Propozimi i SHBA për sistemin danez, Basha nxjerr blof aleatet: Nuk kam dijeni fare

Kreu i PD Lulzim Basha është shprehur në mbyllje të protestës së sotme për Teatrin se ai nuk ka dijeni për asnjë propozim amerikan, për ndryshimin e sistemit zgjedhor në vend.

“Nuk kam parë asnjë propozim amerikan”, u shpreh Basha kur u pyet nga gazetarët për propozimin e ambasadores së SHBA në Tiranë Yuri Kim, për një sistem zgjedhor danez. Kujtojmë se, ambasadorja e SHBA në Tiranë u ka propozuar liderëve politikë në Shqipëri aplikimin e një sistemi zgjedhor me lista të hapura, sipas modelit danez, por nuk ka marrë ende përgjigje.

“PD-ka ka treguar vullnet për reformën zgjedhore, sot nuk është përgjegjësia jonë. Nuk kam parë asnjë propozim amerikan. Ne nuk heqim dorë nga kushtet tona. PS-ja ka hedhur në erë besimin në një proces, ku pa besim nuk është asgjë, opozita nuk mund të jetë fasadë. Ne do të jemi gati për ndryshim sistemi, për mazhoritar të pastër dhe dy dhoma dhe kufizimin e mandateve të deputetëve, por asgjë nuk do të ketë kuptim përderisa kujdestar i zgjedhjeve do të jetë hajduti Edi Rama”, u shpreh kreu i PD.

Por mesa duket me këtë deklaratë kreu i PD ka nxjerr blof aleatin republikan Fatmir Mediu, pasi dje ky i fundit është shprehur se në tavolinën e tyre kishte mbërritur propozimi i ambasadores Kim, për aplikimin e një sistemi të ri zgjedhor në vend sipas modelit danez.

“Ambasadorja amerikane ka sjellë një propozime për sistemin danez. Unë nuk besoj që ambasadorja amerikane ka sjellë thjesht për të konsumuar një ide, por sepse ka gjykuar se është një sistem që vlen nga pikëpamja e përfaqësimit dhe klimës politike në Shqipëri”, u shpreh dje Mediu.

Ndërkohë, edhe deputetja Rudina Hajdari ka konfirmuar publikisht ekzistencën e këtij propozimi të bërë nga ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim. Edhe koordinatori i Bindjes Demokratike Astrit Patozi e ka konfirmuar mbërritjen e këtij propozimi dhe ka thënë se personalisht forca politike që ai përfaqëson është pro.

Madje, Patozi ka thënë se fakti që asnjë nga liderët e partive të mëdha në vend nuk reagon për këtë propozim amerikan, tregon se ata nuk janë dakord me ndryshimin e sistemit zegjedhor sipas modelit danez, me lista të hapura kandidatësh.

Pra, nuk dihet arsyeja pse kreu i PD Lulzim Basha e mohoi përpara mediave ekzistencën e këtij propozimi, kur në fakt ekzistenca e tij është konfirmuar nga vetë aleati i tij Fatmir Mediu dhe politikanë të tjerë që ne i përmendëm më sipër. /NEWSBOMB.AL

Back to top button
LAJMET E FUNDIT