Nuk ka dakordësi në Këshillin Politik, Bylykbashi: Ja pse nuk pranon maxhoranca

Ende nuk kemi një dakordësi në Këshillin Politik për Reformën Zgjedhore.
Sipas demokratit Oerd Bylykbashi, shkak është formula për zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili përbëhet nga 3 trupa.
Në përfundim të mbledhjes së Këshillit, ai u shpreh për gazetarët se Partia Socialiste kërkon të zgjedhë vetë të gjithë anëtarët, duke hequr çdo garanci për opozitën në nivelin më të lartë te administrimit të zgjedhjeve.
“Në këtë mënyrë, PS kërkon të kapë KQZ për një periudhë të gjatë, duke zhbërë edhe garancitë që janë aktualisht në Kod për opozitën” – u shpreh ai
Bylykbashi gjithashtu bëri të ditur propozimin e opozitës bazuar në dakordësinë e arritur më 5 qershor me ndërmjetësimin e SHBA dhe BE.
Sipas këtij dokumenti qeveria dhe opozita pranuan që Komisioneri të zgjidhet me konsultime mes palëve, ndërsa nënkomisoneri të zgjidhet nga opozita, ndërkohë që 5 anëtarët në Komisionin Rregullator dhe KAS të ndahen në mënyrë proporcionale midis maxhorancës dhe opozitës.
“Ne i qëndrojmë pikë për pikë këtij dokumenti dakordësie në lidhje me identifikimin biometrik, ruajtjen e administratës zgjedhore nga politizimi dhe dakordësinë për KQZ për një formulë të re që do të vërë bazat jo vetëm për një KQZ efikase. Ne kemi bërë propozim sot për një formulë të emërimit të anëtarëve të tre trupave të KQZ nëpërmjet një formule të mirëpranuar dhe të kolauduar që sot është në Kushtetutë, formula për zgjedhjen e organeve të sistemit të drejtësisë. Një formulë që garanton një shqyrtim të pavarur dhe jo politik të kandidaturave për të ushtruar detyrën në KQZ.
Është një formulë që u kundërshtua nga maxhoranca socialiste pa asnjë arsyetim. Nuk i intereson për një arsye shumë të thjeshtë sepse i intereson kapja e plotë e KQZ në të tre organet. Dakordësia e datës 3 qershor konfirmohet por nga ana tjetër ai që është qëllimi jo vetëm i dakordësisë është që garancitë ekzistuese në kodin zgjedhor për opozitën karshi një maxhorance që shkatërron zgjedhjet do të qëndrojnë dhe rriten por nuk shkojnë më pak. Maxhoranca do vendime të njëanshme politike dhe kërkon kapjen e organeve,” u shpreh ai.