Covid-19, Pipero: Situata është shqetësuese, ja kush është çelësi i suksesit

Tregon kur duhen përdorur maskat dhe dorezat

Pëllumb Pipero ka konfirmuar atë të cilës ne të gjithë i frikësohemi. Mjeku infeksionist tha sot për gazetaren Nisida Tufa se situata aktuale e shkaktuar nga Covid-19 është shqetësuese, pasi është rritur numri i infeksioneve të reja, numri i shtrimeve dhe pacientëve në gjendje të rëndë.

Ai tha çelësi i suksesit është distancimi dhe masat e duhura. Pipero bëri apel që maskat të përdoren edhe nga personat e shëndetshëm që nuk kanë mënyrë t’i shmangen distancimit, si dhe kur shkojnë në spitale apo vende me popullaritet.

Ndërkaq, përsa i përket dorezave, Pipero tha se ato në një masë të gjerë nuk janë të nevojshme.

Tufa: Si është situata?

Pipero: Situata ka disa indikatorë, në aspektin e numrave është shqetësuese, sepse kemi shtim të numrave pozitivë, të të shtruarve në spital dhe të pacientëve në gjendje të rëndë. Prisnim që të kishim numër të shtuar infektimesh, por jo kaq shumë të shtruar në spital. Krahas hapjes, numrat pozitivë do të shtoheshin, por nuk prisnin të shtoheshin numrat e shtruar në spital. Është shumë e rëndësishme t’i kujtojmë qytetarëve që virusi nuk ka ikur, por vazhdon të jetojë mes nesh. Çelësi i suksesit është distanca dhe maska.

Tufa: Ju thatë në fillim që maska nuk ishte e domosdoshme, tani është domosdoshmëri…

Pipero: Asnjëherë asnjë nga ne s’ka thënë që maska nuk duhet, unë kam thënë që të mos përdoret nëpër rrugë, por ta ruajmë për mjedise të mbyllura, kur nuk ruajmë dot distancën, kur shkojmë në spital. Shumë vende e kanë bërë me detyrim për të të krijuar një refleks që ta mbash me vete e ta vësh, jo ta mbash në xhep. Në rrugë nuk transmetohet virusi. Dorezat nuk duhen, pasi ato janë të papastra, nuk të mbrojnë. Unë as kamarierëve nuk ua këshilloj dorezat, as punonjësve të marketeve, larja e shpeshtë e duarve po. Madje as në autobuzë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT