Marrëveshja me PS-në para zgjedhjeve, PD propozon “kthimin” e saj në Kuvend

Më shumë se një vit pas daljes nga Kuvendi, opozita jashtëparlamentare i ka dërguar mazhorancës propozimin e tretë, për formulën e përzgjedhjeve së trupës të Komisionit Qendror të ri të Zgjedhjeve.
Sipas propozimit të fundit të opozitës përzgjedhja e kandidatëve duhet të bëhet në një komision parlamentar.
Sipas këtij propozimi, opozita jashtëparlamentare do të ketë një përfaqësues të vetin me të drejtë vetoje, çka mundëson rikthimin e saj në institucione, pas vendimit për djegien e mandateve si dhe bojkotimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.
Bazuar në propozimin e PD-së, ky përfaqësues zgjedh 2 nga 5 anëtarët të Rregullatorit dhe 2 nga 5 anëtarët e Komisionit të Apelimit e Sanksioneve, kurse shumica zgjedh 3 nga anëtarët.
Më pas Kuvendi miraton ose rrëzon në bllok të 5 të përzgjedhurit.
Sa i takon Komisionerit Shtetëror të zgjedhjeve opozita propozon që Partia Socialiste të zgjedhë 4 kandidatë, përfaqësuesi i opozitës politike përjashton 2 dhe Kuvendi zgjedh 1 nga 2 të mbeturit. Më herët, negociatori socialist Damian Gjiknuri kërkoi mbledhjen e tryezës politike ditën e mërkurë në ora 17.00, për të miratuar të plotë draftin e amendimeve për Kodin e Ri Elektoral për t’ia përcjellë atë Komisionit të Posaçëm parlamentar për miratim brenda datës 30 qershor.
Duket se propozimi i fundit i PD-së është më i butë se dy propozimet e kaluara që u rrëzuan nga maxhoranca dhe ndoshta edhe më i pranueshëm, çka do të thotë se në mbledhjen e radhës së Këshillit Politik mund të ketë përfundimisht një marrëveshje zyrtare, mes palëve.