Përkatësia etnike shqiptare e Arbërisë së Jugut

Rreth veprës “ARBËRIT E JONIT” të Prof. Pëllumb Xhufi
Prof. Xhufi ka realizuar për herë të parë një studim të plotë, me kontribute origjinale për disa prej çështjeve kardinale të historisë së Mesjetës shqiptare. Mbi bazën e një dokumentacioni arkivor të panjohur, apo të keqinterpretuar, ka rindërtuar historinë mesjetare të principatave të Shqipërisë së Jugut duke sjellë të dhëna e ide të reja mbi proceset shtetformuese në trojet shqiptare, çka bënë që Shqipëria të njihej edhe në botën e jashtme si një entitet shtetëror
Prof. Ksenofon KRISAFI*
Diku aty nga fillimi i vitit 2013, me një grup shokësh dhe Pëllumb Xhufin, i cili sapo ishte kthyer nga Venecia, ku kishte qenë për rreth dy muaj kërkimesh arkivore e bibliografike, u ulëm për një darkë. Pasi na shpërndau secilit nga një suvenir simbolik nga Italia, mua më tha se për ty kam një surprizë të veçantë. Të kam gjetur një “kushëri” në Venedik, Gjinin – Gjin Krisafin, i cili në shekullin e XVII banonte në ishullin Paksos dhe shërbente si rremëtar (galeot) në flotën veneciane. Emri i tij përmendej si banor ishullor në trojet arbërore, në shkurt të vitit 1621. Historinë e “kushëririt” e gjeta më të plotë, te Arbërit e Jonit, Vlora, Delvina e Janina në shekujt XV-XVII, një libër impresionues me 1440 faqe, që prof. Xhufi e publikoi në fundin e 2016. Ai është pjesë e një kolane botimesh të tij që nisën në vitin 2006, me Dilemat e Arbërit, për të vazhduar me Ikje nga Bizanti, Nga Paleologët te Muzakajt, Shekullin e Voskopojës: (1669-1769), Çamëria: vështrim historik dhe etno-kulturor (bashkautor), Skënderbeu, ideja dhe krijimi i shteti. Ndër punimet e tjera, me rëndësi për historiografinë shqiptare janë edhe librat: Histori e Popullit Shqiptar, (Mesjeta), Histori e Kosovës, dorëzuar për shtyp, Çamëria, vështrim historik e etno-kulturor, L’Albania Veneta, tekste të Historisë për gjimnazet etj. disa prej të cilëve në bashkautorësi. Vend të veçantë do të zinin përkthimet, midis të cilave vepra e rëndësishme e Luçia Nadin –Statutet e Shkodrës në gjysmën e parë të shekullit XIV me shtesat deri më 1469. Përkthimi mjeshtëror i Xhufit ia ka shtuar së tepërmi vlerat.
Në 2016, siç u tha, do të riktheheshin sërish Arbërit, por tashmë si personazhe qëndrore të veprës madhore Arbërit e Jonit.
Përmes këtij korpusi voluminoz studimesh fondamentale Xhufi ka realizuar për herë të parë një studim të plotë, me kontribute origjinale për disa prej çështjeve kardinale të historisë së Mesjetës shqiptare. Mbi bazën e një dokumentacioni arkivor të panjohur, apo të keqinterpretuar, ka rindërtuar historinë mesjetare të principatave të Shqipërisë së Jugut duke sjellë të dhëna e ide të reja mbi proceset shtetformuese në trojet shqiptare, çka bënë që Shqipëria të njihej edhe në botën e jashtme si një entitet shtetëror.
Vështrimi kërkimor-shkencor i autorit Xhufi në librin Arbërit e Jonit shtrihet në një periudhë treqind vjeçare dhe përfshin historinë e pothuajse gjysmës së trojeve shqiptare. Është një skanim i plotë i çdo aspekti të jetës në Shqipërinë e Poshtme. Bëhet fjalë për historinë politike, territorin dhe banorët, jetën e përditshme, organizimin, administrimin, strukturat demografike dhe sociale, qeverisjen, veçanërisht në qendrat kryesore, tregtinë, ekonominë, komunikacionin, lundrimin, marrëdhëniet brenda dhe jashtë botës shqiptare, diplomacinë, kryengritjet, betejat dhe luftrat me pushtuesit, fushatat ushtarake, mbrojtja e vendit, shoqërinë, kulturën, ikjen e madhe, murtajën etj, dhe mbyllet me agimin e erës së nacionalizmit.
Arbërit e Jonit është një nga veprat më të mira, më themelore, më madhore të deritanishme të Pëllumb Xhufit. Për realizimin e saj ai kërkoi gjatë në arkiva, biblioteka, institucione kërkimore etj, brenda e jashtë Shqipërisë. Studioi dhjetra dosje me dokumente arkivore, dorëshkrime të panjohura e të pashfrytëzuara më parë nga historiografia shqiptare, në arkivin e Venecies, në bibliotekat publike e private të këtij qyteti – Marciana, Correr apo Querini, në fonde të arkivit të Simankës në Spanjë, në burime spanjolle, napoletane, papale, gjithashtu edhe në burimet shqiptare. Spektri i shikimit të tij ka përfshirë edhe burime të tjera latine, italiane, greke apo osmane, një numër të pafundëm librash, monografish, artikujsh etj. si edhe disa burime specifike si Kronika e Janinës, Kronika e Tokove apo Kronika e Moresë” e shek. të XIV etj.

