Virusi Covid-19 që nga janari në Shqipëri? Përplasja me shifrat dhe tabela mes ekspertëve

Në Shqipëri ka përplasje të shumta për kohën se kur është shfaqur koronavirusi për herë të parë. Mjekët kanë dhënë vlerësime të ndryshme, disa flasin për janarin, disa kanë teori se mund të jetë shfaqur në shkurt apo në mars.

Debati për këtë çështje ka shqetësuar edhe vetë qeverinë, ku sot kryeministri Edi Rama shfrytëzoi mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve për të marrë mendimet e tyre për të vërtetën e ekzistencës së prezencës së Covid-19.

Mjeku Andi Koraqi u shpreh se: “Nuk mendoj që kemi pas Covid që më përpara, ka ardhur në fqinjin tonë fillimisht dhe pastaj kanë ardhur te ne dhe nga rezultatet që shoh, nuk shoh dikë që e ka kaluar. Nga rezultatet që shoh nuk mendoj që kemi pasur Covid që nga janari apo më parë. Them se ka ardhur nga fqinji jonë, pasi ka filluar në Itali dhe ka ardhur te ne. Gjithashtu besoj që nuk është një pjesë e lartë e popullsisë që e ka kaluar sepse edhe te personat me risk kemi këto shifra 10-11%”

Ndërsa doktoresha Najada Çomo mban të njëjtin qëndrim, duke e hedhur teorinë e prezencës së virusit në janar. “Në janar ne kemi fluks të shtuar pacientësh për shkak të egzistencës së gripit dhe infeksioneve të tjera respiratore. Që në fund të muajit janar kemi kërkuar për rastin e parë për shkakun se kishim lidhje me Kinën dhe persona të ardhura nga Kina. Vëmendja jonë ka qenë e rritur gjithashtu që në fund të muajit dhjetor. Qoftë janari apo shkurti që i kishim në një vëmendje të jashtëzakonshme, nuk kishim raste të shtuara dhe vlen për tu përmendur fakti se nuk mund të kishim raste të shumta kur masat i kishim të pakta dhe tani kur masat janë të shtuara të kemi më shumë raste. Në shërbimin Infektiv nuk mund të ketë pasur kurrsesi persona të sëmurë nga COVID më parë”, u shpreh Çomo.

Por ekspertët e Partisë Demokratike i kanë nxjerrë të dhëna të tjera, duke rrëzuar pretendimet e Komitetit Teknik.

Ish-deputeti i PD-së, Bardh Spahia e shikon të si dëmshëm mbledhjen e ekspertëve të Ramës për të shpallur vetëm suksese, pa reflektuar asgjë. Spahia, me profesion mjek, shprehu keqardhjen që për ekspertët e Ramës Nuk vlejnë as faktet se Covid-19 është shfaqur që në janar.

“Mjekë imazheristë u janë rikthyer kontrolleve që kanë bërë në Janar dhe kanë publikuar pamje imazherike ku dallohen shenjat e Covid. Ato janë fakte me figurë. Po aq kokëforte si fakte janë tabelat zyrtare të sistemit alert për rastet e gjendjeve virale me temperaturë të lartë deri në 2 Mars 2020. Nga tamponët e realizuar në këta pacientë me gjendje febrile, plot 62.5% rezulton JO grip stinor! Pra ka qenë Covid?”, u shpreh ish-deputeti.

Sipas tij, këtë “ekspertët” nuk e shpjegojnë, e as pamjet imazherike të specialistëve të fushës. “Virusi ka qenë në Shqipëri në që Janar, por ekspertët e Ramës e mohojnë pa sjellë asnjë fakt, por duke dhënë vetëm opinionin që i pëlqen kryeministrit. Asnjë studim nuk ka as se sa qytetarë e kanë kaluar, sepse Edi Ramës nuk i pëlqen e vërteta, por vetëm trillimi i vet dhe “ekspertët” bëhen verbtazi pjesë e llogarive personale politike të kryeministrit! Të rrojë partia e vazhdojmë sipas skenarit!”

Back to top button
LAJMET E FUNDIT