Nis rrjedhjet nga opozita e re, pas Maliqit një tjetër deputete pro paktit

Tre krerët grupeve parlamentare të opozitës kanë kërcënuar se nuk do të japin votat e tyre pro reformës, nëse nuk do të ndryshohet sistemi dhe të jenë me lista të hapura. Por pas këtyre deklaratave kërcënuese në skenë dolën dhe qëndrimet e kundërta nga opozita parlamentare ku deputetë pjesë të tre grupeve parlamentare ose jashtë saj deklaruan votën pro paktit të 5 qershorit për reformën zgjedhore.
Lefter Maliqi nga opozita ishte i pari që shpalli se do të votonte paktin e ri të arritur me ndërmjetësimin e ambasadorëve. Por opozitës i iku dhe vota e dytë, pasi një tjetër deputete e opozitës së re deklaron votën pro marrëveshjes për reformën zgjedhore.
Përmes një postimi në Facebook, Suzana Topi shkruan se vota e saj do të jetë pro kësaj marrëveshjeje. Ajo shton se votimi pro i këtij pakti politik do të thotë integrim i Shqipërisë në Europë.
Postimi i plotë
Të dashur miq!
Dua të përshëndes marrëveshjen e këshillit politik për Reformën Zgjedhore e firmosur nga të gjithë aktorët politikë ,e cila mori bekimin e partnerëve tanë ndërkombëtarë SHBA dhe BE.
Sigurisht që kjo reforme ka nevojë të përmirësohet më tej për të bërë votime me lista të hapura, për pjesmarjen e emigrantëve në votime, për implementimin e sistemit elektronik në votime.
Vota ime si deputete e pavaruar nga asnjë grup parlamentar “do të jetë PRO kësaj marrëveshjeje”, sepse unë dua integrimin e Shqipërisë në Europë , sepse unë dua që opozita jashtë parlamentit të këthehet në institucione, pasi Rilindja ka kapur të gjitha pushtetet si atë ekzekutiv,legjislativ , drejtesinë, pushtetin vendor.
Parlamenti që duhet të jetë tempulli i demokracisë është i kapur ,aty janë votuar ligje antikushtetuese per PPP , Koncesione, Ligji i Antishpifjes për mediat , është ngritur komision hetimor për Presidentin e Republikës , janë votuar ligje që cënojnë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut.
Kjo marrëveshje i shërben demokracisë për ti hapur rrugën zgjedhjeve të lira dhe të ndershme !
Me këtë marrëveshje fiton opozita e bashkuar fitojnë Shqiptarēt!