Negociatat, Shqipëria në filtrin e Komitetit të Jashtëm të PE-së

Komiteti për Politikën e Jashtme në Parlamentin Europian u mblodh këtë të hënë në një takim të posaçëm për shkëmbimin e pikëpamjeve mes eurodeputetëve për progresin e Shqipërisë, kushtet e vendosura nga BE dhe problematika të tjera që shqetësojnë Brukselin.

Diskutimi nisi nga kryetari i Komitetit me aktin e shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar, por nuk u ndal vetëm tek kjo. “E kuptoj që shumë prej nesh këtu në Komitetin e Jashtëm jemi të shqetësuar nga fakti dhe metoda e përdorur për të shembur Teatrin Kombëtar më 17 maj. Kjo u përshkrua gjerësisht si një sulm ndaj trashëgimisë kulturore europiane”, deklaroi në hyrje të seancës, kreu i Komitetit të Punëve të Jashtme, David Mcallister.

Mcallister dhe eurodeputetët e tjerë përshëndetën që të gjithë marrëveshjen e 5 qershorit për ndryshimet në Kodin Zgjedhore, megjithëse kjo marrëveshje mbetet ende në pikëpyetje dhe e pambyllur mes palëve.

Ndërkohë, eurodeputetit i djathtë, David Lega qortoi ashpër paketën antishpifje dhe duke cituar një raport të Europol thotë se pandemia e koronavirusit ka shtuar prodhimin e hashashit në vend. “Paketa antishpifje është një turp! Ajo shkel Kushtetutën, shkel të drejtat e njeriut dhe minon aspiratat e Shqipërisë për në BE. Kanabisi vazhdon të ketë rritje sipas Europol dhe në Shqipëri kemi një ekzekutiv që është i ashpër me gazetarët dhe i butë me krimin”, deklaroi ai.

Ndërkohë të majtët Tonino Pecula dhe Genoveva Ruiz Calavera thanë se vendi ka shënuar progres në rrugën e reformave, sa i takon sundimit të ligjit, luftës ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe në reformën në drejtësi. Calavera theksoi se pavarësisht krizës së pandemisë, procesi i reformës në drejtësi vazhdoi. Ajo kujtoi emërimet në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë si tregues të këtij progresi.

Kroati Tonino Pecula vuri në dukje “absurditetin” e 15 kushteve të vendosura nga Parlamenti Europian. Ai thotë se ka patur një keqinterpretim të vendimit të Këshillit Europian nga ana e PE-së dhe ngre pyetjen se si do të vlerësohet progresi i këtyre 15 kushteve?

Euroskeptikët dhe përfaqësuesit e ekstremit të djathtë u treguan të ashpër. Shqipërinë ata e marrin si shembull për të kundërshtuar procesin e zgjerimit. Njëri prej eurodeputetëve të këtij grupi ngriti shqetësimin se Shqipëria është aleate e ngushtë e Turqisë dhe se “ka lidhje të forta me ekstremistët në Kosovë”.

Përgjigjen ndaj këtyre “shqetësimeve” e morën nga eurodeputeti Thomas Waltz.

“Ka gjithmonë një anë për të qeshur kur vjen puna tek euroskeptikët. Gjithmonë e shohin rrezikun e lidhjes së Shqipërisë me Erdogan, por nuk i shohin lidhjet serbe me Rusinë”, tha ai, duke shtuar se Shqipëria ka bërë progres në sundimin e ligjit, por kërkoi më shumë përparim sa i takon respektimit të të drejtave të pakicave dhe minoriteteve.

Eurodeputeti gjerman i së djathtës, Michael Gahler u ndal tek dosjet 184 dhe 339 për shit-blerjen e votës në Dibër dhe në Durrës. Ai tha se për këto dosje ende nuk kishte asnjë të hetuar dhe ndëshkuar.

Gjatë diskutimeve eurodeputetët propozuan gjithashtu që të hetohen procedurat e shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar, si dhe të mbikëqyret tenderi për ndërtimin e godinës së re, duke qenë se Shqipëria është një prej vendeve që për shkak të tërmetit dhe Covid19 do të përthith më shumë fonde nga BE.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT