Sa i vështirë do jetë rikthimi në çerdhe e kopshte?!

Pranvera Kola
Në prag të hapjes së çerdheve dhe të kopshteve (në nisje të qershorit), dikasteri i Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik kanë zbardhur tashmë udhëzimet se si do të veprohet në këto institucione për parandalimin e infektimeve të reja me Covid-19.
Zbatimi i rregullave strikte të higjienës dhe distancimit fizik janë të detyrueshme jo vetëm për fëmijët, edukatoret dhe punonjësit e tjerë të këtyre institucioneve, por edhe për prindërit. Hyrja dhe dalja në kopshte dhe çerdhe do të bëhet vetëm sipas një grafiku me orare të përcaktuara për çdo grup fëmijësh, matjes së përditshme të temperaturës, dezinfektimit të duarve dhe këpucëve, qëndrimit vetëm në një sallë, shmangies së aktiviteteve në ambientet e jashtme, si dhe mospërdorimit të lodrave të caktuara. Komunikimi ndërmjet prindërve dhe edukatoreve do mund të bëhet vetëm elektronikisht.
Hyrja në çerdhe dhe kopshte
Fëmijët do hyjnë dhe dalin nga çerdhet dhe kopshtet vetëm sipas grafikut me orare të përcaktuara nga stafi i këtyre institucioneve, orare të cilat duhet të respektohen në mënyrë strikte nga prindërit.
Autoritetet e shëndetit publik theksojnë se sikundër ndodhi me maturantët, edhe për fëmijët e çerdheve dhe kopshteve, para hyrjes në këto ambiente do të bëhet e mundur matja e përditshme e temperaturës, dezinfektimi i shpeshtë i duarve me solucionet përkatëse, teksa parashikohet edhe vendosja e vaskave për dezinfektimin e pjesës së poshtme të këpucëve.
Më tej është kërkuar që shoqërimi i fëmijëve në çerdhe dhe kopsht të bëhet vetëm nga prindërit dhe jo gjyshërit, për të mos rrezikuar shëndetin e këtyre të fundit. Po ashtu, këshillohet edhe respektimi i distancës prej 1.5 metër në hyrje të institucionit nga prindërit që do të sjellin fëmijët. Vendosja e dezinfektuesve është e detyrueshme në hyrje të çdo kopshti dhe çerdheje.
Dezinfektimi i ambienteve
Rekomandohet shfrytëzimi maksimal i ambienteve për të ndarë fëmijët dhe për të mos lejuar grumbullimet masive të tyre nëpër klasa (salla). Sipas urdhrit të dhënë, fëmijët e një grupi duhet të qëndrojnë në të njëjtën sallë, apo dhomë çdo ditë dhe me të njëjtën edukatore.
Edukatorët janë udhëzuar që të mos kryejnë asnjë aktivitet jashtë ambientit të kësaj dhome. Gjatë procesit mësimor edukatoret duhet të qëndrojnë duke respektuar distancën, teksa duhet të përpiqen që këtë gjë ta bëjnë edhe gjatë sistemimit të fëmijëve nëpër tavolina. Po ashtu edhe në dhomën e gjumit duhet të shfrytëzohen hapësirat maksimalisht për të respektuar distancën tek fëmijët. Kundrejt masave që duhet të merren nga kopshtet është urdhëruar që të mos organizohen festa ditëlindjesh të fëmijëve.
Edukatoret duhet të punojnë vecanërisht në drejtim të ndërgjegjësimit të fëmijëve për kujdesin dhe rëndësinë që ka higjiena personale në reduktimin e rrezikut për t’u infektuar me Covid-19. Për më të vegjlit edukatoret duhet të lajnë vazhdimisht duart e fëmijëve, si dhe të mos lejojnë përdorimin e lodrave të njëjta ndërmjet fëmijëve. Për fëmijët më të vegjël duhet që edukatorja të lajë mirë duart para ndërrimit të pampersit, dhe më pas të vendosë dorezat për të vijuar me procesin e ndërrimit të pampersit.
Ambientet ku qëndrojnë fëmijët do të dezinfektohen çdo ditë pas largimit të tyre. Ndërkohë që ambientet e përbashkëta, si të kuzhinës, apo korridoreve, banjove do të pastrohen rregullisht nga sanitare sipas udhëzimeve të përshkruara. Po ashtu edhe mjedisi ku kryhet ushqyerja e fëmijëve duhet të pastrohet dhe të dezinfektohet para dhe pas ngrënies së çdo grupi të fëmijëve.
Përjashtim nga këto rregulla të shtuara higjiene përbëjnë vetëm librat e fëmijëve, si dhe materialet e tjera me bazë letre, si: letra, zarf, revista, dosje, që nuk konsiderohen se përbëjnë një rrezik të lartë për transmetim dhe nuk kanë nevojë për procedura shtesë të pastrimit, apo dezinfektimit.
Ndonëse këto masa janë të domosdoshme për të frenuar transmetimin e koronavirusit të ri, zbatimi i tyre paraqet një sërë sfidash, kjo për shkak se kopshtet dhe çerdhet frekuentohen nga grupe të shumta fëmijësh, ndërsa ambientet e tyre janë të kufizuara për të respektuar këto kushte.
Si do bëhet sjellja dhe marrja e fëmijëve në çerdhe dhe kopshte!
- Për të shmangur grumbullimet, edukatoret e kopshteve dhe çerdheve do të hartojnë një grafik, në të cilin do të përcaktojnë oraret se kur prindërit duhet të paraqiten për të çuar, apo marrë fëmijët.
- Sikundër ndodh në të gjitha strukturat e tjera, në hyrje dhe në dalje të çdo institucioni duhet të vendoset një higjienizues për duart në trajtë solucioni me përmbajtje aktive të alkoolit 60 për qind, i cili duhet të jetë gjatë gjithë kohës i pranishëm, në mënyrë që fëmijët të pastrojnë duart kur të vijnë dhe të ikin.
- Prindërit duhet të sjellin dhe të marrin fëmijët duke respektuar me përpikëri orarin e përcaktuar.
- Fëmijët do të shoqërohen nga një prind, i cili qëndron jashtë ambienteve të institucionit dhe pret në distancë 1.5 metër nga prindërit e tjerë për të dorëzuar fëmijën tek personeli i kopshtit apo çerdhes.
- Gjithmonë fëmija pritet dhe shoqërohet brenda institucionit nga një edukatore, e cila e merr fëmijën që në hyrje.
- Do jetë një person që do të merret me matjen e temperaturës me termometër digjital, pastrimin e duarve të fëmijës me solucion higjienizues në momentin që hyn në çerdhe apo kopsht.
- Në rastet kur është e mundur këshillohet që të vendosen vaska me solucion dezinfektues me bazë klori aktiv për dezinfektimin e shuajve të këpucëve përpara hyrjes në ambientet e brendshme të çerdhes dhe kopshtit.
- Fëmija lejohet të hyjë dhe të dalë nga institucioni vetëm në mbërritje dhe ikje, dhe jo kur të duan prindërit.
- Rekomandohet që sjellja e fëmijëve apo marrja e tyre nga kopshtet dhe çerdhet të bëhet nga prindërit dhe jo nga gjyshërit sikundër ndodhte më parë.
- Dera e institucionit do të qëndrojë e mbyllur gjatë kohës që fëmijët janë brenda, ndërsa dritaret e sallave duhet të hapen herë pas here për të lejuar ajrosjen e nevojshme brenda tyre.
- Ambienti duhet të jetë i ajrosur gjatë gjithë kohës.
- Në rast se fëmija shfaq temperaturë, prindi duhet të informojë menjëherë edukatoren dhe të mbajë fëmijën në shtëpi.
- Nëse fëmija shfaq temperaturë apo shenja të tjera të shëndetit jo të mirë, njoftohet prindi që të paraqitet për të marrë fëmijën sa më parë që të jetë e mundur nga ambientet e çerdhes, apo të kopshtit.
Kujdesi për lodrat
- Lodrat që nuk mund të dezinfektohen nuk duhet të përdoren.
- Lodrat apo objektet që futen në gojë dhe që janë ndotur nga sekrecionet duhet të largohen dhe të mos përdoren më derisa të dezinfektohen.
- Lodrat prej rrobe që mund të lahen në lavanderi duhet të përdoren vetëm nga një fëmijë dhe më pas të lahen, përpara se të përdoren nga një fëmijë tjetër.
- Lodrat apo mjetet didaktike nuk duhet të kalohen nga një grup tek tjetri pa i larë më parë dhe dezinfektuar ato.
- Librat e fëmijëve, si dhe materialet e tjera me bazë letre, si: letra, zarf, revista, dosje, nuk konsiderohet se përbëjnë një rrezik të lartë për transmetim dhe nuk kanë nevojë për procedura shtesë të pastrimit, apo dezinfektimit.
Udhëzimet për prindin:
- Nënshkruan ose konfirmon në rrugë elektronike tek edukatorja këto udhëzime.
- Plotëson formularin e vetëdeklarimit ditor me përgjegjësi për gjendjen shëndetësore të fëmijës në numrin e kontaktit të edukatores.
- Në rast nevoje për komunikim me edukatoren, apo drejtuesin përdoret vetëm komunikimi elektronik.
- Në rastet e shoqërimit të fëmijës në institucion, prindi nuk duhet që të hyjë në mjediset e brendshme për asnjë arsye.
- Prindi duhet të deklarojë nëse ka pasur kontakt me persona të prekur nga Covid-19 në familje, apo në ambientet e punës.
- Në rast se fëmija shfaq temperaturë, apo probleme të tjera të shëndetit duhet të paraqitet menjëherë për ta marrë në shtëpi.