Skenari i BSH: Oferta dhe kërkesa bien 10% në një vit, ekonomia tkurret 6,9%

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko do të thoshte një ditë më parë se Covid-19 nuk do të kursente as ekonominë reale.

Banka e Shqipërisë ka hartuar skenarë hipotetikë se si do të ndikonte kriza e shkaktuar nga pandemia globale në ekonominë reale të Shqipërisë.

Rezultatet janë publikuar në raportin e Politikës Monetare për tremujorin e parë të vitit.

Banka sqaron se rezultatet e paraqitura kanë vetëm vlerë ilustruese, pasi bazohen në supozime hipotetike. Ato nuk përfaqësojnë vlerësimet apo parashikimet e Bankës së Shqipërisë, të cilat ndërtohen mbi supozime reale mbi intensitetin dhe kohëzgjatjen e goditjes, por ofron një mekanizëm vlerësues për skenarë të mundshëm goditjeje.

Një rënie e supozuar e kërkesës agregate, në nivelin 10%, gjatë harkut kohor të një viti dhe të shpërndarë në mënyrë uniforme në të gjithë komponentët e saj do të shpjerë në një rënie të pjesshme të Produktit të Brnedshëm Bruto dhe të importeve gjithashtu.

Efekti përfundimtar i këtyre  goditjeve është një rënie me 13.5% i importeve dhe një rënie me 6.9% e PBB-së. Në të njëjtën kohë, punësimi do të pakësohej me rreth 8.3%, ndërsa shkalla e papunësisë do të rritej me 7.4 pikë përqindje.

“Në këtë situatë hipotetike, ndikimi më i madh vjen nga rënia e konsumit privat, i pasuar nga eksportet dhe investimet.”- citohet në raportin e BSH-së.

Ndikimi i rënies me 10% të konsumit privat do të gjenerojë një humbje prej 4.0% në produktin e brendshëm bruto, i përqendruar në sektorët e “Bujqësisë”, “Industrisë përpunuese” dhe “Pasurive të paluajtshme”. Po ashtu, një rënie hipotetike me 10% e investimeve do të gjeneronte një humbje prej 1.1% në PBB, të përqendruar kryesisht në sektorin e “Ndërtimit”. Ndërkohë, rënia hipotetike me 10% e eksporteve do të kishte një ndikim negativ prej rreth 1.8% në PBB, me një shpërndarje relativisht më të gjerë në ekonomi.

Përsëri, duke marrë parasysh një situatë hipotetike ku konsumi publik rritet me 10%, ç’ka materializohet në rritje të të ardhurave të disponueshme dhe të konsumit privat, ndikimi pozitiv në ekonomi do të ishte rreth 0.5% e PBB-së, me një ndikim pozitiv në punësim prej 0.7% dhe rënie të shkallës së papunësisë me rreth 0.7 pikë përqindje.

Kur goditja ndodh në kahun e ofertës

Nëse në një situatë hipotetike ku prodhimi bie me 10% në të gjithë sektorët e ekonomisë, ku sektorët janë të ndërlidhur me njëri-tjetrin për shkak të konsumit të ndërmjetëm, ndikimi më i lartë në terma të PBB-së lidhet me rënien e prodhimit në sektorin e “Bujqësisë”, pasuar nga “Ndërtimi” dhe “Tregtia e transporti”.

Ndikimi i grupit “Shërbime të tjera” është i lartë për shkak të përfshirjes së disa sektorëve. Renditja e sektorëve është pothuaj e njëjtë edhe në rastin e impaktit në punësim dhe në normë papunësie.

“Duke pasur parasysh që sektori i “Bujqësisë” zë një peshë të konsiderueshme si në terma të konsumit privat, të vlerës së shtuar bruto dhe të punësimit, edhe impakti ekonomik që karakterizon këtë sektor është më i lartë krahasuar me të tjerët. Rezultatet e vlerësimit mund të jenë mjaft të ndryshme si në terma të totalit, ashtu edhe në terma të shpërndarjes, nëse goditjet nuk janë uniforme.”- shpjegon Banka.

Banka sqaron se vlerësimet e bëra përfaqësojnë ndikimet direkte të lidhura me goditjet përkatëse. Ato nuk përfshijnë efekte indirekte që lidhen me rënie të kërkesës ose prodhimit përtej horizontit kohor të goditjes fillestare. Kështu, konsumi i ardhshëm mund të ndikohet nga rënia e të ardhurave të disponueshme në periudhën aktuale. Po ashtu, prodhimi I ardhshëm mund të ndikohet nga rënia e investimeve në momentin aktual.

Nëse shtohen këto efekte, ndikimi i goditjeve do të ishte edhe më i lartë.

Po ashtu, vlerësimet bazohen tek goditjeve fillestare. Nëse masa e goditjeve do të ishte më e lartë apo më e ulët, edhe efektet ekonomike do të ishin më të rënda apo më të lehta.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT