fortit, ka fituar maxhoranca. Mungesa e Kushtetueses është zbrazëti. Përveçse prish punë, ajo krijon idenë e mungesës së shtetit. Nëse njerëzit janë me idenë se shteti nuk është serioz, mbi këtë lloj perceptimi mund të ndodhin gjëra të papëlqyeshme”, tha ai.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT