Meço: Fjala ‘izolim’ ka një ngarkesë të hidhur në kujtesën kolektive shqiptare

Reagimi i plotë i gazetares:
“Fjala “izolim” ka një ngarkesë të hidhur në kujtesën kolektive shqiptare.
Kur e dëgjoj në rrethana të ndryshme nga ato të bisedave zëultas në shtëpinë e fëmijërisë, sërish më ngjethet mishi nga ngjarje e histori të trishta të shtetit të harruar buzë Adriatikut, mes euforisë së shkëmbit granit dhe kujës së prindërve, që mohonin fëmijët teksa kapeshin në arrati e sipër.
Dhe pas lajmeve të sotme, nuk është më kujtesa, që më gërryen ndërsa përmendet fjala “izolim”, por aktualiteti.
15 kushte, që Shqipëria të mundet të ulet në konferencën e parë për çeljen e negociatave. Me refuzimin, që u bën pushteti izolimi në portat e Europës po rrezikon të na shndërrojë në humbëtirën buzë Adriatiku.
Dy vëllezërit Budina e të afërmit e tyre janë izoluar në rrethana ende të paqarta, por me vullnet të plotë të autoriteteve për t’ua bërë ndëshkues procesin, duke u publikuar emrat.
Dy ngjarje sot, që për nga trazimi ia tejkaluan thirrjes së kujtesës, që pikonte trishtim sapo përmendej fjala “izolim”.
Përsëritja e historisë e shndërron këtë të fundit nga tragjedi në komedi, por mesa duket Shqipëria do ta mbajë në të njëjtin zhanër”.
Kujtojmë këtu se, ditën e djeshme, me 388 vota pro, 280 vota kundër dhe 19 abstenime, Parlamenti Europian miratoi amendamentin e Grupit të Partive Popullore Europiane me tekst: “Parlamenti Europian thekson 15 kushtet e caktuara nga Këshilli i Bashkimit Europian që Shqipëria duhet të ketë përmbushur përpara thirrjes Konferencës Ndërqeveritare të parë me shtetet antare”