Gjyqi Veliaj-Tabaku, Basha i përgjigjet Ramës: Plaçkit shqiptarët në interes të banditëve

I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama lidhur me gjyqin Veliaj-Tabaku, se prioriteti nr.1 i programit të PD, është shpifja.

Përmes një postimi në Twitter, kryedemokrati shkruan se i vetmi shkaktar i shpunësimit dhe varfërisë së shqiptarëve është “babëzia, arroganca dhe shpifja” e atij që ai e quan “RAMAVIRUS”.

“Babëzia, arroganca dhe shpifja janë trinomi i pandarë i RAMAVIRUSIT që prej 7 vitesh i ka shtyrë shqiptarët drejt shpunësimit, varfërisë dhe krizës. Asnjë marionetë e RAMAVIRUSIT nuk e fsheh dot hajdutërinë e tij në bashkëpunim me trafikantët e drogës tek afera e Astirit,” shkruan Basha në Twitter.

“E vërteta e vetme e këtij KM dhe bufonëve të tij është plaçkitja e shqiptarëve për interes të banditëve dhe oligarkëve të tij.Këtë të vërtetë që i madh e i vogël e di dhe e ka provuar në kurriz, nuk e fshehin dot më as gjyqtarët e korruptuar dhe as regjia e propagandës së lodhur. Këto të vërteta dhe bashkimi më i madh i shqiptarëve kundër mjerimit ekonomik dhe padrejtësive të RAMAVIRUSIT, do ta largojnë shumë shpejt këtë bandë dhe drejtësia e pavarur do tu japë ndëshkimin e merituar me ligj për krimet, varfërimin dhe zhvatjen e shqiptarëve dhe Shqipërisë,” vijon më tej kreu i PD.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT