Cakaj: Lugina e Preshevës, një prej prioriteteve të politikës sonë rajonale

“Lugina e Preshevës në përgjithësi ka qenë një prej prioriteteve të politikës sonë rajonale dhe kemi marrë një varg masash për ta ndryshuar qasjen e shtetit shqiptar karshi Preshevës”, deklaroi sot ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, i cili po zhvillon një vizitë triditore në Preshevë.

Cakaj në një intervistë ekskluzive në Info Magazine në Klan Kosova, tha se, “për herë të parë kemi marrë përgjegjësinë për financimin e rregullt të Këshillit Shqiptar në Serbi. Për herë të parë po ashtu kemi filluar dhe mbështetjen e projekteve të ndryshme, si sponsorizimi i restaurimit të qendrës multidimensionale në Bujanovc. Kemi komunikuar rregullisht me gjithë spektrin politik. Kemi nisur procesin e Tiranës, që realisht është një proces që synon të mbledhë të gjitha partitë politike shqiptare të rajonit, në mënyrë që të mos lejojmë që pluralizmi partiak të shndërrohet dhe në divergjencë, sa i përket interesave kombëtare”.

Cakan nënvizoi se, “kemi bërë kërkesën që të hapim Konsullatën e Përgjithshme të Shqipërisë në Luginë të Preshevës që të shërbejë si një ambasadë e komunitetit. Realisht të sigurojë ndërlidhjen e qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi. Kjo nuk është aprovuar, por ne kemi bërë kërkesën zyrtare dhe po punojmë në këtë drejtim”.

“Kemi arritur që për herë të parë t’i bëjmë bashkë të gjitha partitë shqiptare në Luginën e Preshevës, në mënyrë që ato përkundër faktit që mund të kenë dallime të tyre sa i përket menaxhimit të pushtetit lokal të jenë një trup i vetëm kombëtar, kur vjen puna për mbrojtjen e të drejtave të tyre themelore”, tha Cakaj.

Duke folur për marrëdhëniet me Kosovën, Cakaj tha se, “me qeverinë Kurti për aq kohë sa ka qenë në detyrë ne kemi arritur institucionalisht të kurorëzojmë 3 marrëveshje tepër të vyera. Në fushën e integrimit, ku mes të tjerave për shkak se tashmë Shqipëria i ka hapur negociatat për anëtarësim në BE dhe duke qenë në një stad më të avancuar se Kosova, në politikat e integrimit në BE kemi mundësinë që ta transmetojmë përvojën dhe ekspertizën tonë tek Kosova në mënyrë që të forcohen edhe kapacitetet e Kosovës”.

“Ne kemi firmosur dhe një marrëveshje për organizimin e një konference vjetore rajonale, ku si Kosovë dhe Shqipëri synojmë të marrim lidership në rajon sa i përket komunikimit me BE, për shkak se edhe Kosova, edhe Shqipëria realisht, jo vetëm përfaqësojnë një komb, por kombin më proeuropian dhe më proamerikan në rajon, elementi i parë. Elementi i dytë, me z. Konjufca kemi nënshkruar një marrëveshje sa i përket diplomacisë publike që përfshin shumë aktivitete nga unifikimi i listave të eventeve kulturore, sepse nuk kemi pse 28 Nëntorin e 17 Shkurtin ta festojmë të ndarë nëpër botë. Është edhe simbolika, është edhe ana logjistike që çon në favor të unifikimit të aktiviteteve kulturore, deri tek fakti që aty përfshihen edhe masa të tjera sikurse promovimi i produkteve të prodhuara në Kosovë dhe Shqipëri. Pra është një marrëveshje që ka vlerën e vet”, u shpreh Cakaj.

“Kemi një marrëveshje me vlerë të posaçme politike, sepse për herë të parë do të kemi përfaqësues special të dy diplomacive sa i përket mbrojtjes së interesave kombëtare”, tha Cakaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT