Uilljam Plomer dhe romani i tij biografik për Ali Pashë Tepelenën

Prof. Dr. (Emeritus) Refik Kadija

1. Kush ishte Uilljam Plomeri?
Uilljam Plomer (1903-1973) – shkrimtar i shquar jugafrikan me prejardhje angleze, autor i 5 romaneve, 10 vëllimeve me poezi dhe i 2 veprave biografike me tematikë e motive nga tre kontinente – Afrikë, Europë e Azi, dhe që e kaloi jetën në Afrikën e Jugut (gjatë 23 viteve të para të jetës), Japoni (3 vjet) dhe Angli (43 vitet e fundit të jetës). Për këto arsye, në një artikull të botuar më 1967, thuajse 40 vjet pasi ishte vendosur në Angli, ai e quajti veten shkrimtar “anglo-afrikano-aziatik”.

Përveç tri gjinive letrare kryesore (romane, poezi, biografi), krijimtaria e tij është shumë më e gjërë dhe përfshin disa vëllime me tregime, 4 memuare, 4 librete operistike, 3 autobiografi, një libër për fëmijë dhe dhjetra ese. Ishte aktivist për barazi racore dhe redaktor letrar i dy shtëpive botuese angleze prestigjioze (‘Faber & Faber’ dhe ‘Jonathan Cape’). Gjatë gjysmës së parë të shekullit XX ishte një nga figurat letrare më të njohura të letërsisë angleze, Ishte anëtar aktiv i rrethit letrar modernist “Bloomsbury Group”, themeluar nga shkrimtarja e famëshme Virgjinia Vullf, të cilën Plomeri e kishte miketë ngushtë. Kishte miqësi të ngushtë dhe me shkrimtarin Eduard M. Foster që e konsideronte Plomerin “poet bashkëkohor të preferuar”, me kompozitorin më të madh anglez të shekullit XX Benjamin Britten, për të cilin shkroi 4 librete operistike, me poetët e “Grupit të Oksfordit” U. H. Oden e Stivën Spender (i cili e konsiderontekrijimtarinë e tij poetike “ndër poezitë më të mira anglisht të shkruara në shekullin tonë”),me romancierin Kristofër Ishervud, si dhe me autorin e serisë së romaneve të Xhejms Bondit, Ian Fleming, i cili ia kushtoi Plomerit romanin e tij të shtatë“Goldfinger” (“Gishti i artë”) që në vitin 1964 u bë filmi hollivudian më i suksesshëm i “Agjentit 007” me interpretimin e Shon Konerit (në rolin e Xhejms Bondit) dhe Honor Blackman-it (në rolin e Pussy Galore-s), e cila vdiq në kohën e pandemisë globale të koronavirusit më 5 prill 2020, në moshën 94 vjeçare.

Kur ishte 22 vjeçUilljam Plomeri shkroi romanin e tij të parë“Turbott Wolfe”, me temë qëndrore dashurinë dhe martesën ndër-racore, i cili e bëri të famshëm në Unonin e Afrikës së Jugut. Kurse në moshën 33-vjeçare, më 1936, ky shkrimtar i shquar botoi në Londër veprën për Ali Pashë Tepelenën “Ali Luani, ose Diamanti i Janinës”.
William Charles Franklyn Plomer lindi në familjen e një nëpunësi anglez të Afrikës së Jugut më 10 dhjetor 1903 në qytetin Pietersburg (sot Polokane) në provincën e Limpopos (në Transvaalin Verior). Gjatë viteve të fëmijërisë ai shkonte shpesh me prindërit në Angli, ku përmbushi pjesën kryesore të shkollimit, por pas Luftës së Parë Botërore ai u kthye bashkë me familjen në Pietersburg dhe gjatë viteve 1918-1926 nuk lëvizi nga vendlindja, Afrika e Jugut. Babai i Plomerit kishte shkuar në Afrikën e Jugut në moshën 19-vjeçare si nëpunës kolonial, por pas disa vitesh e la nëpunësinë dhe u muar me tregëti në krahinën e Zululandit.

Përvoja e Plomerit në një fermë të largët të Kejpit Lindor , ku punonte si çirak që në moshën 17 vjeçare, i shërbeu si lëndë e parë për romanin e tij të parë Turbott Wolfe (1925). Në qershor 1924 ai i shkroi një letër Leonard Vulfit, bashkëshortit të shkrimtares Virgjinia Vulf, për ta pyetur nëse mund t’ia dërgonte dorëshkrimin e romanit që kishte në dorë për ta botuar në shtypshkronjën e tyre Hogarth Press, ku i thoshte: “Që nga larg i kam ndjekur veprimtaritë tuaja me interes e simpati sepse, sipas mendimit tim, ju jeni më afër zemrës së gjërave se çdo botues tjetër në Londër”. Leonard Vulfiiu përgjigj se do të ishte i lumtur ta shihte dorëshkrimin. Plomeri ia dërgoi në dhjetor dhe Woolf-i i shkroi në prill 1925 se pranonte ta botonte romanin. Romani doli nga shtypi në fillim të vitit 1926 dhe u prit me vlerësime entuzuaste në shtypin e Anglisë dhe të Shteteve të Bashkuara, por nuk u prit aspak mirë në Afrikën e Jugut ku mbizotëronte ende racizmi. Shtypi vendas e konsideroi si skandaloz për shkak se guxonte të trajtonte temën e lidhjeve intime ndër-racore dhe të kritikonte të ashtuquajturën bamirësi të të bardhëve ndaj njerëzve me ngjyrë, bile dhe t’i vinte disa personazhe të bardhë në role negative. Shkrimi i një gazete kryesore titullohej “NJË LIBËR I NDYRË ME NJË SUBJEKT TË NDYRË”.

Plomeri e shkroi romanin e tij të parë kur jetonte në qytezën Eshowe të Zululandit. Në autobiografinë e tij “Jetë të dyfishta” (1943) ai e përshkruan procesin krijues të këtij romani si “shpërthim i një çmendurie poetike”. Shtjellimi i veprimit të romani fillon në një dhomë të zymtë në një qytet anonim ku jetojnë kolonizatorë anglezë, ku heroi i romanit Turbott Wolfe, tashmë në shtratin e vdekjes, i tregon historinë e jetës së tij autorit, një shok shkolle nga një e kaluar jo shumë e largët. Fqinjët e bardhë të Wolfe-it janë portretizuar me tone aspak lavdëruese dhe ai i shikon ata si njerëz zhulca me të cilët ai nuk do të denjonte “të thithte të njëjtin ajër”. Pastaj, “një ditë një zezake e re hyri në dyqan” dhe “më la pa frymë”, thotë ai. Ajo ishte “një indigjene (vendase), përsosmërisht e pastër dhe përsosmërisht e bukur. Kurrë nuk kam parë një qenie dinjitoze aq të përkryer”. Gruaja quhej Nhlizijombi dhe ishte në kontrast të plotë me meskinitetin e fqinjve të bardhë të Wolfe-it. “Ajo ishte ambasadoresha e gjithë asaj bukurie (mund të themi shenjtërie), atij intensiteti të jetës afrikane primitive, të panjohur, të mrekullueshme, të kaherëshme – përtej historisë, përtej kohës, përtej shkencës”, thotë autori. Ky ishte ‘krimi’ i parë i Plomerit në sytë e jugafrikanëve të bardhë – se gjeti të bukurën dhe u magjeps me të vërtetë nga e bukura në një person me ngjyrë, e posaçërisht në një grua zezake, Miku i tij Laurens van der Post, në parathnien e tij të ribotimit të romanit ‘Turbott Wolfe” nga Oksfordi më 1985, shkruan: “Kjo, natyrisht, ngjalli një reagim akoma më të egër nga jugafrikanët e bardhë. Një nga parimet themelore të qëndrimit popullor ishte se konsiderohej e pamundur për një burrë të bardhë të qytetëruar e të respektuar që të joshej nga gratë zezake.”

Akademiku dhe studjuesi i historisë së Afrikës në Universitetin e Kejp Taunit Robin Hallett (1926-2003), duke shtjelluar subjektin e romanit, thekson se “Rrëfyesi i ngjarjeve të romanit bie në dashuri, ndonëse në mënyrë platonike, me një vajzë zulu; një grua e bardhë ‘Afrikaner’ martohet me një burrë zulu; karaktere afrikane paraqiten të bukur dhe me dinjitet, ndërsa shumë europjanë janë përshkruar si mostra të liga të një qytetërimi ‘të turpshëm’. . . . Romani i Plomerit u konsiderua – me të drejtë – si një libër thellësisht subversiv (molepsës, shkatërrues)”.
Shkrimtarja jugafrikane me famë botërore Nadine Gordimer (20 nëntor1923 – 13 korrik 2014), fituese e Çmimit Nobel për Letërsinë më 1991, bëri parathënien e ribotimit të romanit “Turbott Wolfe” në vitin 2003, ku ndër të tjera shkruante se romani meriton të pranohet publikisht se është “kanuni i letërsisë kolonialiste rebele së bashku me Konradin”. Kurse kritikë të tjerë kanë vënë në dukje strukturën narrative eksperimentale, e cila e vendos (së bashku me disa nga veprat e tjera të Plomerit) në kategorinë e romanit modernist.
Një vit më vonë Plomeri botoi një vëllim me tregime “Unë flas për Afrikën” (1927), i cili i acaroi më tej lexuesit e bardhë dhe e keqësoi më tepër reputacionin e tij. Në bashkëpunim me mikun e tij të ngushtë Laurens van der Post dhe me poetin rebel Roy Campbell, ai themeloi revistën e quajtur Voorslag (“Fshikullimi i kamxhikut”) me anën e të cilës ai synonte të fshikullonte shoqërinë raciste të Afrikës së Jugut dhe të promovonte një shoqëri me barazi racore. Reagimi i egër i publikut e bëri revistën të heshtë dhe Plomeri e Campbell-i u detyruan të largohen nga vendi.
Kështu, në shtator të vitit 1926 William Plomer-i u largua përgjithmonë nga Afrika e Jugut. Ai dhe Laurens van der Post-i udhëtuan për në Japoni, e cila do t’i jepte frymëzimin dhe lëndën e parë për romanin e tij të dytë “Sado” që u botua nga shtëpia botuese “Hogarth Press” e çiftit Woolf më 1931.

Plomeri kaloi në Japoni një periudhë më pak se 3-vjeçare, nga tetori 1926 deri në mars 1929, mirëpo në jetën dhe veprën e tij u bë një interlud i rëndësishëm dhe po aq qëndror sa vendlindja Afrika e Jugut dhe Anglia e paraardhësve të tij që e adoptoi. Përveç romanit të tij të dytë, dy vëllimet e para me poezi dhe vëllimi i parë me tregime u shkruan në Japoni dhe zhvilloheshin në një sfond japonez.

Më 1929 Plomeri u largua nga Japonia duke bërë një udhëtim të gjatë nëpër Kore, Kinë, Bashkimin Sovjetik, Poloni, Gjermani, Belgjikë e deri në Angli. Kur arriti në Londër, ai zuri shpejt miqësi me figura letrare të njohura të kohës si çifti Woolf, E. M. Forster, Stephen Spender, W. H. Auden, Christopher Isherwood, J. R. Ackerley dhe John Lehmann. Atje zuri vend në qendër të rrethit letrar londinez “Bloomsbury Group” dhe duke qenw këshilltar letrar i firmës botuese “Jonathan Cape” ushqeu talentin dhe suksesin e shumë emrave që më vonë u bënë të famshëm, si Robert Frost, Xhejms Xhojs,André Maurois, Kristofër Ishervud, tre fituesit amerikanë të Çmimit Nobel Sinclair Lewis, Ernest Hemingway dhe Eugene O’Neill, etj. Këtu veçojmë mikun e ngushtë të Plomerit Ian Fleming, autorin e serisë së suksesshme të romaneve të Xhejm Bondit.

Si ishte njohur Plomeri me Ian Fleming-un? Më 1926, Ian Flemingu 18-vjeçar i shkroi Plomerit 23-vjeçar një letër me lëvdata për romanin e sapo-botuar “Turbott Wolfe” dhe kur Plomeri arriti në Angli më 1929, ata u takuan dhe u bënë miq. Ata u takuan shpesh edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore kur punonin së bashku për Departamentin e Zbulimit Detar (Naval Intelligence Division që njihej si NID). Gjatë një dreke të përbashkët në maj të vitit 1952, Flemingu i tha Plomerit me ndrojtje se kishte shkruar një roman spiunazhi dhe kishte dëshirë t’ia lexonte. Plomeri e lexoi me kënaqësi dhe mendoi se do të kishte sukses dhe do të shitej mirë. Romani titullohej “Casino Royale” dhe ishte romani i parë i serisë së Xhejms Bondit prej 12 romanesh dhe 2 vëllimesh me tregime. Ai dhe një recenzent tjetër i bindën redaktorët dhe vetë pronarin skeptik të shtëpisë botuese Xhonathan Kejp që ta botonin romanin. Thuhet se pas suksesit të bujshëm të këtij romani, Kejpi nuk i lexonte më librat e Flemingut, por “i botoi të gjithë dhe suksesi i tyre i pakrahasueshëm i solli të ardhura të mira Kejpit dhe Flemingut”. Romanin e shtatë të Flemingut me Xhejms Bondin “Goldfinger” (1959) autori ia kushtoi Plomerit me shënimin “Lexuesit tim të dashur, William Plomer”. Plomeri dhe Flemingu e vazhduan miqësinë dhe bashkëpunimin letrar deri në fund të jetës së Flemingut, i cili vdiq nga ataku kardiak në moshën 56-vjeçare, më 12 gusht 1964, vetëm një muaj para se të jepej premiera e filmit “Goldfinger” në Londër më 17 shtator 1964.

Plomeri nuk u martua kurrë. Ndonëse nuk pranohet në autobiografitë e tij, homoseksualiteti i tij zinte vend qëndror në jetën dhe në veprën e tij. Në shkrimet e tij ai nuk shprehet thuajse kurrë hapur për marrëdhënie të tilla, me përjashtim të ndonjë aludimi, ndoshta në brëndësi të romanit të tij të dytë “Sado” (1931), ngjarjet e të cilit zhvillohen në Tokione viteve 1920 dhe ku hero kryesor ishte një japonez ‘gay’, në romanin e tretë “Pushtuesit” (1934) si dhe në tregimin me elementë autobiografikë, “Kolorit lokal”, i cili bën fjalë për dy studentë anglezë që kalojnë pushime të gjata në Greqi më 1933. Në fakt, ndikimi i prirjeve ‘gay’ është i dukshëm në disa lidhje miqësore të Plomerit.
Plomeri u bë redaktor letrar dhe i shtëpisë botuese Faber & Faber në Londër që botoi veprat e shumë poetëve, dramaturgëve dhe romancierëve të mëdhenj, disa prej të cilëve ishin fitues të Çmimit Nobel si T. S. Eliot, William Golding, Samuel Beckett, Seamus Heaney, etj.
Në Angli veprimtaria e tij letrare krijuese ishte shumë aktive. Këtu ai shkroi dy romane dramatikë veprimi i të cilëve zhvillohet në Londër – “Akuza u ndryshua” (1932) dhe “Pushtuesi” (Dhunuesi) (1934), katër vëllime autobiografike me memuare (kujtime) personale e familjare – “Jetë të dyfishta” (1943), “Në shtëpi” (1952), autobiografia e letrarizuar “Copëza muzeale” (1952) dhe “Autobiografia e Uilliam Plomerit” (botuar pas vdekjes më 1975). Dihet gjithashtu se Plomeri ka përdorur pseudonimin ‘Robert Pagan’, veçanërisht për disa nga poezitë e tij. Ai ishte aktiv edhe si libretist për katër opera të mikut të tij të ngushtë Benjamin Britten: operan me tre akte “Gloriana” (premiera e të cilës u dha në Operan Mbretërore të Londrës gjatë ceremonive për kurorëzimin e Mbretëreshës Elizabeta II më 1953), si dhe parabolat operistike “Lumi i çafkave”, “Furra që digjet në flakë” dhe “Djali dorëlëshuar”.

Deri në fund të jetës së tij Uilljam Plomeri botoi dhjetë libra me poezi. Këto përmbledhje poetike ndahen, sipas titujve, në pesë seksione që ndjekin rrugëtimin e Plomerit rretheqark botës dhe shënojnë kronologjinë e jetës së tij: 1. “Në Afrikë” (në fillim të viteve 1920), 2. “Në Japoni” (në fund të viteve 1920), 3. “Në Greqi” (në vitet 1930), 4. “Në Angli” (fundi i viteve 1930 e në vazhdim) dhe 5. “Poezi të vona” (nga 1966 derisa vdiq).
Romani i tretë i Plomerit “Akuza u ndryshua” u botua më 1932 nga shtëpia botuese “Hogarth Press”. Romani trajton një vrasje që ndodh në një rezidencë, i cili tërhoqi shumë vëmendjen e publikut dhe u bë, bile përpara së të dilte nga shtypi, libri i dytë bestseller i viteve 1930 të botuar nga Hogarthi. Pas këtij romani, Plomeri botoi përmbledhjen me tregime “Fëmija i Mbretëreshës Viktoria”.

Tashmë Plomeri ishte bërë shkrimtar me emër. Këshilltari e redaktori letrar i shtëpisë botuese “Jonathan Cape” Eduard Garnett shkruante në raportin e tij se “Plomeri ishte pa diskutim mendja më e mprehtë dhe më origjinale e brezit të ri”. Pikërisht pas këtij vlerësimi, shtëpia botuese ‘Cape” filloi serinë e botimeve të pjesës më të madhe të veprave të Plomerit. Më 1936 kjo shtëpi botuese nxori në dritë veprën e Uilljam Plomerit për Ali Pashë Tepelenën “Ali Luani”, të cilin e ribotoi më 31 janar 1970 me titullin “Diamanti i Janinës” (288 faqe, Taplinger Publishing Company).
Nga fundi jetës, në fillim të viteve 1970, Plomeri u ftua nga piktori Alan Aldridge që të bashkëpunonin për një libër për fëmijë dhe së bashku krijuan romanin “Topi i fluturave dhe festa e karkalecave” që pati shumë sukses dhe bile fitoi Çmimin Whitbread për vitin 1973 që iu dha pas vdekjes së tij. WilliM Plomeri vdiq në shtëpinë e tij në qytezën Hassocks, West Sussex,më 21 shtator 1973, pa i mbushur 70 vjeç.
II. Biografia letrare e Plomerit për Ali Pashën

Biografia letare për Ali Pashë Tepelenën u botua kur Plomeri ishte tashmë në kulmin e krijimtarisë letrare. Ai iu rikthye kësaj vepre dhe e ribotoi nga e njëjta shtëpi botuese, me ‘hard cover’ më 1970 me titullin “Diamanti i Janinës”.

Nuk i dimë me siguri motivet që e nxitën autorin për të shkruar këtë vepër për një nga figurat më të spikatura të historisë shqiptare, sepse Plomerin nuk e lidhte asgjë drejtpërëdrejti me Shqipërinë. Ai as i vizitoi ndonjëherë trojet tona, bile as Janinën apo viset tjera shqiptare të principatës së Ali Pashë Tepelenës. Ajo që dihet është se Plomeri në rininë e tij, në fillim të viteve 1930 bëri ca pushime të gjata në plazhet e Greqisë së bashku me një mikun e tij. Gjithashtu mësojmë se ai e kishte lexuar veprën “Çajld Haroldi” dhe “Letrat e shënimet e udhëtimit” të Bajronit nga Preveza, Janina e deri në Tepelenë dhe takimet e tij me Ali Pashën. Me siguri Bajroni ishte një burim i rëndësishëm frymëzimi – gjë që e pranon edhe vetë Plomeri në shënimet bibliografike në fund të librit. Ai e fillon veprën me një epigraf poetik nga “Çajld Haroldi”, pikërisht me vargjet për Ali Pashën nga Kënga e Dytë e poemës epiko-lirike të Bajronit:

“Unë nuk nuk flas për mëshirë, nuk flas as për frikë,
Ai s’duhet ta dijë kush i shërben Vezirit:
Që nga koha e Profetit Gjysmëhëna kurrë nuk pa
Një prijës kaq të lavdishëm sa Ali Pasha.” [BYRON: Childe Harold]
Një kapitull i tërë, Kapitulli XVII me titull “Bajroni në Tepelenë”, i kushtohet vizitës së Bajronit në sarajet e Ali Pashës. Edhe në kapitullin II me titull “Shqiptarët” kur përshkruan me hollësi vallen e burrave, ‘Albanitiko’, të shoqëruar me këngën polifonike, Plomeri citon vargjet nga “Çajld Haroldi”:
“Pas mesit të natës ora më e qetë kaloi,
Argëtimet kombëtare të trupave filluan;
Çdo palikar shpatën e la mënjanë,
Dhe kapur për dore, burrat lidhur varg,
Me klithma si vaje, vallëzonin fustanellat e klanit të tyre.”(23)

Në këtë kapitull të dytë Plomeri, gjithnjë duke u mbështetur te Bajroni, i përshkruan shqiptarët si “një racë e shquar dhe e fuqishme”: “Gibbon-i thoshte për Shqipërinë se ishte ‘një vend që shihej nga Italia por që ishte më pak i njohur se brendësia e Amerikës’. Shqiptarët, në gjirin e të cilëve u rrit Aliu (duke e quajtur veten si një prej tyre) dhe tek të cilët mbështetej kryesisht për përkrahje për ta marrë dhe për ta mbajtur pushtetin, ishin një racë e shquar… Shqiptarët sigurisht ishin një racë e fuqishme, gjysëm blegtorë e gjysëm luftëtarë, të përkushtuar ndaj maleve të tyre vendase dhe që trashëgonin tipare heroike nga e kaluara e largët. Nga ato male kishte dalë nëna e Alekësandrit të Madh dhe Gjergj Kastrioti, i njohur si Skënderbeu, heroi kombëtar i cili në shekullin e pesëmbëdhjetë luftoi parështur kundër turqve për njëzet-e-tre vjet. Thuhet se fraza të tëra nga Homeri mund të konsiderohen edhe sot si shprehje tipike shqiptare. Gjithashtu, si në gjuhën e tyre ashtu dhe në jetën e tyre gjënden virtyte të lashta. Atyre u pëlqen që ta quajnë veten ‘Palikarë’, ose trima, dhe nuk është se nuk e meritojnë që ta quajnë veten të tillë.” (f.21)
Gjithashtu duke u mbështetur te Bajroni, Plomeri vë në dukje pasionin e shqiptarëve për muzikën dhe përshkruan me gjallëri vallën ‘Albanitiko’ të ushtarëve shqiptarë me fustanellë: “Të pasionuar pas muzikës, ata kalonin shumë nga koha e tyre e lirë duke u marrë me lojra, dukë kënduar e vallëzuar. Në vallen e tyre ‘Albanitoko’, që mendohej nga disa se ishte një pasardhëse e valles ‘Pirrike’, një varg burrash të kapur përdore, duke kënduar, lëviznin fillimisht ngadalë mbrapa, pastaj nxitonin rrotull me një lëvizje rrethore të shpejtë ndërsa muzika bëhej gjithnjë e më emocionuese. Udhëheqësi, ose korifeu, hidhej lart në ajër, e përkulte trupun mbrapa derisa koka gati i prekte tokën, pastaj hidhej lart përsëri me elasticitetin e lehtësinë e përsosur të një akrobati të stërvitur ose të një valltari baleti.” (f.22-23)
Në vazhdim, pas vargjeve të cituara më lart, Plomeri komenton duke iu referuar fjalëve të vetë Bajronit: “Nuk është për t’u çuditur që Bajroni i admironte ata. Mbi të gjitha, ata i kujtonin malësorët e Skocisë. ‘Malet e tyre dukeshin si malësitë e Kaledonias, me një klimë më të butë. Fustanella, ndonëse e bardhë; trupi i zhdërvjellët, i hequr; dialekti i tyre që tingëllonte si keltishte; dhe zakonet e tyre të rrepta, të gjitha më sillnin ndërmend Morvenin…’. Mënyra e të ecurit i dukej ‘vërtetë teatrale’ dhe flokët e tyre të gjatë i kujtonin spartanët. Në gjithshka që ai mësoi ose vëzhgoi në sjelljet e tyre, kishte shumë gjëra që e tërhiqnin, si dhe padyshim muzika e tyre e egër dhe melankolike akordohej përsosmërisht me temperamentin e tij romantik”. (f. 24)
Por përveç Bajronit, Plomeri u mbështet edhe në vepra të tjera mbi Ali Pashën, kryesisht libra me përshkrime udhëtimi. Para se të shkruante këtë vepër ai kishte lexuar thuajse gjithshka që ishte botuar në anglisht dhe në frëngjisht gjatë më shumë se një shekulli, që nga veprat e bashkëkohësve të Bajronit të dy dekadave të para të shekullit XIX deri në fillim të viteve 1930. Në shënimet bibliografike në fund të librit ai shënon të gjithë autorët të cilëve u referohet në vepër, që nga bashkudhëtari e miku i Bajronit John Cam Hobhouse, e me radhë Dr. Henry Holland, Thomas Smart Hughes, Charles R. Cockerell, William Martin Leake, Richard A. Davenport, si dhe autorët francezë François Pouqueville, Gabriel Remérand, Samson Cerfberr de Medelsheim, etj.
Në fillim të kapitullit të parë të librit të tij për Ali Pashën Plomeri përkufizon përmbledhtas rolin e Ali Pashë Tepelenës në histori duke iu referuar vlerësimit të poetit të madh francez Viktor Hygo: “Kush ishte Aliu? Para një shekulli e ca nuk do të kishte qenë nevoja për ta bërë këtë pyetje, sepse ai luajti një rol të rëndësishëm në kohën e tij. Atë e kanë quajtur përbindshi më romantik në histori, Bonaparti muhamedan, dhe me shumë emra të tjerë pak a shumë të përshtatshëm. Viktor Hygoi, në shkrimet e tij të viteve 1820 e quante atë ‘të vetmin kollos dhe burrë gjeni të kohës që meriton të krahasohet me Napoleonin’, dhe shtonte se ‘Aliu krahasohej me Napoleonin si tigri me luanin, ose si skifteri me shqiponjën’”. (f.11)
Për marrëdhëniet politike e diplomatike të Aliut me francezët Plomeri shfrytëzoi kryesisht burimet franceze. Përveç tri veprave të njohura të Pouqueville-it të botuara në Paris gjatë viteve 1805-1825, të cilat Plomeri i njihte mirë, ai nënvizon se biografia më e mirë dhe më e re që shfrytëzoi veçanërisht për marrëdhëniet e Aliut me francezët në përgjithësi dhe me Pouqueville-in në veçanti ishte vepra e Gabriel Remérand-it “Ali de Tébélen”, botuar në Paris nga shtëpia botuese Paul Gruthner më 1928 në serinë ‘Figura të mëdha të Orientit’ (Les Grands Figures de l’Orient), e cila, sipas tij, “ishte një vepër e qartë shkruar nga një francez dhe nga një këndvështrim kryesisht politik.”
Ai u mbështet në veprën e piktorit francez Louis Dupré Voyage à Athéns (Paris, 1825) për ilustrimet që përdori dhe të cilat i përshkruan në kapitullin XXIX. Në këtë kapitull Plomeri përshkruan me hollësi udhëtimin e Dupré-s në Korfuz, ku skicoi portretet e dy suliotëve, njeri prej të cilëve quhej Foto dhe ishte i afërm i Foto Xhavellës, pastaj në Butrint, takimin e tij me Mehmetin e Ismailin, dy nipat e Ali Pashës, takimin me Ali Pashën, pjesëmarrjen në gjueti me suitën e Aliut dhe realizimin e pikturës së famëshme të Ali Pashës gjysëm i shtrirë në varkën e tij gjatë gjuetisë në liqenin e Butrintit. Dupré shpjegon se si e realizoi portretin e Ali Pashës. Kur u takua me Aliun, ai nuk pati guxim t’i kërkonte pashait që të pozonte për t’ bërë portretin. Mirëpo gjatë gjuetisë, në një varkë shoqëruese në distancën më të afërt të mundshme arriti ta skiconte Pashain në varkë me rremtarët dhe shoqëruesit e tij. Mbi bazën e kësaj skice Dupré arriti të realizonte pikturën më të përkryer që ekziston për Ali Pashë Tepelenën, e cila është përdorur shpesh për ilustrim, qoftë e plotë (Aliu në varkë bashkë me shoqëruesit), qoftë vetëm me detajin që tregon portretin e Aliut gjysëm të shtrirë. (Kapitulli XXIX-‘Aliu hyn në Pargë’, f. 234-239)
Në trajtimin e personalitetit të Ali Pashë Tepelenës Plomeri e ka pasur mirë parasysh se ‘Luani i Janinës’ishte në kohën e tijkarakteri më i shquar në Ballkan dhe se politikat e tij intriguese e kishinvendosur në kontakt të ngushtë me botën e jashtme—me Portën e Lartë, me Rusinë, me Francën dhe me konsullin e Napoleon Bonapartit në Janinë, Pukvilin e vështirë e armiqësor, si dhe me Anglinë.
Përveç vizitës së Bajronit të trajtuar gjërësisht, autori i jep vend të mjaftueshëm vizitës dhe takimeve me Ali Pashën të Hobhouse-it (145-154), Henry Holland-it (179-185), Dupré-s (234-239), Hughes-it bashkë me Cockerell-in (197-203), intervistës së fundit të Hughes-it me Vezirin (216-218), etj. Duke qenë se ai ishte padyshim në qendër të interesit vendas, Plomeri i trajton arsyeshëm edhe marrëdhëniet e Aliut me suliotët dhe me bejlerwt e pashallarët shqiptarë, veçanërisht me Bushatllinjtë dhe me Vrionasit. Gjithashtu edhe etapat kryesore të jetës së Aliut janë trajtuar rrjedhshëm kronologjikisht deri në vdekjen tragjike të tre djemëve (Myftarit, Veliut e Saliut) dhe një nipi (Mehmetit), më në fund dhe të vetë ‘Luanit të Janinës’.
Në Kapitullin 33 “Fundi i Aliut”, i cili është dhe kapitulli i fundit i librit, Plomeri përshkruan me dramaticitet fundin tragjik. Ali Pasha 82-vjeçar vdiq duke luftuar deri në frymën e fundit. Pasi e vranë, “ata e tërhoqën zvarrë kufomën e Aliut deri në krye të shkallëve, ia prenë kokën dhe ia çuan Kurshidit. Kur Kurshidi e pa, u ngrit dhe i rrodhën lotë nga sytë. Ushtarët e tij e fshin gjakun nga koka, e vunë në një tabaka argjendi dhe ia treguan gjeneralëve të tjerë. Kurshidi dha urdhër që ajo duhej të ekspozohej në publik në Janinë për tri ditë me qëllim që t’ua provonin shqiptarëve se Ali Pasha me të vërtetë kishte vdekur. Trupi i Aliut u vendos në një varkë, u dërgua në Kastro (fortesën e Janinës) me ceremony të madhe dhe u varros më 25 janar 1822 pranë varrit të Eminesë, në pikën më të lartë të qytetit, ku gjindet edhe sot.
Një muaj më vonë koka e Aliut arriti në Konstandinopojë dhe turma të mëdha u sulën për ta parë. Një spektator u përpoq ta blinte me idenë që ta nxirrte për t’u parë në Londër, por një dervish i quajtur Sulejman, mik fëmijërie i Aliut, e fitoi ankandin duke paguar më shumë, e mori kokën dhe e varrosi pranë kokave të Myftarit, Veliut, Saliut dhe Mehmetit në varrezat afër portës Silivri, jashtë mureve të qytetit.
Gurët e varreve të pesë pashallarëve mund të shihen edhe sot. Ata u vendosën nga shqiptarët që jetonin në Konstandinopojë. Sulejmani kompozoi një epitaf për Aliun i cili thotë: ‘Zoti është Krijuesi, i Përjetshmi. Këtu prehet koka e Ali Pashë Tepelenës së famshëm, ish-guvernator i Janinës, i cili, për më shumë se tridhjetë vjet, e bëri veten të pavarur në Shqipëri’.” (f. 276). Plomeri thotë se Vasiliqia iqëndroi besnike Aliut edhe pas vdekjes së tij. “Ajo ishte ende e re dhe kishte oferta të shumta për martesë si nga grekët ashtu dhe nga turqit, por ajo i refuzoi të gjithë. ‘Nuk ka asnjë burrë të gjallë’, tha ajo, ‘për vejushën e Ali Pashës’.” (f. 277)
Është e kuptueshme se në biografinë e letrarizuar “Ali Luani” / “Diamanti i Janinës” prej vetëm 288 faqesh është e pamundur të trajtohet me shtrirjen e duhur personaliteti i gjërë i Ali Pashës dhe roli kompleks që luajti ai në historinë e trazuar të Shqipërisë, Ballkanit e më gjërë gjatë jetës së tij të gjatë e aktive 82-vjeçare. Plomeri as nuk e kishte si synim që të thoshte gjithshka që mund të thuhet për jetën e heroit të tij, por me interesin e këndvështrimin profesionist të një romancieri, ai është përqëndruar në karakterin dhe psikologjinë e Aliut. Ai e ka arritur këtë duke përdorur një stil të vrullshëm e nganjëherë bisedimor që i përshtatet më së miri subjektit. Plomeri tregon me një realizëm të gjallë të gjitha cilësitë e heroit të tij, të gjitha virtytet dhe veset njerëzore që përbëjnë karakterin e Aliut: ambicjen, kurajën, mizorinë, kopracinë, shpërthimet e zemërimit të papërmbajtur, durimin, supersticionet, tradhëtinë gjakftohtë, pabesinë, elokuencën dhe ëmbëlsinë e mikpritjes që hipokrizia e tij e rafinuar i shfrytëzonte plotësisht, egotizmin e tërbuar, ndjeshmërinë e hollë, diplomacinë, dinakërinë, dëshirën e pamëshirshme për hakmarrje ndaj kujtdo që i zinte udhën.

vijon…

Back to top button
LAJMET E FUNDIT