Rama dhe Basha dalin në “fushatë”, njëri në Lushnjë, tjetri në Rrogozhinë

Kryeministri Edi Rama dhe kryedemokrati Lulzim Basha kanë nisur takimet e tyre me fermerët dhe tregtarët e prodhimeve bujqësore, duke i ngjarë kështu një fushate elektorale. Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ambasadori i BE-së, Luigi Soreca patën disa takime në pike grumbullimit dhe në një fermë në Lushnjë. Ndërsa rivali i tij politik ishte në Rrogozinë për t’u njohur sipas tij, me vështirësitë që po hasen fermërët në shitjen e prodhimeve.
Rama tha se ka transformime mbresëlënëse në bujqësi, ndërsa shtoi se në Lushnjë janë ngritur ferma moderne që gjenerojnë punësim dhe na afrojnë me Bashkimin Europian.
Ambasadori i BE Luigi Soreca tha se kanë qenë mijëra vetë që kanë qenë pjesë e projektit e që përfitojnë prej tij. “Jam i lumtur për investimin e BE. Investimet në bujqësi janë të mirëpritura. Me mijëra persona kanë qenë pjesë e projektit e që përfitojnë nga ky projekt”, deklaroi Soreca.
Kryeministri Edi Rama deklaroi se tregu tashmë, sicc mund të shihet është modern dhe në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.
“Sic e shikoni, këtu tregu është krejtësisht i ri dhe me standardet e Bashkimit Europian. Kemi rilindur bujqësinë dhe për këtë flasin faktet. Me durim duhet të bëjmë gjithcka. Media nuk merret me lajmet e mira, por me të këqijat. Merret me disa që hedhin në tokë domtatet e nuk sheh këtë realitet, sepse nuk dëshiron. Ne si qeveri jemi në mbështetje të bujqësisë, Shqipëria e BE po investojnë në sektorët bujqësorë”, tha Rama.
“Lushnjë – Aty ku puna me tokën dhe transformimet mbresëlënëse të viteve të fundit nuk kanë bërë kurrë lajm dhe ku realiteti flet qartë për rilindjen e vështirë, por të vazhdueshme të bujqësisë, përmes plot shembujsh kuptimplotë, si ky i Nedrete Arapit dhe familjes së saj nga Zgjana. Falë edhe financimit direkt nga programi i qeverisë + fondit nga programi europian IPARD II – ku Shqipëria po ia del të thithë fonde të konsiderueshme, si rezultat i rritjes së cilësisë së projekteve dhe bashkëpunimit AZHBR-Fermer- magazina e thjeshtë ku nisi historia e suksesit të kësaj familjeje punëtore, është transformuar në një strukturë moderne që gjeneron punësim dhe garanton rritjen e përvitshme të eskporteve në Bashkimin Europian””, shkruante më herët Rama në postimin e tij.
Por kryedemokrati Lulzim Basha shprehet se qeveria duke u marrë me teatrin ka harruar ndihmën për fermerët.
Kryetari i opozitës Lulzim Basha është prononcuar vet gjatë rrugës së trego agro-ushqimor me një mesazh në video. Në këtë mesazh Basha thekson se nga ajo që u dëgjua, kuptohet se gjendja e fermerit shqiptar sidomos është katastrofale. “Kjo është një Shqipëri e robëruar nga Edi Rama me 5 oligarkë,- thekson kreu i opozitës, – që vazhdon të paguajë për krimet, për hajdutërinë, ndaj shpëtimi i vetëm është të garantojmë që ju me votën tuaj t’i drejtoheni kutive të votimit për t’i dhënë fund kësaj të keqeje dhe të kthejmë bashkë me demokracinë edhe institucionet, ekonominë, punësimin, mbështetjen për njerëzit punëtorë”, shprehet Basha.
MESAZHI I PLOTE I BASHES NGA RROGOZHINA:
Përshëndetje të dashur miq!
Jam në tregun e Rrogozhinës në këtë lidhje të drejtpërdrejtë. Siç e shikoni, gjendja e fermerëve dhe e të gjithë atyre që shesin prodhimet e bahçes, prodhimet e serës, është po aq e keqe, edhe më e keqe se gjendja e bizneseve që kemi vizituar në Tiranë, Durrës. Konsumi ka rënë në zero. Rinë këtu me orë të tëra, për 10,15, 20 mijë lekë xhiro në javë – jo në ditë. Askush nuk ka parë asnjë ndihmë me sy, as ndihmë financiare, as ndihmë ushqimore. Gjendja e fermerëve është e rënduar.
Propaganda me regji qendrore tregon një pamje të gënjeshtër, të rreme, totalisht pa lidhje me realitetin.
Ky është realiteti. Përpara kam ndoshta një kilometër e gjysmë me tezga të banorëve, fermerë të zonës, që kanë ekspozuar prodhimet e gjysmat ndoshta do t’i groposin sot se nuk shitet.
Kjo është një gjendje katastrofale. Bujqësia shqiptare ka shtatë vjet në krizë të thellë, por këtë vit me mungesën totale të subvencioneve me mungesën totale të çdo lloj ndihme dhe mbështetjeje, situata e ka kaluar atë që mund të quhet si kritike.
Ndaj bredhjet me regji qendrore dhe propaganda e pështirë e Qeverisë dhe Edi Ramës nuk mund ta fshehë përgjegjësinë e tij, dështimin e tij kriminal se ato miliona që ia ka hedhur 4-5 oligarkëve shqiptarë do të mjaftonin që fermeri shqiptar, njesoj si i Kosovës, si i Maqedonisë së Veriut, do të mbante së paku kokën mbi ujë. Por e keqja ka filluar të thellohet.
Vetëm tek Teatri Kombëtar duan të harxhojnë 30 milionë euro të taksave tuaja me të cilat mund të kishin mbyllur kanalizimet, edhe ato të autostradës Tiranës – Durrës, ku janë bizneset më të mëdha dhe që po qelben nga mungesa e infrastrukturës; mund të ndihmonin mijëra familje në këto kohë të COVID-19 që i kanë zhvatur dhe në vend të tyre kanë mendjen të zhvatin.
Kjo është një Shqipëri e robëruar nga Edi Rama me 5 oligarkë, që vazhdon të paguajë për krimet, për hajdutërinë, ndaj shpëtimi i vetëm është të garantojmë që ju me votën tuaj t’i drejtoheni kutive të votimit për t’i dhënë fund kësaj të keqeje dhe të kthejmë bashkë me demokracinë edhe institucionet, ekonominë, punësimin, mbështetjen për njerëzit punëtorë.”
