“Ndryshimet e kufijve”, Thaçi dhe Mustafa i përgjigjen Kurtit: SHBA e di realitetin

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetari i LDK-së Isa Mustafa, kanë reaguar për letrën që kryeministri në detyrë Albin Kurti i ka dërguar zëvendës presidentit amerikan Mike Pence.

Ditën e djeshme, zëdhënësi i qeverisë Përparim Kryeziu, njoftoi përmes një postimi në Facebook se në letrën e dërguar, Kurti ka shprehur shqetësimin e tij mbi planet e presidentit Thaçi për shkëmbim territorial.

Gjatë një konference për shtyp ditën e sotme, i pyetur për këtë çështje, Thaçi u shpreh se Amerika e njeh realitetin në Kosovë shumë mirë.

“Sa i përket letrave që theksuat unë nuk jam duke lexuar nuk i kam pasur nëpër duart e mia është e lirë që t’i shkruaj kujtdo çka do nuk e kam ndermen të merrem me këto letra, SHBA e njohin realitetin në Kosovë shumë mirë, dhe të gjithë të tjerët”, ka thënë Thaçi.

Ndërkohë kreu i LDK-së Isa Mustafa përmes një postimi në Facebook ai tha se ka thënë se askush nuk mund t’i ndryshojë kufijtë e Kosovës, pasi kjo çështje, është në përgjegjësinë e Kosovës.

”Askush nuk mund ti ndryshojë kufijtë e Kosovë, në qoftë se ne i besojmë vetëvetes për të mos i ndryshuar. Kjo është në dorën dhe në përgjegjësinë tonë.

Nuk është Grenelli as Borelli e as Lajçaku ata që ndryshojnë kufij dhe shkëmbejnë territore. Prandaj është e padenjë që mosguximin tonë për t’iu përveshur dialogut ta arsyetojme me rrezikun e “kasapimit” të Kosovës”, tha Mustafa.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT