Plani i FSHF-së, Superiorja do të rinisë më 31 maj?

Duke filluar nga 18 maji, futbollistët në Shqipëri do të kenë mundësinë të stërviten në mënyrë individuale në qendrat sportive të klubeve të tyre. Sipas asaj që shkruan “Panorama Sport”, FSHF ka bërë plan që Superiorja të rinisë më 31 maj.
Kjo datë është për rastin më të mirë, gjithnjë nëse gjërat shkojnë ashtu siç janë parashikuar dhe klubet pranojnë që të kenë vetëm 12 ditë kohë për t’u përgatitur. Natyrisht, problemi i vetëm në këtë rast është se autoritetet shëndetësore nuk lejojnë përgatitjet në grup, por kjo varet sa do të zbatohet nga skuadrat.

FSHF ka përpiluar një kalendar të ri për kampionatin dhe Kupën e Shqipërisë. Nëse Superiorja rifillon brenda muajit maj, atëherë parashikohet që të mos ketë një ngjeshje të madhe të kalendarit. Kësisoj, sa i përket Kupës së Shqipërisë, mësohet se ndeshjet e para të turi çerekfinal janë parashikuar të luhen më 10 qershor, ndërsa ato të kthimit më 24 qershor.
Turi gjysmëfinal do të zhvillohet në datat 8 dhe 22 korrik, ndërsa finalja e Kupës është planifikuar të luhet më 2 gusht. Por, sezoni futbollistik 2019-2020 nuk mbaron këtu, pasi sektori i garave parashikon që ndeshja mes vendit të tetë të Superiores, që të çon në “play out”, kundër ekipit fitues të “play off” mes vendeve të dyta të grupeve respektive të Kategorisë së Parë, të zhvillohet më 5 ose 6 gusht.

Vetëm java e parafundit dhe e fundit e Superiores do të luhet në tri ditë, ndërsa pjesa tjetër e kampionatit ka një kalendar të pranueshëm. Vetëm skuadrat që janë edhe në Kupë, pikërisht çiftet çerekfinale si Tirana-Besëlidhja, Vllaznia-Teuta, Apolonia-Kukësi dhe Bylisi-Skënderbeu, do të kenë një ngjeshje më të madhe se të tjerat.
Një klub që i shkon Kupës deri në fund, atëherë do të zhvillojë në total 15 ndeshje në një hark kohor nga 31 maji deri më 2 gusht. Në ditët e ardhshme FSHF do të specifikojë gjithçka edhe për kategoritë e tjera, pasi nuk është vetëm Superiorja. Institucioni i futbollit kërkon që të gjitha kampionatet të mbyllen në fushë deri në fillimin e gushtit.