Edhe brenda PS pro listave të hapura, deputeti socialist: Boll më, sikur s’ka më lezet
Pro konkurrimit me lista të hapura po deklarohen edhe deputetët socialistë.
Debatit për ndryshimin e sistemit po mbështet edhe brenda radhëve të mazhorancës, të cilët e shohin të aplikueshme për zgjedhjet e ardhshme.
Deputeti i PS-së, Adnor Shameti, anëtar i komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, ka mbështetur nismën e 29 deputetëve të opozitës për ndryshuar sistemin, duke pranuar listat e hapura në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Me anë të një statusi në Facebook, Shameti shprehet se nuk duhet të jetë tabu aplikimi i këtij sistemi në Shqipëri.
“Boll besoj u benë 30 vjet me kryetarë partish pa parti që futen nëpër barqet e partive mëmë, me koalicione të mbyllura për të mbyllur pastaj ca ministri dhe drejtori! Sikur s’ka më lezet do thoshte gjyshi im”, shprehet Shameti.
Postimi i plotë
E kotë ta mohojmë që hapja e listave gëzon suport qytetar! Pavarësisht se edhe unë kam bindjen që nuk janë ndonjë recete çudibërëse, listat e hapura s’duhet të jenë tabu për maxhorancën. Ata jashtë parlamentit e morën çfarë deshën. Madje shumë më shumë se sa u takonte edhe po të ishin sjellë demokratikisht këto 3 vjet. Këtu s’është puna çfarë do marrin keeta brenda Parlamentit, po çfarë do marrë populli nga ky proces!
Ne nuk duhet të shqetësohemi sa do mërziten ata që janë jashtë apo sa do tronditen ata që nuk hyjnë dot me brenda po u shkëputen nga kërthiza e partive të mëdha. Besoj se është shumë e shëndetshme që të ketë hapje listash dhe natyrisht si rrjedhojë të mos ketë më koalicione parazgjedhore. Boll besoj u benë 30 vjet me kryetarë partish pa parti që futen nëpër barqet e partive mëmë, me koalicione të mbyllura për të mbyllur pastaj ca ministri dhe drejtori! Sikur s’ka më lezet do thoshte gjyshi im.
