Ekspertët: Mishi i kafshëve të egra në restorantet shqiptare, burim infeksioni

Ditën e sotme në emisionin “Wake Up” është folur në lidhje me një nga fenomenet që po shënon trend rritës në vend dhe që ka shqetësuar organizatat që merren me mbrojtjen e kafshëve të egra. Këto të fundit po përdoren jashtë çdo lloj kriteri nga restorantet në zona të ndryshme të Shqipërisë në menutë e tyre.

Ky fenomen ndodh në përditshmëri, madje reklamohet shumë hapur edhe në rrjetet sociale për të joshur klientët të cilët janë të pavetëdijshëm mbi statusin e kërcënimit të llojeve të cilat po i serviren. Veç kësaj, konsumi i këtij lloj ushqimi të panjohur, të pa certifikuar në vende të tilla mund të jetë burim sëmundjesh dhe parazitësh.

I ftuar në studio ishte specialisti i mjedisit pranë PPNEA-s, Joni Vorpsi, i cili shprehet se ky shqetësim ka vite që është ngritur. Sipas tij, ky fenomen është vënë më shumë në dukje tani si pasojë e situatës së krijuar nga koronavirusi.

“Njerëzit kanë qenë me të ndjeshëm dhe kanë reaguar më shumë ndaj kësaj çështje. Mjafton të kërkosh në rrjetet sociale mish i egër dhe të dalin të gjitha menutë. Ne i kemi publikuar dhe kemi vënë re se kaprolli është më i preferuari. Pastaj derri i egër, i cili gjithashtu si kaprolli është jashtë listës së gjuetisë”, shprehet ai.

Sipas të dhënave të OBSH një pjesë e madhe e sëmundjeve infektive si dhe patogjene kanë origjinë nga kafshët, duke përfshirë këtu edhe llojet e jetës së egër. Humbja e habitatit natyror bën që llojet e egra të zbresin drejt zonave të banuara duke rritur mundësitë për transmetimin dhe përhapjen e sëmundjeve zoonotike.

Në menutë e këtyre restoranteve mund të gjesh lehtësisht gatime me mish kaprolli, derri i egër, lepuri i egër, si dhe lloje të ndryshme shpendësh të egër, madje në raste të caktuara, edhe ariu i murrmë, pavarësisht faktit se ndalohet në mënyrë kategorike nga ana ligjore.

Por duket se edhe ligji nuk funksionon aq më tepër që ky fenomen ka qenë i pranishëm edhe kur vendi ishte i izoluar nga pandemia e Covid-19. Për këtë fenomen folëm sot me specialistin e mjedisit pranë PPNEA (Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri).

Back to top button
LAJMET E FUNDIT