Teatri u demonizua nga politika. Nuk folën specialistët

MOIKOM ZEQO 

Në faqet e gazetës  DITA jam shprehur prej kohësh se si specialist i monumenteve, ashtu si dhe kolegët e mi akademikë Emin Riza, Neritan Ceka, Apollon Baçe, jam kundër shkatërrimit të monumenteve, që strukturojnë historinë e arkitekturës dhe të urbanistikës, – të Memories së Tiranës.

Asnjë specialist i njohur, autoritativ  i monumenteve në Shqipëri nuk është shprehur se duhej shembur Teatri Kombëtar- absolutisht asnjë specialist.

Këtë e di shumë mirë.

Në disiplinën e muzeumologjisë dhe të monumentologjisë edhe një godinë  50 vjeçare fiton atribute – për shkak të një veçanësie – për t’u bërë pjesë e historisë së arkitekturës urbane.

Para 22 vitesh ministri i kulturës – sot kryeministër- hodhi idenë halucinante të shkatërrimit të kompleksit me dy teatro, sallën e një ish biblioteke dhe kinemaje si dhe të një pishine – një shëmbëlltyre arkitektonike pa një të dytë në Shqipëri.

Arkitektët e shquar italianë,- që modeluan godinat qeveritare – me  një stil pak barok të formalizuar, – në rrymat moderne të arkitekturës europiane të viteve  30′ përuruan dhe një stil modern me  vertikalitetin e fasadave, me të cilin u bënë godina e Universitetit dhe kompleksi i Teatrit Kombëtar.

Kjo është arsyeja e një katalogimi të stileve të arkitekturës moderne të Tiranës- që specialistët e nivelit europian të EUROPA NOSTRA-s e shpallën si trashëgimi të Shqipërisë dhe të Europës.

EUROPA NOSTRA është një institucion me reputacion të madh profesional, me diagnozë stilistike të klasit të parë.

Kurrë nuk e kam besuar se do të prishej kompleksi i Teatrit Kombëtar, sidomos në një kohë pandemie – të një ngujimi të ngjashëm me “shtetrrethimet”.

Por nuk duhet të habitemi me klasën parapolitike shqiptare.

A nuk vepruan dhunshëm, pa asnjë logjikë kushtetuese edhe deputetët e  dimensioni të klasës parapolitike në Prishtinë,- kur “votuan”  rrëzimin e qeverisë  të Albin Kurtit?

Po në Prishtinë Gjykata Kushtetuese është funksionale, – kurse në  Tiranë nuk ka fare Gjykatë Kushtetuese, -akoma më keq.

E shoh çështjen e Teatrit Kombëtar si një çështje të mirëfilltë profesionale.

Po në këtë çështje u përzie furishëm dhe marrëzishëm politika-  më saktë u demonizua nga politika, u manipulua opinioni dhe përçarja e vetë aktorëve.

Në  17 maj 1945 u  bë Instituti i Teatrit Kombëtar- po në 17 maj-para 3 vitesh u bë dhe marrëveshja e Ramës me Bashën- a janë të rastësishme këto përkime?

Teatri i ri  Kombëtar mund të bëhej në disa pika të urbanistikës së kryeqytetit, – fjala vjen në hapësirat e bulevardit të hapur, mbas ish stacionit të trenit, – ku mund të ngrihet edhe një Bibliotekë e re Kombëtare,- apo dhe një Muze Arkeologjik i madh, me fondet e jashtëzakonshme  të ish Institutit Arkeologjik.

Shembja de facto e kompleksit të Teatrit Kombëtar jo vetëm e thelloi konfliktin 30 vjeçar të partive politike (të mos harrojmë se janë që të gjitha shqiptarë të shkretët!) – por shtoi dhe një konflikt me organizatat ndërkombëtare për monumentet, si predikat të izolimit ndaj Europës së Bashkuar.

Politika konfliktuale – pa asnjë kompromis është një mentalitet primitiv, bajraktarist, iluzionist dhe pa të ardhme.

Monumentet e kulturës nuk janë një atu dhe  alibi për partitë politike – por janë fushë ekskluzive e  specialistëve dhe dijetarëve, e legjislacionit special për Trashëgiminë Kulturore  të rrezikuar frikshëm sot në Shqipëri.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT