Informacionet sekrete e SHISH, “lufta” mes Metës dhe Ramës
Presidenti Ilir Meta dhe Kryeministri Edi Rama kanë marrë thuajse të njëjtin numër informacionesh nga Shërbimi Informativ Shtetëror për vitin 2019. Në një raport të fundit, të publikuar edhe në faqen zyrtare të këtij institucioni, nën emërtesën “Produkt informativ i SHISH” publikohen shifrat e informacioneve sekrete të këtij institucioni për krerët më të lartë të shtetit, por edhe institucione të tjera të vendit.
Përgjatë vitit 2019, kur Shqipëria kaloi kriza të mëdha politike dhe vendi ishte në Gjendjen e Jashtëzakonshme për shkak të tërmetit të 26 nëntorit, Presidentit të Republikës i janë vënë në dispozicion 248 informacione, 5 më shumë se një vit më parë.
Ndërsa për Ramën ka pasur një numër më të lartë të informacionit sekret të mbërritur në zyrën e tij, ose të kërkuar prej tij. Për një vit në selinë e Qeverisë kanë mbërritur 290 informacione me siglën “sekret”
Më tej, ka pasur shumë informacione për Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme dhe Ministrinë e Brendshme, apo Policinë e Shtetit, informacione për të cilat askush nuk pohon nëse janë apo jo të njëjta me ato që kanë mbërritur në zyrën e Ramës dhe Metës.
Por mbi të gjitha, informacionet janë prodhuar më së shumti për klientë brenda dhe jashtë vendit. Dhe jo pak, por plot 4087 informacione. Duke qenë se dukuritë dhe veprimtaria antiligjore, tashmë zhvillohen në rrafsh më të gjerë rajonal e ndërkombëtar është shtuar dhe Produkti Informativ për SHIVH (Shërbime Informative të Vendeve të Huaja).
Peshën kryesore në Produktin Informativ të destinuar për klientët brenda vendit e zë informimi në nivel qendror me 1090 informacione, i cili përbën 63 për qind të totalit.
Në rastet e agjencive të hetimit janë kryesisht të karakterit penal, persona të kërkuar, dënuar, hetuar, apo me lidhje kriminale në më shumë se një vend.
SHISH është institucion qendror që varet nga Kryeministri dhe drejtohet nga Drejtori, por që ka dy linja kontrolli Kuvendin e Shqipërisë dhe Prokurorin e Përgjithshëm dhe sigurisht Kontrollin e Lartë të Shtetit, që vepron në çdo institucion zyrtar.