480 minutat e qëndrimit të Bushit në Shqipëri/ Që nga thyerja e protokollit e deri te takimet me zyrtaret e lartë, çfarë ndodhi në 10 qershor të vitit 2007 në vendin tonë
Ishte e diel, ditë e nxehtë qershori. Gjithë Tirana ishte e bllokuar. Vinte në Shqipëri presidenti Xhorxh W. Bush, presidenti i parë në detyrë i Shteteve të Bashkuara që viziton vendin tonë.
Ai 13 vjet më parë, pikërisht më 10 qershor të vitit 2007 dhe bashkëshortja e tij, Laura, u pritën në aeroportin e Rinasit nga ministri i Jashtëm shqiptar në atë kohë, Lulzim Basha dhe nga deputetët Bamir Topi e Ben Blushi.
Më pas presidenti Bush u takua në Pallatin e Brigadave me presidentin e Shqipërisë, Aleksandër Moisiu. Presidenti shqiptar Moisiu i dha presidentit Bush dekoratën më të lartë “Urdhrin e Flamurit”, për kontributin e tij në mbështetje të çështjes shqiptare.

Presidenti amerikan në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e atëhershëm, Sali Berisha, vlerësoi nivelin e lartë të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe SHBA-së.
Presidenti po ashtu tha, se beson se plani i të dërguarit të posaçëm të OKB-së, Marti Ahtisari, për pavarësi të mbikëqyrur, është zgjidhja e duhur për Kosovën.
Ai tha se do të punojë për të bindur gjithë vendet e Këshillit të Sigurimit dhe Serbinë për këtë gjë.
Bush tha se SHBA-ja përkrah dëshirën e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në NATO. Ai vlerësoi lart tolerancën fetare në Shqipëri.
“Shpreha dëshirën që Shqipëria të hyjë në NATO, unë jam përkrahës i kësaj dëshire,” tha presidenti amerikan.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, Bush ka folur para trupave shqiptare, një shprehje mirënjohje kjo për Shqipërinë që ka kontribuar ushtarakisht në Afganistan dhe Irak.

“U thashë trupave se ju respektoheni nga ushtarakët tanë si ushtarë të stërvitur mirë dhe kurajozë,” tha Bush. Ai inkurajoi politikanët shqiptarë të punojnë së bashku për të plotësuar standardet e anëtarësimit në NATO.
“Politikanët duhet të punojnë së bashku për të arritur këto standarde, të lënë mënjanë ndryshimet politike,” tha ai.
Nga”Kafe Çela” në “Kafe Xhorxh Bush”
Ajo do mbetet gjatë në kujtesën e shqiptarëve jo vetëm për rëndësinë historike, por më tepër për surprizat e saj, pasi presidenti amerikan thyen rregullat e sigurisë, sidomos gjatë vizitës së papritur në Fush-Krujë. Edhe sot e kësaj dite nuk dihet përse këshilltarët e Xhorxh Uollter Bushit kishin përcaktuar Fushë-Krujën si një stacion të Presidentit të tyre, dhe pse njeriu më i fuqishëm në botë vizitoi këtë qytet të vogël e të varfër, që shqiptarët e njohin më së shumti për pluhurin dhe rrëmujën e tregut dhe që e vizitojnë me detyrim kur shkojnë në Krujë.
Në një bujtinë të vogël province të quajtur “Kafe Çela” ai takoi disa pronarë të biznesit të vogël, projektet e të cilëve financohen nga një program mikrokredie i USAID-it. Po aty Presidenti Bush u shpall “Qytetar Nderi” i Fushë-Krujës. Qëndrimi disa minuta në “Kafen Çela” e bëri këtë bujtinë të thjeshtë historike dhe që atë ditë e deri sot ajo mban emrin “Kafe Xhorxh Bush”, ndërsa në tavolinën ku ishte ulur Bush nuk ulet në shenjë respekti nuk ulet asnjeri. Ajo rri gjithmonë bosh.
Protokolli i një Presidenti të SHBA-së është një lloj bible që nuk shkelet, por në Fushë-Krujë, Bush “u çmend” dhe thyeu çdo rregull duke injoruar masat e sigurisë për të përshëndetur banorët. Ai u zhyt në mes të turmës entuziaste të fushëkrujasve, pa xhaketën e tij të zezë dhe me mëngët e këmishës të përveshura. I përqafoi dhe i puthi të gjithë ata që i dolën përpara, ashtu si nuk veprojnë as edhe liderët më popullorë shqiptarë në fushata elektorale.
Gjatë ndalesës në Fushë-Krujë, Bush ka vizituar edhe një dyqan ëmbëlsirash aty pranë të një familjeje. Dhurata e pronarëve për Presidentin Bush ishte një tortë ku ishin vizatuar flamujt e dy kombeve. Ndërsa fotoja që ka bërë Bush me një nënë 69 vjeçare ka bërë xhiron e botës si një nga fotot më të bukura, të vërteta dhe të sinqerta.

Po aty duke u përqafuar me njerëzit ndodhi një incident me të cilin u spekulua shumë dhe qe fyese për mikëpritësit krutanë, por edhe për gjithë shqiptarë. Bush kur hyri mes njerëzve e kishte orën e dorës, ndërsa sa mbaroi takimi, ora nuk u duk në dorën e tij. Disa televizione dhe gazeta e patën si lajm, por e vërteta u zbardh shpejt. Bush kur përshëndeti nga shkallët e avionit në aeroport orën e kishte në dorë!…
Ajo që ndodhi në Fushë-Krujë la pa mend jo vetëm shqiptarët, por edhe të huajtë. Ja si shkruan një gazetë prestigjioze ato ditë: “Me një buzëqeshje të madhe në fytyrë, Presidenti amerikan George Bush “u kredh” drejt fansave të tij të dielën, duke shijuar mikpritjen e mahnitshme, si një yll roku. Duke valëvitur dorën dhe duke dërguar puthje në ajër, Presidenti amerikan eci në rrugët e Fushë-Krujës”.