“S’japim llogari para Lleshajt”, SPAK dhe Çela kundër policisë për përgjimet dhe komitetin anti-krim

Janë zbardhur qëndrimet e prokurorisë së posaçme anti-korrupsion (SPAK) dhe prokurorisë së përgjithshme kundër propozimit për ndryshimet ligjore për përgjimet pa lejen e prokurorisë dhe ngritjen e komitetit anti-krim të drejtuar nga ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj me qëllim parandalimin e luftës kundër krimit të organizuar.
SPAK jep dakordësinë për ndryshimet ligjore të propozuara nga qeveria vetëm për ligjin antimafia, ndërsa e cilëson antikushtetues ngritjen e komitetit anti-krim në varësi të ministrit të Brendshëm i cili do të përfshijë edhe prokurorin e përgjithshëm dhe SPAK, shkruan Shqiptarja.com
Sipas projektligjit, komiteti anti-krim kryesohet nga ministri i Brendshëm, ndërsa ka në përbërje ministrin e Drejtësisë, ministrin e Financave dhe Ekonomisë, Prokurorin e Përgjithshëm, drejtuesin e SPAK-ut, drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit, drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, drejtorin e agjencisë përgjegjëse për luftën kundër terrorizmit dhe drejtorin e agjencisë përgjegjëse për parandalimin e pastrimit të parave. Por kreu i SPAK dhe prokurori i përgjithshëm deklarojnë se nuk mund të jenë pjesë e këtij komiteti, pasi janë institucione të pavarura dhe nuk japin llogari para ekzekutivit.