“E rëndësishme edhe një fitore e vogël në dialogun Kosovë-Serbi në Uashington”

“Edhe një fitore e vogël do të ishte e rëndësishme në dialogun Beograd-Prishtinë më 27 qershor në Uashington dhe një marrëveshje e dyanshme e dobishme për qarkullimin e lirë të mallit e njerëzve do të fuqizonte gatishmërinë e Kosovës që të përfshihet në krijimin e zonës kompakte ekonomike në Ballkanin Perëndimor”, vlerësohet në një analizë të Këshillit atlantik të Serbisë.
Gazeta serbe “Danas” citon analistin Damir Marushiç të ketë thënë se janë “shkurtparëse vlerësimet se gjithçka pos marrëveshjes përfundimtare do të ishte mossukses”. Ai mendon se këtë e dëshmon porosia e ndërmjetësuesit amerikan Richard Grenell se më parë duhet të arrihet avancim në forcimin e ekonomisë.
Eksperti i Këshillit atlantik vë në dukje se “burimet në terren ia kanë konfirmuar se një punë serioze duhet të bëhet para se çfarëdo marrëveshjeje të arrihet”.
Por, ai nënvizon se Bashkimi Europian, sado të ketë pak dëshirë që kjo Uashingtoni t’i shkojë për dore, duhet të jetë i vetëdijshëm për faktin se “madje edhe nëse arrihet një kthesë e rëndësishme e depërtim, ky do të jetë i brishtë dhe do të kërkojë mbështetje nga të gjithanët”, edhe të BE-së, edhe të ShBA-ve.
Analisti i institutit të Uashingtonit mendon se do të ishte “arrogante të thuhet se përpjekjet e Grenellit janë domosdoshmërisht të gjykuara për dështim”, sepse basti në lojë është i madh edhe për presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, i cili në nëntor sërish do të kandidohet në zgjedhjet presidenciale, si edhe për kryetarin serb Aleksandar Vuçiç.
Thaçi e di se në se nuk ia del, tregon Marushiç, kjo do ta forcojë kundërshtarin e tij gjithnjë e më popullor Albin Kurti, i cili mund ta marrë pushtetin.
“Kryetarit të Serbisë Vuçiç”, shton ai, “nuk i kërcënohet rrezik në vend për ruajtjen e pushtetit, por ai e di se së shpejti do të ketë kritikë të ashpër në Uashington në qoftë se ish nënpresidenti i ShBA-ve Joe Biden do të fitonte në zgjedhje, ndërsa në Prishtinë kundërshtari i tij do të jetë në pushtet në Prishtinë nëse Thaçi bjen pas bisedimeve”.
“Dhe do të zhdukeshin edhe mbështetjet në kryeqytetet e rëndësishme evropiane”, përfundon analiza e Këshillit Atlantik të Serbisë, transmeton “Danas”.
Përktheu Dush Gashi