Pandemi dhe terrorizëm, si ra në pranga taxhiku terrorist që do kryente atentat në Shqipëri

Pak ditë më parë, Policia e Shtetit njoftoi arrestimin e një të riu nga Taxhikistani, të kërkuar nga drejtësia gjermane për veprën penale të terrorizmit.
Sipas policisë, 24-vjeçari Komrom Zukhuro dyshohet se ishte anëtar i ISIS. Arrestimi është kryer nga drejtoria e Antiterrorit, pas informacioneve të marra nga homologët ndërkombëtarë.
“Ky shtetas ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ëiesbaden, Gjermani, pasi në ngarkim të tij, Gjykata Federale në Karlsruhe, Gjermani, më datë 21.04.2020 ka lëshuar urdhrin e arrestit ndërkombëtar, për veprën penale ‘pjesëmarrje në një organizatë të huaj terroriste’, i dyshuar si anëtar dhe pjesëmarrës i kësaj organizate të huaj terroriste, e themeluar si celulë terroriste në Gjermani për të bërë xhihad në emër të shtetit islamik (ISIS)”, citohet në njoftim.
Policia i ka kaluar materialet hetimore Prokurorisë së Tiranës, me qëllim nisjen e procedurave të ekstradimit të 24-vjeçarit të arrestuar për terrorizëm.
Po cila është historia e tij
Arrestimi i Komrom Zukhuro është bërë në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’. Ai ishte strehuar në një familje nga Taxhikistani në zonën e Laprakës dhe ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar i dyshuar si anëtar dhe pjesëmarrës organizatës së huaj terroriste të themeluar si celulë terroriste në Gjermani për të kryer sulme në emër të ISIS.
Grupi i tij u godit nga shteti gjerman në datë 15 prill, ndërkohë që mediat gjermane raportuan njëri nga anëtarët e kësaj celule Ravsan B. kishte pranuar një urdhër për të kryer një vrasje në Shqipëri, për të cilin do të paguhej 40 mijë dollarë.
Ravsan B., një refugjat nga Taxhikistani në Wuppertal, ra dakord kështu që të vriste një biznesmen shqiptar pas telefonatës që mori nga një numër suedez ku i thuhej se “duhet të varroste një njeri të ndyrë”.
Kjo u verifikua pas kontrollit që autoritetet i bënë celularit të tij. Gjysma e parave janë “për vëllezërit”, thuhej në përgjimet që iu gjeten Ravsan.B, ndërsa pjesën tjetër duket se do ta mbante për veten dhe shokët e tij në Gjermani.
Autoritet gjermane mohuan mundësinë e terroristëve që të mund të kryenin vrasjen në Shqipëri. Prokuroria e përgjithshme sqaroi se Ravsan B. ka qenë në Shqipëri bashkë me shokun e tij Sunatullokh K. për të kryer sulmin, por ata dështuan.
Hetimet treguan se nga gjashtë anëtarë të grupit terrorist, tre prej tyre kanë qenë në Shqipëri, ndërsa katër anëtarët e tjerë tashmë janë prapa hekurave.
Të gjithë anëtarët e bandës kriminale i ishin bashkuar ISIS-it në Janar të vitit 2019 dhe kishin kontakte me dy udhëheqës të lartë të organizatës në Siri dhe Afganistan, nga të cilët merrnin udhëzime.
Erion Habilaj