Qëndroi me muaj në Venecia, jo rastësisht sepse Venediku, si superfuqi e dikurshme mesdhetare, kishte grumbulluar, përpunuar dhe depozituar në institucionet e veta dokumente të gjithfarllojshme, të cilat sot përbëjnë thesare të paçmuara me rëndësi e vlera të mëdha për historinë e vendit tonë dhe vendeve të tjerë. Hulumtoi për një prej periudhave më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, e cila përgjithësisht konsiderohej si vakuum historik problematik. Zgjedhja nuk ishte e rastësishme. Besonte fort se, siç e thotë vetë, do të sillte diçka të re. Shpresonte gjithashtu se do të sqaronte edhe të vërtetën rreth disa sajesave të dyshimta të kohëve moderne, “kur një lloj historiografie e huaj, mjedise akademike dhe politike të vendeve fqinje, duke shfrytëzuar heshtjen e historiografisë shqiptare dhe duke u mbështetur në shtrëmbërime dhe falsifikime, kanë ngritur teza shoviniste dhe pretendime territoriale ndaj Shqipërisë”. Bindja e tij u vërtetua. Konstatoi se i gjithë territori nga Vlora, në veri dhe deri në Prevezë, në jug, ishte pjesë e habitatit shqiptar, ku vendet dhe njerëzit përcaktoheshin qartë si shqiptarë. Ai, përmes një metodologjie rigoroze shkencore, mbështetur mbi një “mal” me dokumente autentike, të paanshme dhe objektive, riafirmon pa asnjë rezervë përkatësinë arbërore të këtij rajoni gjeografik, prejardhjen e banorëve të tij, shqiptarëve, si pasardhës të ilirëve, si autoktonë në trojet e veta. Këtë konkluzion e mbështet edhe toponimia shqiptare, e cila ka rezistuar në shekuj, megjithëse e sulmuar vazhdimisht nga toponimia sllave dhe ajo greke. E mbështet gjithashtu edhe në një element tjetër që është përdorur me shumë mënçuri nga autori, emrat e familjeve dhe njerëzve të tyre, protagonistë ngjarjesh ose bujq, blegtorë ose zejtarë të zakonshëm, që provon se banorët e këtyre rajoneve ishin shqiptarë dhe flisnin shqip. Kuptohet se tashmë konfiguracioni etnik nuk është si dikur. Transformime radikale, ndërhyrje sistematike, zhvendosje e shpërngulje të dhunshme popullsish, politika konsekuente asimiluese e kanë ndryshuar përbërjen.
Me Arbërit e Jonit, Xhufi kontribuon për vënien në vend të të vërtetës së madhe se shqiptarët kanë qenë në tokat e veta dhe nuk janë të mbivendosur pas pushtimit Osman, sikurse dëgjohet të thuhet ndonjëherë. Nëpërmjet argumenteve bindëse, me arsyetime të fuqishme logjike e shkencore, përmes analizës së hollësishme, shumë të vëmendshme të të dhënave, fakteve si edhe të një informacioni voluminoz, iu ka dhënë përgjigje shumë pikëpyetjeve të shtruara gjatë dekadave. Në këtë mënyrë rindërton saktësisht historinë e një treve të gjerë, që përfshin Vlorën, Labërinë, Himarën, Delvinën e Çamërinë, gjatë një periudhe kohore të shtrirë në shek. XV-XVII.
Është e padiskutueshme përkatësia etnike shqiptare e Arbërisë së Jugut, siç e quajnë dokumentet veneciane, ashtu si dhe ato evropiane në përgjithsi, përfshirë edhe burimet greke. Vetëm, në fillim të shek. XX në aktet zyrtare e në tekstet shkollore të shtetit helen nisi të përdorej në mënyrë të programuar termi “Vorio Epir”, pa kurrfarë fondamenti historik, por me synime të qarta aneksionuese. Xhufi ka sjellë një mbështetje të fortë, nëpërmjet qindra dokumentave të panjohura të cilat e pohojnë pa ekuivok, duke i përkufizuar shprehimisht vendbanimet rurale të kësaj zone si fshatra shqiptare. Autori konfirmon të vërtetën se arbërorët shquheshin për vlerat, aftësitë politiko-organizative, kulturën dhe nivelet e zhvillimit, të cilat janë shtrembëruar dhe zëvendësuar qëllimisht nga falsifikatorë. Dokumentet e ekspozuara pa kursim dhe të analizuara me urtësi e kompetencë, hedhin poshtë tentativat për manipulime.
Shqiptarët që trashëguan territoret e Despotatit të Epirit të shek XII, ku ata mbizotëronin, për të treguar për vendin e tyre adoptuan emrin e bukur “Arbëri” dhe “Arbëri e Poshtme”, që përfshinte pothuajse gjithë pjesën e bregut të Jugut, nga Vlora, deri afërsisht në Gjirin e Prevezës, e cila në të gjitha periudhat e Mesjetës ka përbërë një etnitet të veçantë gjeopolitik. Në antikitetin e vonë, ishte identifikuar si provinca e Epirit të Vjetër, më tej si Nikopoli, në periudhën osmane si Sanxhaku i Vlorës, e rikonfirmuar pak a shumë si e tillë edhe në periudhën e Ali Pashë Tepelenës, kur territoret kryesore të pashallëkut të vet shtriheshin në po atë hapësirë gjeografike. Në këto treva, në shek. XIV, në sajë të punës, aftësive dhe përkushtimit arbërit arritën nivele të avancuara të zhvillimit ekonomik dhe një shkallë të lartë emancipimi politik. Patën kështu mundësinë t’i jepnin Arbërisë jo vetëm tonin, por, siç shprehet autori, edhe klasën drejtuese. Edhe në Shqipërinë e Poshtme përmenden tashmë krerët e familjeve feudale Bua, Shpata, Zenebishi, Losha, të cilët u shquan për veprimtaritë dhe kontributet e tyre. Autori ka cituar një numër dokumentesh që flasin me lëvdata të shumta për ta. Do të mjaftohemi duke sjellë vlerësimin e Gjin Bua Shpatës, në “Kronikën e Janinës”, ku ai cilësohet si “lavdia e racës shqiptare”. Ky fenomen kuptohet nëse mbahet parasysh se politika dhe ideologjia shtetërore e Perandorisë Bizantine nuk e pengonte, përkundrazi tentonte të zhdukte konotacionet me karakter etnik e t’i përfshinte të gjithë popujt në përbërje të saj, nën emërtimin e përgjithshëm shtetas të “Romës së Lindjes”. Midis tyre përzgjidhte më besnikët dhe më të shquarit për t’i promovuar në krye të administratës, pushtetit vendor, politikës, diplomacisë, kulturës, hierarkisë klerikale etj. Pra për konceptin e atëhershëm “globalist” të Konstandinopojës të gjithë ishin “romakë” të Lindjes dhe jo shqiptarë, grekë, vllehë, bullgarë etj. Vetëm pas fitores së Akeloos, kur pothuajse i gjithë Epiri u vu nën drejtimin e krerëve shqiptarë, do të binte gradualisht edhe apelacioni përgjithësues “bizantin” dhe dolën emërtimet etnike, kombëtare. Prej kësaj kohe nisin të përdoren kudo në trojet shqiptare emërtimet arbër, arbërorë, shqiptarë, Arbëri etj, ndërkohë që, siç pohon autori, nuk i rezulton që në territoret e Shqipërisë së Poshtme të kësaj periudhe të ketë pasur fshatra, bashkësi apo grupe të veçanta, të cilësuara si “greke”. Kishte natyrisht tregtarë grekë, raguzanë e deri edhe armenianë, të cilët shfaqeshin në skelat e Vlorës, Bastijes e Igumenicës, apo edhe në qendrat e sanxhaqeve të Vlorës, Delvinës e Janinës, për të shitur a blerë mallra.

Ai ndalet posaçërisht në një çështje me interes të posaçëm, të cilën e trajton duke e vlerësuar Arbërinë në kuptimin etnografik, si vendin e arbërve. Një dokument i vitit 1417, i cituar prej tij, përmend banorët e Arbërit të hinterlandit të Durrësit, të quajtur “Arbërorët e Arbërit”. Emri “Arbër” gjatë shek të XIV del gjerësisht edhe në Epir e në More, pa mbetur vetëm në territoret e Shqipërisë së Mesme. E vërteta e rolit historik të tyre në Shqipërinë e Poshtme, shërbeu si nxitje që ai të fokusohej në Arbërinë e Poshtme, me të cilën nënkupton ndarjen e madhe gjeografike të Labërisë. Sipas tij fjala Arb vjen si metatezë e fjalës Lab ose e anasjellta e saj.
Periudha për të cilën flitet në libër përshkohet nga një varg veprimtarish me karakter politiko-ushtarak, nga luftra dhe beteja të ndryshme. Sepse Arbërit ishin zotër autoktonë të një hapësire me rëndësi strategjike, ku përplaseshin interesat e Fuqive të asaj kohe. Atdheu i tyre ishte kufiri natyror ndërmjet Perandorisë Osmane dhe Perëndimit europian, ushtritë e të cilave e shkelën dhe e shkatërruan në mjaft raste. Ata nuk ndenjën duarkryq, reaguan fuqimisht ndaj pushtimeve veneciane, anzhuine, osmane etj, mbrojtën me vetmohim trojet e veta. Rezistenca e tyre mori trajtat e kryengritjeve të herëpasherëshme që u bënë episode të asaj që mund të quhet si Lufta e Madhe e popullit shqiptar për ekzistencë.
Autori nuk ka mbetur në terrenin narrativ për të përshkruar betejat, luftrat, humbjet e palëve etj, por ka trajtuar interesat, kontradiktat, përplasjet, taktikat dhe strategjitë e përdorura për ta bërë Shqipërinë kryurë ose prapavijë të betejave të palëve kundërshtare për depërtim drejt Perëndimit europian ose Lindjes Osmane. Libri është i mbushur me dokumentimin e veprimtarive politike e diplomatike, të zyrtarizuara herë pas here edhe me tratativa e marrëveshje, të fshehta e të hapura. Në të shumtën e rasteve ato janë zhvilluar njëkohësisht me inkursionet e ushtrive që vinin dhe përplaseshin në brigjet dhe tokat shqiptare, duke kryer vrasje, masakra, shkatërime etj.
Në libër trajtohen për herë të parë disa ngjarje dhe personazhe interesante, si inkursioni i flotës osmane të nisur në vitin 1481, nga Vlora drejt Italisë së Jugut, me synim Otranton, Perëndimin europian, ishullin e Korfuzit dhe ishujt Jonianë. Përshkruhet beteja e Lepantos, lufta Veneto-Osmane (1499-1503), lufta e vitit 1537 për pushtimin e Kretës (1645-1669) etj. Gjatë atyre tokat shqiptare shërbyen si prapavijë, sidomos për venecianët, që ishin më të interesuarit për të ruajtur trafikun e anijeve në Detin Adriatik, që e konsideronin si mare nostrum. Flitet për pushtimin e Vlorës nga venecianët në vitin 1690, për ripushtimin e kështjellës së Vlorës dhe të Kaninës, rreth 6 muaj më vonë dhe sillen hollësi interesante etj. Autori i tregon jo thjesht si histori ose pjesë të historisë, por për t’iu dëshmuar lexuesve dhe studiuesve se shqiptarët nuk ishin spektatorë indiferentë në përleshjet që zhvilloheshin në “shtëpinë e vet”, ishin edhe pjesëmarrës aktivë, me ndikime të rëndësishme në krahun e palës me të cilën i lidhnin interesat e atdheut.
Arbërit e Jonit kishin një territor me rëndësi gjeostrategjike, të vlerësuar dhe të mbrojtur prej tyre me sakrifica, ku zhvillonin një veprimtari të konsiderueshme ekonomike. Rritja e prodhimit bujqësor, e rolit të qyteteve si qendra të prodhimit artizanal, të tregtisë dhe të shkëmbimeve me brenda dhe jashtë vendit, i dha hov zhvillimit ekonomik dhe shndërrimit të shteteve feudale shqiptare në faktorë politikë në rajon, përpara ardhjes së Osmanëve. Shqipëria e asaj kohe ishte një vend i begatë. Veçanërisht në territoret e Arbërisë Joniane, në zonat e Vlorës, Delvinës, Çamërisë etj sigurohej një prodhim i kënaqshëm drithi, që e bënte atë një nga zërat e rëndësishëm të eksporteve shqiptare në brigjet e përtejme dhe që ushqente me bukë edhe Korfuzin, Venedikun, Raguzën etj. Krahas grurit, në trevat shqiptare prodhoheshin dhe eksportoheshin gjithashtu misër, kripë, valanidh, peshk, lëkurë, dyll, vaj etj. Autori pohon se “lidhjet ekonomiko-kulturore me Perëndimin vazhduan të jenë edhe paskëtaj të forta. Në shkëmbimet tregtare me Venedikun, Napolin, Raguzën apo Ankonën, përfshiheshin si shqiptarë të krishterë, ashtu edhe shqiptarë myslimanë, që shpesh herë vepronin në kompani të përbashkëta tregtare me të parët. Njëlloj si ata paraqiten si lundërtarë e tregtarë të sprovuar, njerëz të mësuar e njohës të mirë të gjuhëve perëndimore. Arbëria Joniane, sikurse edhe Arbëria e Sipërme, ishin jo vetëm atdheu i burrave dhe grave trima e punëtorë, të mënçur e të zgjuar, po edhe vendi i njerëzve të kulturuar. Sipas atyre që thotë autori, ajo dallohej si një nga vatrat kryesore kulturore të Ballkanit adriatiko-jonian. Shqiptarët admironin kulturën, artin, shkencën, politikën, diplomacinë etj dhe kishin përfaqësuesit e tyre dinjitozë të krahasueshëm më ata të vendeve të tjerë.
Një pjesë të konsiderueshme të trojeve të Arbërve të Jonit fatet e i historisë i lanë jashtë kufijve zyrtarë të Shqipërisë së sotme. Për fat të keq padronët e rinj të tyre janë munduar sistematikisht, me çdo mënyrë ta ndryshonin përbërjen etnike, të fshinin gjurmët e shkrimit dhe të folurës së gjuhës amtare, zakonet, veshjet tradicionale kombëtare, folklorin, besimin fetar etj dhe, në kuadrin e rishkrimit të historisë të zhdukin edhe toponiminë shqiptare të krejt rajonit. Por, të dhënat e pakontestueshme të dokumentave të shumta, disa prej të cilave flejnë ende nën pluhurin e dosjeve voluminoze të arkivave kudo në vendet e rajonit, veçanërisht në ato të Venedikut, nuk lënë asnjë dyshim se këto kanë qenë territore arbërore-shqiptare, zgjatimet e të cilave shkonin deri në Prevezë, madje me interferime edhe në Peloponez. Këtu shfaqet edhe një nga vlerat e shumta të librit të Xhufit, e cila ka të bëjë me demaskimin kurajoz, përgënjeshtrimin dhe hedhjen poshtë me fakte të pakundërshtueshme të pretendimeve dhe tentativave të vazhdueshme të fqinjëve për të fshehur, deformuar dhe fshirë historinë e trojeve shqiptare. Faktet e shumta të rreshtuara në libër përshkohen nga sensi maksimal i objektivitetit historik. Sepse dokumentacioni mbi të cilin ai mbështetet nuk është prodhuar nga burime shqiptare dhe nuk vjen nga arkivat shqiptare. Burimi janë arkivat më autoritare të shekujve të shkuar, arkivat e një prej vendeve më të zhvilluara të Europës Mesjetare, Venedikut superfuqisë së detrave, e zgjeruar dhe e vendosur në gjithë gjatësinë e brigjeve të Adriatikut dhe të Jonit, deri në brendësi të gadishullit Ballkanik.
Autori i thotë këto jo për të nxitur ndjenjën e revoltës apo për të frymëzuar lëvizje për ndryshim kufijsh, por si shkencëtar që nuk mund të bëjë kompromise në dëm të të vërtetave historike. Ai kërkon që historia të njihet ashtu siç është dhe jo ashtu siç e duan qarqe të caktuara politike.
Ai është ndalur shumë gjatë në analizën e një mase të madhe dokumentare, deri tani të panjohur, ku flitet për Çamërinë dhe Himarën. Çamëria e sotme ose Thesprotia e dikurshme, e përmendur që në shek e IX me emrin Vageneti, shtrihej në pjesën e Epirit klasik. Fillonte nga Gjiri i Prevezës në jug deri në Delvinë në veri, ku, siç dëshmohet në “Kronikën e Tokove”, në hapësirën Pargë-Paramithi-Janinë, Artë dhe gjithë territoret në veri të saj, banonin popullsi shqiptare të krishtera. Kishte ndonjë përjashtim, sikurse ndodhte në Janinë e Marglliç, ku duke nisur nga fundi i shek. XVI kemi dhe dëshmitë e para të ndonjë komuniteti të vogël mysliman. Mbi këtë popullsi kompakte shqiptare alternohej pushteti i sundimtarëve vendas ose të huaj. Shumica shqiptare dallohej nga të tjerët nga veshja, mënyrat e sjelljes dhe gjuha, shkruante Lord Broughtoni, në fillim të shek të XIX. Dokumentacioni i arkivave të Venedikut, i sjellë në Shqipëri dhe i studiuar nga prof. Xhufi, i plotësuar edhe nga toponimia gati tërësisht shqiptare e gjithë kësaj hapësire, zbulon se çamët janë arbër autoktonë. Drejtuesit e tyre zotëronin prona dhe pasuri të mëdha.
Autori ka trajtuar gjerësisht edhe qytetin e Janinës, një nga metropolet e rëndësishëm të asaj kohe për gjithë Arbërinë e Jonit. Shumica e popullsisë së saj ishte shqiptare. Banonin gjithashtu grekë, vllehë me prejardhje nga Pindi dhe Mecovo, si dhe hebrej të ardhur nga Spanja, Portugalia dhe Italia e Jugut. Shumë nga këta u vendosën aso kohe edhe në Vlorë, duke arritur në periudha të caktuara deri në pothuajse gjysmën e popullsisë së saj. Xhufi me objektivitetin e një shkencëtari të mirëfilltë thotë se atëhere shqiptarët, grekët, hebrejte, vllehët kanë jetuar në suazën e perandorive shumëkombëshe, ku banorët si “shtetas” të perandorisë banonin e zhvendoseshin në te gjithë territorin e saj. Prandaj shqiptarët ishin jo vetëm në territoret e veta, por edhe në Etoli dhe në Akarnani, deri në gjirin e Neopaktit apo të Korinthit siç njihet sot dhe që ishte një vazhdimësi. Këto i provojnë jo vetëm arkivat veneciane, por edhe defterët Osmanë të shek. ‘15 e ‘16.
*Autori është dekan i Fakultetit të Shkencave Juridike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare
në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë
(Vijon numrin e ardhshëm)
Në trajtimin e ngjarjeve që përshkuan shekujt XV-XVII, në hapësirën prej Vlorës deri në Prevezë, ku përfshiheshin edhe qytete e krahina gjithë lavdi si Labëria, Himara, Delvina, Saranda, Gjirokastra dhe Çamëria, Xhufi ndalet posaçërisht te Himara, e cila atij i rezulton, ashtu siç ka qenë e siç është, një krahinë që ka pasur gjithnjë vetëm banorë shqiptarë. Për ta plotësuar gjithë të vërtetën e sulmuar vazhdimisht nga lloj-lloj shovinistësh, ai tregon të vërtetën e kishës së Shën Thanasit në Dhërmi, vërteton se Dionis Filozofi ishte shqiptar, se Shën Kozmai i Etolit i ardhur me qëllime të caktuara në trojet shqiptare, shembi një kishë për të ndërtuar një shkollë greke.
Përforcohet me dokumente autentike se himarjotët janë shqiptarë madje ndër shqiptarët e angazhuar kurdoherë në qëndresën anti-osmane. Patën meritën se ruajtën lidhjet që kishte Shqipëria para pushtimit osman me perëndimin, veçanërisht me mbretërinë e Napolit dhe me republikën e Venedikut. Xhufi flet gjerësisht për historikun e Himarës, shtrirjen, kuptimin gjeografik dhe administrativ të saj në shekuj, rolin e luajtur dhe rëndësinë që ajo ka pasur për atdheun e vet, Shqipërinë. Burimet arkivore venedikase konfirmojnë të vërtetën e pakontestueshme se Himara në Shqipërinë e Poshtme ka pasur statusin e njësisë “politike”, “territorit të lire” shqiptar në marrëdhëniet me të huajt, madje edhe në raportet me Shqipërinë e sunduar nga të huajt. Për të “mbuluar” me liri një hapësirë sa më të madhe, drejtuesit e saj përfshinin në shtrirjen e saj gjeografike 52 fshatra nga Labëria, e madje edhe nga Toskëria. Himariotët e fituan statusin e territorit të lirë në sajë të luftrave të pareshtura kundër pushtuesve, veçanërisht kundër pushtuesit osman. Madje rezistenca ndaj osmanëve në fundin e shek XIV, ndikoi në krijimin e imazhit të Shqipërisë si ledhi mbrojtës i krishtërimit europian. Përsa iu përket disa spekulimeve, që ndeshen ngandonjëherë edhe në ditët tona, autori citon një dokument të vitit 1500, ku thuhet shprehimisht se “banorët e Himarës janë ilirë, që sot quhen arbërorë, megjithëse përdorin diçka edhe gjuhën greke, po e përdorin atë si jo grekë”. Në varësi të statusit politik të Shqipërisë, kjo shfaqet në burime herë si Shqipëri “veneciane”, herë si Shqipëri “turke” dhe doemos si Shqipëri “shqiptare”. Ai sjell gjithashtu një tjetër dokument të vitit 1532 me domethënie të veçantë. Përpiluesi i tij, një francez, thekson se kjo “Shqipëri e shqiptarëve” aktualisht njehsohet me një vend të Shqipërisë që quhet Himarë. Në aspektin administrativ, Kostandinopoja e konsideronte Himarën pjesë e nahijes së Kurveleshit, ndërsa Perëndimi e konsideronte vend të njohur nga koha e Homerit dhe Jul Cezarit, si vitrinë e gjithë Arbërit.” Vetë himariotët, në komunikimet me papët në Vatikan, gjithashtu me mbretërit e Napolit në shek. XVI-XVII apo me careshën e Rusisë, në vitin 1756, e konsideronin Himarë gjithë Labërinë (Arbërin). Himariotët ishin dhe mbetën shqiptarë në gen e në vetdije edhe gjatë shekujve në vijim, siç del edhe nga libri i prof. Xhufit.
Arbëria Joniane ashtu si gjithë trevat e tjera shqiptare të asaj kohe, dallohej, veç të tjerave edhe nga përdorimi i gjuhës shqipe, si element identifikues dhe përbashkues i pazëvendësueshëm. Ajo flitej dhe përdorej si gjuha amëtare nga të gjithë shqiptarët, përfshirë natyrisht edhe Arbërit e Jonit, habitatin e të cilëve prof. Xhufi na e ka dhënë të rindërtuar pothuajse të plotë, në të gjithë hapësirën e vet etnike. Ky është një tjetër kontribut shumë i rëndësishëm që sjell libri Arbërit e Jonit.
Zhvillimet dinamike me rëndësi historike të shekujve XV-XVII në tokat shqiptare, në atë që është quajtur edhe Shqipëria joniane ose Shqipëria e Poshtme, ku përfshiheshin sanxhaqet e Vlorës, Delvinës e Janinës, Xhufi i sheh edhe nën optikën e marrëdhënieve turbulente të Perandorisë osmane me Europën Perëndimore. Me këtë spektër vështrimi ka mundur të sjellë kontribute të çmuara për ndriçimin e historisë së Shqipërisë së kësaj periudhe. Trojet shqiptare, që përshkoheshin kohë pas kohe nga lëvizjet e vazhdueshme të popullsive vendase për çlirim dhe shkëputje nga perandoria, ishin shndërruar gjithashtu në fushëbeteja të ekspeditave osmane drejt gadishullit apenin. Aty përplasej edhe furia e koalicioneve ushtarake të fuqive europiane, të organizuara dhe drejtuara nga Papati, që synonin diversionin ndaj Perandorisë nëpërmjet periferive shqiptare.
Arbërit e Jonit plotëson për herë të parë shpërpjesëtimin e trashëguar në historiografinë shqiptare, e cila siç shprehet vetë Xhufi, në tallazet e tranzicionit të gjatë ka pësuar më shumë, sepse kush nuk ka futur duart në të: politika, diletantë edhe spekulantë të ndryshëm. Duke kapërcyer me objektivitet mbi kufizimet e të kaluarës ai saktëson në jo pak raste të vërteta konceptuale të historisë së mesjetës shqiptare dhe të arbërve të nën-Vjosës. Përgjithësisht në studimet albanologjike shqiptare dhe të huaja, interesimi për historinë mesjetare të arbërve ka ndaluar në bregun verior të lumit Vjosa. Kështu kanë vepruar edhe autoritete me emra të përveçëm dhe me kontribute të pamohueshme si Milan Sufflay, Constantin Jireçek, Ludwig Thaloczy, Lucia Nadin, Alain Ducellier etj. Xhufi e “kapërceu Vjosën” dhe zbuloi të dhëna e zhvillime me vlera të mëdha.
Vepra e prof. Xhufit Arbërit e Jonit nuk është një histori e zakonshme politike, por histori e përgjithshme që përfshin gjithë spektrin e jetës njerëzore në trojet e arbërve të Jonit. Nuk i kanë shpëtuar lupës së tij edhe zhvillime të tilla si zia e bukës dhe epidemitë e murtajës që goditën vendin në Mesjetë. Ato vlerësohen si faktorë të rëndësishëm të historisë mesjetare, sepse ngandonjëherë pasojat e tyre ishin edhe më të rënda se vetë luftrat. Ishin fatkeqësi gjëmëzeza, me përmasa dramatike për njerëzimin, të cilat përshkuan botën e asaj kohe dhe iu morën jetën miliona njërëzve.
Xhufi, i ngarkuar me argumente shkencore të nxjerra nga dokumentacioni që solli nga Venediku, nuk nguron të shprehet edhe për ndonjë manipulim të karakterit romantik, të mbështetur mbi frymëzime nacionalisto – folklorike.
DaPritja e lexuesit për Arbërit e Jonit ishte e paparashikueshme, çka u duk në ezaurimin me shpejtësi të të gjithë kontigjentit të botimit të parë, që imponoi botimin e dytë. Dalja e librit të qarkullim dhe disa veprimtari promovuese patën jehonë të gjerë. Ajo u pasqyrua në të gjitha organet e medias së shkruar dhe asaj audio-vizive. Për këto prurje shkencore me rëndësi historike për vendin si dhe për vlerat e tjera të shumta Akademia e Shkencave, në vitin 2017, i dha librit dhe autorit çmimin kombëtar Çabej.
Suksesi i tij shërbeu edhe si shtysë e fuqishme për të përshpejtuar punën dhe ritmet për ta shterur maksimalisht “minierën” burimore venedikase. Ai ka vazhduar inkursionet drejt arkivave në kërkim të thesareve të tjera dokumentare, kësaj here për Arbërit e Veriut. Pas kthimit dhe “ngritjes së kantierit” për fillimin e punës, ai do të deklaronte se “Unë jam i bindur që historia e Shqipërisë nga shek. XV-XVIII do të ribëhej nëse do të kishim mundësi të sillnim ato dokumente. Vetëm në një fond unë arrita të shoh rreth 100 regjistra, ndërkohë që ai fond përmban plot 1140 regjistra. Dhe fondet me interes për Shqipërinë janë mbi 20 dhe kanë nevojë të shkohet të punohet në mënyrë sistematike, të programuar, me grupe pune, që do të dojë vite”.
Vlera e jashtëzakonshme e librit Arbërit e Jonit nuk është rastësore. Ai është produkt i një studjuesi serioz, të afirmuar gjerësisht si një ndër historianët më të mirë shqiptarë të kohës sonë. Është produkt i veprimtarisë krijuese të prof. Pëllumb Xhufit, i cili ka një përgatitje të lartë profesionale dhe mjaft cilësore. Ajo e ka zanafillën në shkollën e mesme ku studioi latinishten dhe greqishten klasike, në fakultetin e filologjisë për gjuhët klasike, histori dhe arkeologji të Universitetit “La Sapienza” të Romës, ku u diplomua me rezultatin “shkëlqyeshëm”, në specializimin dhe kualifikimin e mëtejshëm shkencor në fushën e gjuhëve dhe paleografisë në Gjermani, në Greqi etj. Lidhet edhe me fatin e madh që u caktua nën udhëheqjen shkencore të një prej korifejve të historiografisë shqiptare, prof. Aleks Buda. Punoi në departamentin e Mesjetës në Institutin e Historisë të Akademisë së Shkencave, QSA dhe ASA, si dhe ka ndërmarrë kërkime afatgjata në disa arkiva perëndimore. Është pjesëmarrës aktiv në konferenca shkencore të të gjitha niveleve. Veprimtaria e pareshtur kërkimore është konkretizuar në studime me nivel shumë të lartë, në botime e publikime prestigjioze. Kjo karierë brilante shkencore-akademike dhe profesionale e qytetare e ka afirmuar Xhufin si studiuesin shqiptar më kompetent të fushës së tij. Është pranuar si i tillë edhe në mjediset shkencore dhe akademike ndërkombëtare.
Xhufi bën pjesë në një grup të ngushtë studiuesish që talentin, dhuntitë, vlerat, aftësitë profesionale i ka vënë në shërbim të të vërtetave, me të cilat nuk ka bërë kurrë kompromise, i ka vënë në shërbim të atdheut, të kombit, të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Eshtë kjo arsyeja pse ka shkëlqyer jo vetëm në veprat kushtuar zhvillimeve historike të Mesjetës shqiptare, periudhës objekt parësor i kualifikimit të tij, por edhe ngjarjeve e personazheve të periudhave të tjera, madje jo vetëm të kombit shqiptar në tërë hapësirat e tij të hershme dhe të vonshme, por edhe të popujve e shteteve të tjerë përreth Shqipërisë e më tej, në qendrat e politikës dhe diplomacisë euroatlantike.
Si rrallëkush ka denoncuar haptas politikat antikombëtare dhe antishqiptare të disa prej politikanëve të Tiranës pas viteve ’90 të shekullit të kaluar. Ai shkruan p.sh. se në kohën e tyre “e bukura e dheut” u kthye “në një kosh plehrash për mafien botërore, ku për hir të një pushteti të vjedhur, politika u shkri me krimin dhe nuk hezitoi as edhe të vrasë shqiptarë e të shesë interesat jetike të vendit, të luajë me varret, me kufijtë, me identitetin dhe me historinë e shqiptarëve…”. Qëndrimet konsekuente, mbështetur mbi faktet dhe dokumentet e kanë lejuar që të pohojë pa hezitim, se Lufta Nacionalçlirimtare mbetet një nga faqet më të ndritura në historinë e shqiptarëve dhe e ka mbrojtur atë me argumente e logjikë të ftohtë. Kjo nuk është rastësi. Pëllumb Xhufi është jo vetëm studiues skrupuloz, serioz, objektiv, i vërtetë, por edhe produkt i një mjedisi të caktuar social dhe familjar. Është bir i dy partizanëve që e kanë mëkuar me respektin dhe vlerësimin objektiv të LANÇ. Xhufi dhe të tjerët si ai, e kanë mësuar historinë e LANÇ-it jo vetëm në libra e dokumente, por bashkë me qumështin e gjirit të nënave të veta partizane dhe nga rrëfimet realiste të baballarëve trima që luftuan pushtuesit e huaj dhe bashkëpunëtorët e tyre. Ky është një nga “sekretet” pse e shkruajnë saktë dhe e mbrojnë me guxim nga zhgarravitësit që duan ta zhdukin. Nën pretekstin se në krye të LANÇ-it ishte Enver Hoxha, këta duan ta baltosin. Abstragojnë nga fakti që në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare u rreshtuan 70 mijë partizanë e partizane, nga të cilët 7000 gra e vajza, u vranë 28 mijë dëshmorë, pati dëme dhe humbje të pallogaritshme. Këtë të vërtetë të madhe nuk mund ta zhbëjë fakti që në periudhën 1944-1990 pati veprime që përbënin shtrëmbërim dhe largim nga idealet e saj, pati edhe krime të patolerueshme.
Vëzhgimet, analizat dhe vlerësimet sistematike të zhvillimeve në Botën shqiptare dhe përtej saj, studimi profesional i historisë dhe prirjeve të perspektivës së saj e kanë çuar historianin Pëllumb Xhufi në konkluzionin e madh se bashkimi kombëtar i shqiptarëve është i pashmangshëm, sepse shqiptarët e Shqipërisë kanë një gjak, një histori dhe një kulturë me shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët e tjerë. Ai shpreh keqardhje që deri tani, për një varg shkaqesh të brendshme dhe ndërkombëtare, bashkëpunimi shumë i ngushtë mes dy vendeve, i lejuar nga standardet evropianë, akoma nuk është shfrytëzuar sa e si duhet. Prandaj ka kërkuar që qeveritë e të dy vendeve të punojnë për të krijuar sisteme të unifikuara në fushat e industrisë, bujqësisë, të energjisë, të tregtisë, të arsimit, të kulturës dhe të shkencës.
Prof. Xhufi mbetet edhe një personalitet publik, i angazhuar në diskutimet dhe debatet mediatike në lidhje me vlerësimin e ngjarjeve, personazheve dhe epokave historike, ku është dalluar për qëndrimet objektive, të mbështetura në dokumente dhe metodologjinë bashkëkohore, duke u afirmuar si një autoritet me personalitet të spikatur publik. Ai është dalluar edhe për kontributet e vyera në shërbimin diplomatik si zëvendësministër i punëve të jashtme, ambasador në Itali, deputet i Kuvendit të Shqipërisë etj.
Dua t’i mbyll këto konsiderata për kolegun dhe mikun tim Pëllumb Xhufi, duke u rikthyer sërish te Arbërit e Jonit, që, sipas meje është një histori madhore e arbërve, e gjithanshme, pothuajse e plotë, e shkruar bukur, e shprehur me gjuhë të pasur, të përpunuar me kujdes, ku rrjedh hijshëm mendim i thellë, i kthjellët, i qartë, i fuqishëm. Si e tillë ajo përbën një kontribut të jashtëzkonshëm për studimet historike shqiptare, për davaritjen e mjegullnajave që duan të zbehin dhe zhdukin të vërtetat rreth shqiptarëve, vlerave të tyre dhe kontributeve që ata kanë dhënë për kulturën dhe qytetërimin europian e botëror. Arbërit e Jonit është gjithashtu edhe model i shkëlqyer se si shkruhet historia, shembull që e sjell prof. Pëllumb Xhufi.
*Autori është dekan i Fakultetit të Shkencave
Juridike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare
në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë