Hajdari pas mbledhjes së Këshillit Politik: Ekspertët më thanë se vota e diasporës është e mundur në zgjedhjet e 2021

Bashkëanëtarja e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore, Rudina Hajdari, tha fill pas mbledhjes se lajmi i mirë është fakti që të gjithë palët ranë dakord përsa i përket votës së emigrantëve dhe gjithë procesit të realizimit.

Hajdari tha se ekspertët e çështjes janë shprehur pozitivë dhe kanë thënë se votimi i emigrantëve në zgjedhjet e ardhshme të 2021 është i realizueshëm.

Në lidhje me mënyrën se si do të realizohet, deputetja tha se janë shumë hapa që do duhet të ndërmerren, teksa theksoi se tani përgjegjësia bie mbi qeverinë.

“Sot mbledhja u mbyll, nga kjo tryezë doli një lajm i mirë për të përmbyllur dëshirën e diasporës për të pasur të drejtën për të votuar në Shqipëri. Në mënyrën se si do zbatohet mbetet për t’u parë. Janë shumë hapa të tjerë që do të bien mbi përgjegjësinë e qeverisë. Ky është një lajm i mirë që vota e diasporës është marrë si një çështje serioze. Kur drafti të bëhet pjesë Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, ne po presim që të fusim gjëra shtesë. Nuk u pranua që të kemi ndryshim sistemi. Kur të vijë drafti në parlament ne do t’i shtojmë ato gjërat shtesë. Ka ende shpresë përsa i përket ndryshimit të sistemit. Do shkojmë deri në fund përsa i përket kësaj kërkese. Çfarë u bë në atë tryezë ishte që u shpreh vullneti i qartë politik për të sjellë votën e diasporës në Shqipëri. Në këto momente, ne kemi futur 2 nene të posaçme që ia japin kopetencën KQZ-së për ta realizuar këtë gjë, por dhe emigrantët duhet të regjistrohen që të votojnë në zgjedhjet e ardhshme. Unë i pyeta ekspertët a është e realizueshme që të kemi votën e emigrantëve në 2021, ata më thanë se është e realizueshme. Nëse e mbyllim Reformën Zgjedhore së shpejti, do punohet me intensitet për t’u përmbyllur dhe e drejta e votës së diasporës. Sepse janë ata njerëz që punojnë jashtë vendit dhe kontribuojnë në Shqipëri. Uroj që vullneti të jetë aty përsa i përket realizimit të plotë”, tha Hajdari.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT